Hetimet për pasurinë: Balilit i “zbulojnë” vetëm 3.3 milionë lekë



Klement baliliPolicia e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Pastrimit të Parave dhe ILDKP, nisin kontrollin për pasurinë e Balilit. I akuzuari për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, rezulton me borxhe dhe pa pasuri të patundshme.

Teksa Klement Balili është i shpallur në kërkim për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, autoritetet vendëse nisin hetimet për pasurinë e vendosur prej tij.

Policia e Shtetit, Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, dy ditë pas shpalljes në kërkim, nisën verifikimet mbi pasurinë e deklaruar të 44-vjeçarit.

Ajo që do të gjejnë në letra është se Balili ka vetëm 3.3 milionë lekë, të kursyera nga pagat dhe aktiviteti privat dhe 400 mijë lekë të tjera, të siguruara nga shitja e një automjeti.

Vetëm kaq pasuri figuron me letra për ish-drejtorin e Transportit Rrugor të Sarandës, i konsideruar nga policia dhe mediat greke si “Eskobari i Ballkanit”, një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të narkotikëve.

Tashmë do të vihen nën hetim, jo vetëm llogaritë bankare të tij, por edhe ato të të afërmve.

Burime të policisë shprehen se nga verifikimi paraprak për Balilin, rezulton se ai nuk ka prona të tjera të deklaruara në emër të tij.

Në lidhje me pasuritë e paluajtshme, 44-vjeçari ka të deklaruar një banesë në Delvinë, e cila është në proces legalizimi.

Ka dyshime se 44-vjeçari pasuritë e tjera që de fakto janë në pronësi të tij të plotë, iu janë shpërndarë personave të tjerë, kryesisht të afërm.

Për sekuestrimin e tyre nuk mund të ketë një vendim të shpejtë, pasi në raste të tilla i takon vendimit gjyqësor për të vendosur ose jo sekuestro mbi pronat e Balilit.

Ai, që prej datës 17 të këtij muaji, rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal.

Urdhër-arresti mbërriti nga policia greke duke e konsideruar atë si një nga kapot më të mëdhenj të Ballkanit, që merrej kryesisht me trafikun e hashashit dhe kokainës

. Ndonëse shumë qytetarë të Sarandës e njohin si pronarin e një prej komplekseve më të mëdha dhe moderne në zonën e plazhit, përsëri ai këtë objekt nuk e ka të regjistruar në emrin e tij, bashkëshortes apo fëmijëve. Në deklaratën e fundit të dorëzuar nga Balili më datë 21 Mars të vitit 2015, rezulton se ka 3.3 milionë lekë para të thata të kursyera.

Ndërsa bashkëshortja deklaron se i është dashur të sigurojë një hua në shumën e 30 mijë eurove për shkollimin e djalit jashtë vendit.

Specialistët shprehen se do të jetë e vështirë hetimi për të zbuluar pasuritë e paluajtshme, që dyshohet se kanë ardhur nga aktivitete të paligjshme.

Nëse 44-vjeçari shpallet fajtor nga ana e gjykatës, atëherë rrezikon që në bazë të ligjit antimafia që është në fuqi, të kërkohet edhe sekuestrimi përfundimtar i pasurisë që ai disponon.

Hetimet për të dhe grupin që dyshohet se drejtohej prej tij janë zhvilluar nga policia dhe prokuroria greke, për më shumë se një vit. Aktualisht janë 17 persona të arrestuar, dhjetë me kombësi greke dhe shtatë të tjerë janë shqiptarë.

Emri i Balilit u bë publik fillimisht nga mediat greke, të cilat i dhanë inicialet dhe më pas ishte Partia Demokratike që tha në një deklaratë publike, se bëhej fjalë për Klement Balilin, me detyrë drejtor i Transportit Rrugor në Sarandë.

Vetë Balili reagoi, duke u shprehur se do të padiste për shpifje PD-në, por vetëm një javë më pas për të u lëshua urdhër-arresti ndërkombëtar.

Policia shqiptare, ndonëse fillimisht u shpreh se e kishte nën vëzhgim, në momentin që shkoi ta ndalonte, nuk e gjeti në shtëpi.

Largimi i tij është mbuluar me hije të mëdha dyshimi mbi mënyrën e arratisjes.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Edhe krimet e komunistëve rrezikojnë të quhen normale

Nga Fitim Zekthi Gjëja më e shëmtuar në lidhje me poshtërsitë apo...
Read More