Hipokrizia me shërbimet publike, duke filluar nga arsimi

Nga Ervis Iljazaj

Hipokrizia e politikës shqiptare dhe mendësia puniste e trashëguar nga regjimi i shkuar, kalon çdo limit. Për faktin se, një pjesë e shoqërisë nuk mundet të paguajë shërbimet si arsimi, shëndetësia etj., atëherë, vendoset që e gjithë shoqëria t’i marrë këto shërbime falas ose me një çmim tepër të ulët i cili nuk garanton buxhetin e nevojshëm për të patur shërbime cilësore. Duke bërë në këtë mënyrë, që shërbimet shqiptare, përfshi këtu arsimin, të jenë të niveleve të dobëta, për shkak të mungesës të fondeve që ato kërkojnë për të qenë konkurruese dhe cilësore. Cilësi që buxheti i vobektë i shtetit shqiptar nuk mund t’ia garantojë.

Protestat e studentëve të djeshëm, përtej motivit specifik të tarifës shtesë të provimeve të mbartura, e cila mund të jetë e drejtë ose jo sipas këndvështrimit të gjithsecilit, në fakt, duhet të hapë diskutimin me themel për gjendjen dhe përmirësimin për shërbimet publike, sidomos për arsimin. Duhet ta themi fort dhe qartë, që arsimi cilësor kushton. Madje, kushton shumë nëse vërtet pretendojmë apo kemi qëllimin, që më së paku të jemi konkurrues në rajon. Në të kundërt, do ta vazhdojmë të kemi injorancë falas dhe jo arsim falas. Çështja është si do të gjenerohen të ardhurat e mjaftueshme për të patur një arsim cilësor?

Së pari, ne ende nuk kemi një studim të mirëfilltë se sa është kostoja për student për të rritur cilësinë e arsimit, dhe pastaj të diskutojmë se nga do të gjenerohen këto të ardhura. Në shoqëritë kapitaliste të zhvilluara, ku cilësia e arsimit, mirëqenia dhe ekonomia janë në nivele të larta, ka një princip bazë . Është principi se, çdo sektor i shërbimeve, siç është rasti i arsimit, duhet të vetëfinancohet. Për një arsye shumë të thjeshtë. Në këtë mënyrë shmanget arbitrariteti i qeverisë me paratë e qytetarëve dhe përdorimin e tyre vetëm për interesa elektoralë, klientelistë e populistë. Duke garantuar në këtë mënyrë lirinë e njerëzve nga pushteti politik dhe idenë e kapitalizmit. Qeveria ka për detyrë vetëm të garantojë këto parime, dhe jo të vendosë në mënyrë arbitrarë se çfarë bën me taksat tona. Për shembull, si ka mundësi që në Shqipëri një familje që ka të ardhura 3 ose 4 milionë lekë në muaj, paguan për shkollimin e fëmijës njësoj sa një familje që ka të ardhura 300 mijë në muaj? A nuk do të ishte normale që familjet që kanë të ardhura të larta, dhe nga ato në Shqipëri ka mjaftueshëm, të paguanin një tarifë arsimimi më të lartë? Duke gjeneruar mjaftueshëm fonde për një arsim cilësor, dhe duke ndihmuar dhe ata studentë, familjet e të cilëve nuk mundet të paguajnë për arsimimin e fëmijëve të tyre.

Problemi i zgjidhjes , “falas për të gjithë”, është se, ajo është një zgjidhje e shpejtë, komode dhe populiste për çdo qeveri. Mirëpo, nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i mendësisë puniste së politikës shqiptar. Çfarë kërkojnë ata që protestojnë për arsimin falas, të cilët e paraqesin veten si majtistë, ndonjëherë edhe si komunistë? Mos ndoshta në mënyrë paradoksale, kërkojnë që edhe fëmijët e pasunarëve shqiptar ta bëjnë arsimin falas? Nëse vërtet duam që të zhvillojmë një debat serioz për arsimin, duhet ta fillojmë nga kostot që ai ka për të qenë cilësor, dhe mënyrën se si do të gjenerohen ato. Në këtë kundërtën, të gjithë janë gati të kërkojnë arsimi falas, shëndetësi falas, drita falas, e kështu me radhë për të gjitha shërbimet. Dhe mënyra më e mirë, më efikase dhe më demokratike, është financimi i drejtpërdrejtë nëpërmjet tarifave. Tarifa të cilat, ata që janë të pasur t’i paguajnë më shumë seç janë tarifat e sotshme, që nuk garantojnë fonde aspak për një arsim cilësor. Kjo është mënyra e drejtë, madje solidare për të ndihmuar edhe fëmijët e familjeve që janë ekselentë, por që nuk munden të paguajnë. Pra, parimi i financimit për arsimin duhet të jetë: tarifa të larta për ata që munden, dhe bursa për studentët ekselentë të familjeve në nevojë.

Çdo mënyrë tjetër, është utopike, e padrejtë dhe populiste për shkak të hipokrizisë së politikës dhe që na çon drejt një regresi që e kemi provuar vite më parë. Në një debat gjatë fushatës presidenciale amerikane në vitin 2016 midis Berrni Sanders dhe Hilari Klinton, kjo e fundit u shprehë se, “Nuk do të lejojë kurrë që fëmijët e Donald Tramp të bëjnë arsimin falas”, duke kritikuar kështu idenë e Sanders të arsimit falas. Në këtë mënyrë, Hilari Klinton, ishte kundër asaj ideje për faktin se, është jo efikase dhe mbi të gjitha e pandershme që, një njeri i pasur si Tramp apo çdo person tjetër që ka mundësi, të kryejë arsimin pa pagesë. Aq më tepër kur, të kesh një arsim cilësor, në radhë të parë do të thotë të kesh mundësi të gjenerosh para për të, të cilat është e pamundur të dalin nga buxheti i një shteti, dhe, këtu po flasim për një buxhet si ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjykata Speciale dhe skenarët e rrezikshëm që hapen për Kosovën

Nga Baton Haxhiu E lexova me kujdes hulumtimin e opinionit për Gjykatën...
Read More