Histeri nacionaliste greke në Bularat

Ceremonia e varrimit të Kostandin Kaçifas në Bularat të Gjirokastrës degjeneron në thirrje nacionaliste greke me shprehjet: “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”, “Gjaku na thërret të djegim shqiptarë”, të gjitha këto klithma antishqiptare në praninë e politikanëve ekstremistë grekë dhe priftërinjve të ardhur enkas nga vendi fqinj. Bllokohet nga ekstremistët grekë rruga Gjirokastër-Kakavijë. Shoqërohet në polici kryeekstremisti Babis Harallambos Karathano. Reagon Tsipras: “E kuptoj zemërimin, jemi në ditë zie për familjen e atdheun”, Rama: Hienat përdhosën flamurin e tyre.

Ceremonia e varrimit të Kostandin Kaçifas që mbeti i vrarë më 28 tetor të këtij viti në përplasje me armë me forcat speciale RENEA, është kthyer në pelegrinazh dhe histerizëm me thirrje antishqiptare, flamuj grek, politikanë të ekstremit të djathtë dhe priftërinj të sjellë enkas nga Greqia. Edhe pse ishte kërkuar zyrtarisht nga Athina zyrtare për vetëpërmbajtje dhe qetësi, të ardhurit nga Greqia shkelën edhe parimin e respektit ndaj viktimës, duke e kthyer çështjen në më shumë se politike. Turma shpalosi edhe një flamur të madh ku shkruhej “Vorio Epir”, ndërsa dëgjoheshin edhe thirrjet “Shqiptarë, largohuni! Kjo është Greqi”, “Gjaku na thërret të djegim shqiptarë”. Të gjitha këto thirrje në Bularat, fshatin e Gjirokastrës, aty ku më 28 tetor shtetasi grek Kostandin Kaçifas, i lindur dhe rritur në Bularat qëlloi mbi forcat e policisë dhe terrorizoi banorët. Gjatë ndjekjes nga efektivët e forcave speciale RENEA ai mbeti i vrarë. Ngjarja trazoi politikën në të dyja vendet dhe sikurse ishte paralajmëruar, në ceremoninë e varrimit të 35-vjeçarit Kaçifas “nderin për viktimën” e morën nacionalistët ekstremistë grekë, një pjesë e të cilëve ithtarë të partisë ekstreme të Agimit të Artë. Mes personave që morën pjesë në varrim dhe bënë thirrje irredentiste ishte edhe ekstremisti Babis Harallambos Karathano ekstremisti i njohur, i cili është kryetar i Bashkimit Qendror të Epirit të Veriut, bashkë me të në komisariatin e Gjirokastrës përfunduan edhe Thoma Stefos ish-anëtare e Këshillit të Përgjithshëm DEEEM Omonia, Christos Ntoutsi – ish zyrtari i Qarkut Upper Dropoli, Andrea Kourtis, drejtori i Komunës Heliopolis. Që të katër janë shoqëruar në polici, pasi në momentin që ktheheshin nga ceremonia e varrimit bllokuan aksin Gjirokastër-Kakavijë. Efektivët e grupit operacional kryen arrestimin e tyre dhe ka të dhëna se kanë hyrë në territorin shqiptar ilegalisht. Nuk dihet nëse do të procedohen për tubim të paligjshëm, bllokim të akseve nacionale dhe nxitje të urrejtjes etnike ose fetare. Deri në pasditen e mbrëmshme nuk ka patur njoftim për lirimin e tyre, por policia ka 12 orë kohë për t’i mbajtur të shoqëruar dhe nëse nuk ka prova për akuzat mund të lihen të lirë. Edhe pse nuk ka patur reagim zyrtar nga pala greke për situatën e krijuar, situata duket e tensionuar, kjo për faktin se ekstremistët grekë hodhën parulla antishqiptare dhe arritën deri në fyerje dhe dhunim të territorit shqiptar me shpalosjen e banderolave nacionaliste kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Varrim e klithje nacionaliste

Që në orët e para të mëngjesit dhjetëra autobusë dhe automjete private u dyndën nga Greqia drejt pikës së kalimit kufitar në Kakavijë. Disa prej tyre u ndaluan në kufi për shkak se mbanin flamuj, banderola, maska dhe bluza me mbishkrime për “Vorio Epirin” dhe parulla nacionaliste kundër Shqipërisë. Pavarësisht kontrollit, një pjesë e ekstremistëve grekë mundën që të shkonin në fshatin Bularat. Qetësia është prishur në momentin kur rreth orës 13:00 arkivoli me trupin e Kaçifas është nisur drejt varrezave. Në grup dhjetëra personazhe të ekstremit të djathtë grek kanë hedhur parulla antishqiptare, kanë bërë thirrje për kryengritje për të “fituar” atë që e konsiderojnë “Vorio Epirin”. Nuk janë mjaftuar vetëm me kaq, por drejt gazetarëve të medias shqiptare kanë lëshuar fyerje, ndërsa klithnin “Shqiptarë Largohuni! Kjo është Greqi”. Gjithçka u shpalos jo vetëm në objektivët e kamerave që transmetonin live nga Bularati, por edhe përballë politikanëve grekë e shqiptarë që janë të njohur për qëndrimet e tyre kundër vendit tonë dhe shpesh janë bërë pjesë e ekstremit të djathtë grekë. Një prej politikaneve ishte edhe eurodeputetja qipriote Eleni Theukaros që konsiderohet zëri më ekstrem kundër shqiptarëve në Parlamentin Europian.

Politikë me fatkeqësi…

Për minoritarët grekë, Kostandin Kaçafis është një hero, për strukturat e drejtësisë shqiptare një person me rrezikshmëri të lartë që qëlloi mbi policinë tonë dhe në shkëmbim zjarri mbeti i vrarë. Teksa pritej të kryhej ceremonia e varrimit në Bularat u mblodhën të gjithë dhe ata qëndronin në sheshin kryesor dhe pranë banesës së Kaçifas. Përveç flamujve grekë të vendosur në çdo rrugë, u shfaqën edhe simbole irredentiste, jo vetëm për të ashtuquajturin Vorio Epir, por edhe për Maqedoninë. Tetë priftërinj të ardhur nga Greqia kryen ritet mortore nën britmat e ekstremistëve, këngëve kundër shqiptarëve dhe britmave të tjera nacionaliste. Kjo shfaqje nuk i shqetësoi klerikët që vijuan ritet. Surpriza edhe më ekstreme ishte ruajtur për në fund, ku rreth 200 minoritarë dhe shtetas grekë të mbërritur enkas për këtë rast bllokuan për rreth 20 minuta aksin nacional Gjirokastër-Kakavijë. Ata qëndruan në rrugë duke shpalosur një flamur grek me simbole ekstremiste të Vorio Epirit. Pikërisht në këto momente duket se kanë ndërhyrë strukturat e policisë sonë duke shoqëruar katër organizatorët e këtij tubimi të paligjshëm. Pjesa tjetër kanë vijuar rrugën drejt pikës së kalimit Kufitar në Kakavijë dhe janë larguar. Për të mos agravuar situatën policia shqiptare nuk ishte e pranishme në Bularat, ndërsa informacione konfidenciale shprehen se gjithsesi situata monitorohej nga punonjës civilë dhe nëse do kishte trazira do kërkohej prania e strukturave të rendit. Pavarësisht thirrjeve mjaft të rënda të shoqëruara me fyerje kundër shqiptarëve (në tokën shqiptare), efektivët e policisë nuk kanë ndërhyrë për asnjë moment. Pjesa kryesore ishte përqendruar në pikën kufitare ku është kontrolluar çdo automjet dhe fizikisht personat e dyshimtë, kryesisht të rinj. Disa prej tyre janë gjetur me simbole të rënda kundër Shqipërisë dhe për këtë qëllim janë kthyer pas, duke mos i lejuar të futen në territorin tonë. Megjithatë flamujt me mbishkrime ekstremiste dhe thirrje antishqiptare u dëgjuan për disa orë në Bularat në një histerizëm të një pjese të nacionalistëve ekstremë grekë.

 

Qëndrimi i kryeministrave: 

Tsipras: “Ditë zie për familjen e atdheun”

Rama: Hienat përdhosën flamurin e tyre

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, në një intervistë për mediat greke është pyetur për varrimin e Kostandin Kaçifas, ku pati thirrje raciste antishqiptare. Tsipras u shpreh se sot është një ditë zie për familjen dhe Greqinë, dhe shtoi se shteti që ai drejton ka bërë gjënë e duhur që nga dita e parë e ngjarjes. “Sot është një ditë zie për homogjenët dhe për familjen, nuk do doja të bëja një koment të veçantë, sepse kuptoj ditët e zisë, kuptoj nënën e shkretë, prandaj dhe këto orë janë tepër të kuptueshme dhe zemërimi, hidhërimi, nervozizmi, nuk e kundërshtoj këtë. E vetmja gjë për të cilën ju siguroj është se Greqia veproi siç duhet, siç parashikohet në raste të tilla”-citohet Tsipras. Ai ka folur se për rastin konkret të vrasjes së Kaçifas është kërkuar bashkëpunim me autoritetet shqiptare për të zbardhur ngjarjen. Ai e ka veçuar ngjarjen, ndërsa ka qenë i vendosur që bisedimet do të vijojnë me Shqipërinë, si për të drejtat e minoritetit grek, ashtu edhe për ndarjen e detit, veçanërisht në përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike të Greqisë dhe këmbëngul në marrëveshjen që Greqia shtrihet nga 6 milje detare në 12 milje me Shqipërinë. “Hapi tjetër në këto negociata është të sigurojmë se do të atribuohen të gjitha këto të drejta te homogjenët tanë. Ne do të vazhdojmë dialogun! Një tjetër objektiv është të përcaktohet Zona Ekonomike Ekskluzive e Greqisë, vija ndarëse detare, që për mua është shumë e rëndësishme. Domethënë, përveç shtrirjes të ujërave territoriale 12 milje, do përcaktohet dhe zona ekskluzive ekonomike me Shqipërinë”-përfundoi Tsipras. Pak minuta më pas, jo krejtësisht në përgjigje të deklaratës së Tsipras, kryeministri ynë nuk ka zgjedhur të bëjë deklaratë në ndonjë media serioze, por i është përgjigjur një komentueseje në faqen e tij në Facebook. “Ndërhy zoti Rama të lutem, sepse u fëlliqëm si shtet, vjen greku na provokon, tregoja vendin dhe tregoja vlerat tona si komb”-shkruan një nga komentuesit, ndërsa Rama në përgjigjen e gjatë të tij flet për miqësi mes dy vendeve, por veçon disa ekstremistë që për kreun e qeverisë thjesht “përdhosën flamurin e tyre”. Në përgjigje të komentit Rama shprehet: “Vlera jonë sot? Pikërisht ajo që disave këtu u duket gabimisht si dobësi. Shteti ynë s’lufton as me arkmorte dhe as me provokatorë varrimesh. Kush erdhi për të provokuar, hyri, turpëroi veten e flamurin e tij dhe iku. Patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhën e tij, po të duash vendin e gjuhën tende”, shkruan Rama. Ndër të tjera kryeministri veçon ngjarjen nga popullsia e Bularatit apo minoriteti grek në Shqipëri. “Dhe zotrote mos e përdor termin “greku”, se është po kaq e neveritshme sa kur të pagdhendurit në anën tjetër, thonë “shqiptari”! Minoriteti grek, njerëzit e mirë të minoritetit e të Bularatit, nuk janë “greku”, po janë qytetarë të respektuar e të pazëvendësueshëm të Shqipërisë”, komentoi kryeministri Rama. Ai i ka konsideruar si: “ca të pagdhendur, që jetojnë si hiena e këndojnë si korba! Janë qenie të mjera që përdhosin të vdekurin që me demek respektojnë dhe ulin dinjitetin e flamurit të kombit të tyre – një komb që i ka dhënë shumë njerëzimit; një popull që s’ka qenë e s’mund të jetë kurrë armiku ynë; një vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë, njësoj siç kanë gjetur grekët strehe tek ne dhe që edhe ai, si çdo vend, ka taksiratin të ketë derrat e gomerët e vet”, përfundon reagimin e tij kryeministri Edi Rama.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Finalistët e çmimit Kadare 2018, dorëshkrimet reflektojnë: Njeriun e kohës dhe shkrimtarët e pafuqishëm

Të dielën në mbylljen e Ditëve Letrare të Razmës, do të shpallet...
Read More