Historia e fillimit të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri

Nisja e fillimit të elektrifikimit të qyteteve shqiptare dhe ngritja e hidrocentralit të parë në Shqipëri. Kush ishin prodhuesit dhe shpërndarësit më të mëdhenj të energjisë. Planet e italianëve për zhvillimin e sektorit energjetik shqiptar dhe niveli i prodhimit të energjisë elektrike deri në fund të Luftës së Dytë Botërore  

Nga Adi DarsiRevista Mapo

Në fund të shekullit XIX kudo në botë  prodhimi i energjisë me avull nuk po i përgjigjej më kërkesave të industries. Ishte kjo ndër arsyet kryesore që në shumë vende filloi elektrifikimi në masë. Në Shqipëri një proces i tillë ka ardhur më e pakta 30 vjet me vonesë. Industria e prodhimit të enegjisë daton në mesin e dhjetëvjecarit të tretë të shek XX. Zhvillimi i saj ndonëse i vonuar, ishte i favorizuar dhe kishte mundësi të mëdha natyrore për t’u zhvilluar në raport me teritorin dhe popullsinë. Burimet hidrike që mund të shfrytëzoheshin për prodhim energjie ishin të shtrira në të gjithë sipërfaqen e vendit. Lumenjtë Drin, Mat, Vjosë, Bistricë, Shkumbin, Kir, etj. përbënin një bazë të fuqishme ku mund të ngriheshin dhjetra hidrocentrale të mëdhenj e të vegjël. Në fakt vendi zotëronte një rezervë kolosale energjitike të padhfrytëzuar fare deri në atë kohë. Nafta, qymyrguri, vendburimet e gazit, që përmbante nëntoka ishin po ashtu një burim tjetër i fuqishëm lënde djegëse për ngritjen e centraleve elektrike termike. Në vend kishte po ashtu rezerva të mëdha mineralesh nëntokësore si naftë, bitum natyral, krom, hekur-nikel, bakër e shumë minerale të tjera, shfrytëzimi i të cilave do të ishte i pamundur pa energjinë elektrike. Nevojat për energji ishin po aq të mëdha edhe për zhvillimin e industrisë agropërpunuese. Ngritja e punishteve e fabrikave të para, nga njëra anë, por edhe rritja e qyteteteve, nga ana tjetër, e nxitën krijimin dhe zhvillimit e industrisë së prodhimit të energjisë elektrike qoftë për prodhim ashtu edhe për ndriçim.

Fillimet e elektrifikimit

Konçesionet e para për prodhimin dhe ngritjen e industrisë elektrike kanë filluar të jepen në mesin e viteve 20 të shekullit të kaluar. Hapat e para në këtë drejtim janë hedhur në qytetet e Korçës, Tiranës, Vlorës, Durrësit, Shkodrës etj. Në Korçë konçesioni i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike ju dha Shoqërisë së Përgjithëshme Elektrike, në vitin 1925. Kapaciteti fillestar i centralit elektrik ka qenë 100 kuaj fuqi. Më vonë kjo shoqëri ka ngritur një hidrocentral në Vithkuq, i cili është hidrocentrali i parë në Shqipëri. Edhe në qytetin e Durrësit ngritja e industrisë elektrike ka filluar mjaft shpejt në krahasim me disa qytete të tjera të vendit. Bashkia e këtij qyteti që në vitin 1926 filloi punimet për ngritjen e një centrali elektrik dhe rrjetit të shpërndarjes. Instalimi i motorave elektrikë i është dhënë në sipërmarrje shoqërisë çekosllovake “Çeskomoravska Kolbendanek” të Pragës, e cila në vitin 1927 i kishte kryer të gjitha punimet dhe më 28 nëntor të atij viti është bërë përurimi i centralit. Në Tiranë konçesioni i prodhimit dhe i shpërndarjes së energjisë elektrike i është dhënë S.I.T.A (Shoqëria Industriale Tregëtare Shqiptare), në shtator të vitit 1927. Sipas marrëveshjes konçesionare, kapaciteti fillestar i centralit elektrik që do të ndërtonte kjo shoqëri duhej të ishte 350 kuaj fuqi. Dy vjet më vonë në Tiranë është dhënë edhe një tjetër koncesion për prodhim dhe shpërndarje të energjisë elektrike në periferi të qytetit, i fituar nga S.E.S.A (Shoqëria Elektrike Shqiptare Anonime). Në qytetin e Shkodrës prodhimi i energjisë elektrike fillon më 1928. Tregtari shkodran Ndrek Kaçulini, në bashkëpunim me përfaqësinë e shoqërisë italiane S.E.I.A. (Societa Elettrica Italo-Albanese) me qendër në Itali, instaloi një motor të sjellë që më parë nga austro-hungarezët, të markës Deutz 40 kuaj fuqi me benzinë, dukë shënuar fillimet e elektrifikimit në qytetin verior. Më vonë konçesionin e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në qytetin e Shkodrës e merr kompania italiane S.E.I.A.

Prodhuesit e koncensionarët

Nevoja për energji elektrike që ishte risia më e madhe e kohës bëri që në vend në pak vite të lindnin dhe zhvilloheshin kompanitë e para të prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë. Ata ishin investime të sipërmarrësve shqiptarë por edhe të kapitalit të huaj e sidomos atij italian që në pak vite bëhet zotërues në këtë treg. Më poshtë janë shtatë prodhuesit dhe shpërndarësit më të mëdhenj që energjinë elektrike që për veç se për nevoja prodhimi e përdorën atë edhe për ndricimin e qyteteve kryesore të vendit.

STAMLES (Shoqëria Tregëtare Anonime për Monopolin e Letrave dhe Shkrepseve) e krijuar në mars 1923 nga një grup sipqërmarrësish shqiptarë të kryesuar nga Isuf Beshiri. Qendrën e kompanisë ishte në qytetin e Durrësit. Ajo ishte njëra nga shoqëritë e para aksionere shqiptare me kapital vendas që zhvillonte aktivitete të gjëra industriale dhe tregëtare si ushtrimi i monopolit të letrës së cigareve e shkrepsave, në prodhimin e duhanit kaush e të cigareve, në prodhimin e shitjen e energjisë elektrike etj.

Shoqëria e Përgjithëshme Elektrike e Korçës. Është krijuar më 1925, nga një grup kapitalistësh shqiptarë, ndër të cilët Llambi Mano, Pando Mulla, Llambi Bimbili, Vëllazën Qirjako, Mihal dhe Vasil Fundo, Selim Mborja, etj. Qendra e saj ishte në qytetin e Korçës. Kjo shoqëri është ndër të parat kompani me aksionerë shqiptarë e specializuar për prodhimin dhe shpqrndarjen e energjisë elektrike.

SITA (Shoqëria IndustriaIe Tregëtare Shqiptare) është krijuar në vitin 1927 nga një grup sipërmarrësish shqiptarë të kryesuar nga Aleksandër Hobdari, me qendër në Tiranë. Kishte dy drejtime kryesore të aktivitetit të saj: prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e kripës në gjithë teritorin shqiptar dhe prodhimin e shitjen e energjisë elektrike në qytetin e Tiranës. Ka qenë ndër të parat shoqëri aksionere të krijuara në Shqipëri. Aksionerë kryesorë të saj kanë qenë edhe Koço Kota, Milto Tutulani, Pandeli Vangjeli, Xhemal Vrioni e tjerë individë me peshë në ekonominë dhe politikën e vendit.

SESA (Shoqëria Elektrike Shqiptare Anonime). Krijimi i kësaj shoqërie është aprovuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe Dekret Mbretëror më 1929. Qendra e saj ka qenë në Tiranë. Është krijuar me kapital Italian dhe ishte shoqëri italiane e specializuar në sektorin elektrik në Shqipëri dhe që kishte lindur si një bijë e shoqërisë së mëparshme italiane SEIA (Societa Elettrica Italo-Albanese) që e kishte nisur aktivitetin që në vitin 1927 dhe që e kishte qendrën në Itali.

AIPA (Azienda ltaliana Petroli Albania). Ndërmarrja AIPA është krijuar në vitin 1925 nga shteti italian për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës në Shqipëri. Me qëllim që t’i jepte një zhvillim të gjithanshëm veprimtarisë së saj dhe për të ulur shpenzimet e kërkimit dhe prodhimit, kjo ndërmarrje ngriti industrinë e saj elektrike. AIPA ishte njëra nga ndërmarrjet më të mëdha italiane në Shqipëri. Në vitin 1936 ajo përfundoi ngritjen e centralit elektrik me 3 grupe gjeneratorësh e me një kapacitet prej 2.400 kuaj fuqi në Kuçovë dhe më pas ngriti edhe një central të vogël në Patos. Sipas të dhënave të ish Bankës Kombëtare të Shqipnis, në vitet e pushtimit centrali i Kuçovës e shtoi kapacitetin në 4.200 kuaj fuqi ndërsa centrali i Patosit ishte me kapacitet 350 kuaj fuqi.

SIMSA (Societe Italiana delle Miniere di Selenizza) Është shoqëri italiane, e krijuar në vitin 1918 me qendër në Romë që mori me konension shfrytëzimin e minierës së bitumit në Selenicë. Vite më vonë ajo mori edhe konçesionin për kërkimin e bakrit në Rubik. Për nevojat e saj të prodhimit dhe pjesërisht edhe për ndriçim shoqëria ngriti centrale elektrike në të dy minierat e mësipërme.

Societe Anonime Francaise des Huileries-Savonneries de l’Adriatique (Shoqëria Anonime Franceze e Fabrikave të Vaj-Sapunit të Adriatikut) është një shoqëri e ngritur nga kapitali francez më 1929 me qendër në Paris. Ajo përvec ngritjes së industrisë së vajit të ullirit në Elbasan bëri përpjekje edhe për të marrë nga Bashkia konçesionin e elektrikut për ndriçimin e qytetit. Ajo e fitoi atë konçesion, por nuk arriti ta zbvillonte pasi në vitin 1933 e mbylli aktivitetin e saj në Shqipëri.

Të gjitha koncensionet për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike jepeshin në bazë të marrëveshjeve që bënin shoqëritë përkatëse me bashkitë e qyteteve të ndryshme dhe më pas miratoheshin në Këshillin e Ministrave. Në vend ka patur edhe shumë central të tjerë të vegjël nëpër qendrat minerale dhe ndërmarjet industriale që prodhonin energji elektrike për nevojat e veta. Po ashtu edhe në Burrel, ka patur një central i cili është shkatërruar gjatë viteve të luftës. Ndërkohë qendra të tjera të vendit si Lezha, Kukësi, Peshkopia, Librazhdi, Skrapari, Gramshi etj. nuk kishin energji elektrike në atë kohë, ndërsa për shtrirjen e shpërndarjes së saj në fshatra nuk bëhej fjalë fare.

KONCENSIONARËT E ENERGJISË ELEKTRIKE 

  1. Berati SESA 1930                                  2 vjet
  2. Durrësi qytet STAMLES 1934            25 vjet
  3. Durrësi periferi SESA 1932                10 vjet
  4. Elbasani Vërlaci-Beça 1934                15 vjet
  5. Fieri SESA 1931                                     5 vjet
  6. Gjirokastra SESA 1931                         5 vjet
  7. Kavaja SESA 1931                                 2 vjet
  8. Korça SHPE 1925                                 15 vjet
  9. Saranda SH.A 1928                              20 vjet
  10. Shkodra SESA 1930                             10 vjet
  11. Tirana qytet SITA 1927                        20 vjet
  12. Tirana periferi SESA 1930                  10 vjet
  13. Vlora SESA 1930                                   2 vjet
  14. Kuçova AIPA –                                       –
  15. Lushnja Ali Duma –                              –
  16. Pogradeci Xh. Starova –                       – 

Planet e italianëve

Industria e energjisë elektrike në Shqipëri bëhet e tillë me plot kuptimin e fjalës pas ndërhyrjes së italianëve në këtë treg. Për të realizuar qëllimet e tyre të ekspansionit në Shqipëri italianët që më 1927 ngritën kompaninë SEIA (Societa Elettrica Italo-Albanese) me qendër në Romë dhe që ishte e specializuar vetëm për tregun energjetik të Shqipërisë. Dy vjet më vonë kjo kompani krijon bijën e saj SESA-n (Shoqëria Elektrike Shqiptare Anonime),e cila tashmë e kishte qendrën në Tiranë. Që në vitin 1930 SEIA dhe SESA nisi studimet për ngritjen e një hidrocentrali mbi lumin Kir, projekti i të cilit u përfundua në vitin 1939. Italianët bënë edhe studime të tjera, midis të cilëve ai i burimit në Izvor në Dukat të Vlorës ku patën planifikuar ngritjen e një hidroçentrali me fuqi prej 500 kuaj fuqi. Po ashtu ata bënë edhe një studim mbi burimin e Libohovës ku parashikohej të ndërtohej një hidrocentral me fuqi nga 160 deri në 450 kuaj fuqi me të cilin mendonin të furnizonin me energji Libohovën, Gjirokastrën dhe fshatrat ndërmjet tyre. Po ashtu italianët në dhjetëvjecarin 1930-1940 kanë projektuar ndërhyrjet e elektrifikimit edhe në qendra të tjera të vendit si në Lushnje, Bilisht, Delvinë, Leskovik, Krujë, Bulqizë e Përmet. Nga ana tjetër italianët nuk i kanë reshtur përpjekjet për të marrë në zotërim prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë edhe në ata qendra ku ishte ngritur tashmë kjo industri. Në vitin 1939 SESA kishtë në duart e saj plotësisht ose pjesërisht industrinë elektrike në qytetet: Tiranë (periferi), Shkodër, Vlorë, Fier, Berat, Kavajë e Gjirokastër. Pas pushtimit SEIA dhe SESA e zgjeruan më tej aktivitetin në gjithë qendrat ku zotëronin industrinë elektrike dhe shtuan kapacitetin e centraleve elektrike në Shkodër, Vlorë, Tiranë e Berat. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 1942, SESA u ka propozuar shoqërive elektrike shqiptare si STAMLES dhe Shoqërisë së Përgjithëshme Elektrike të Korçës të krijonin një trust shqiptar për industrinë elektrike me emrin ELEKTRALBA që do të ndërmerrte një program të plotë për hidro elektrifikimin e Shqipërisë dhe ku pala shqiptare do të kishte 49 për qind të aksioneve dhe italianët 51 për qind. Por ky propozim nuk u bë realitet pasi grupi shqiptar kërkonte kuota të barabarta. Interesant është fakti që del nga dokumetet e kohës se që atëherë italianët e kishin ndarë Shqipërinë energjetike në tre zona, të cilat përfërsisht kanë mbetur edhe sot: zona e veriut që përfshinte Shkodrën dhe periferitë saj, zona e qendrës që përfshinte Tiranën, Durrësin, Shijakun dhe Kavajën si edhe zona e jugut ku përfshihej Vlora, Fieri, Berati e Gjirokastra me rrethinat e tyre.   

Kapaciteti prodhues

Pavarësisht se flasim për zhvillim të shpejtë të kësaj industrie vecanërisht në dhjetëvjecarin 1934-1944, prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri ishte në nivele ende shumë të ulta krahasuar me vendet e tjera përreth. Sipas të dhënave të kohës rezulton që në vitin 1939 në Shqipëri prodhohej 9 kilovat orë energji për frymë në një kohë që ky tregues mesatar në Turqi po atë vit ka qenë 18 kilovat orë energji për frymë, në Greqi 60 kilovat orë energji për frymë, në Rumani 72 kilovat orë energji për frymë, në Jugosllavi 75 kilovat orë energji për frymë për ta mbyllur me Italinë ku atë vit është prodhuar 357 kilovat orë energji për frymë. Bazuar në të dhënat e kohës rezulton po ashtu se në vitin 1939 kompania italiane SESA ka shpërndarë në qytetet Shkodër, Tiranë, Vlorë, Berat, Fier, Gjirokastër dhe Kavajë, pak më shumë se 1 milion kilovatorë energji elektrike, nga e cila rreth 766.400 kilovatorë janë përdorur për ndriçim, ndërsa rreth 277.600 kilovatorë janë përdorur për nevojat e prodhimit. (Për krahasim vlen të kujtojmë se sot në Shqipëri konsumohen 18-24 milion kilovatorë energji në 24 orë). Për të kuptuar gjithashtu nivelin e ulët të prodhimit sjellim edhe një të dhënë tjetër vetëm për qytetin e Korçës. Në periudhën 1 maj 1934 deri më 30 prill 1935  Shoqëria e Përgjithëshme Elektrike e Korçës ka shpërndarë vetëm 560 mijë kilovatorë energji elektrike, nga e cila rreth 350 mijë kilovatorë janë përdorur për nevojat e prodhimit dhe pjesa tjetër për ndriçim. Sipas të dhënave studimore të Bankës Kombtare të Shqipnis në fund të vitit 1943 në vend operonin 203 ndërmarrje dhe fuqia e përgjithëshme për prodhimin e energjisë elektrike llogaritej rreth 30.000 kuaj fuqi ose e shprehur ndryshe 22.3 MW, një fuqi e barabartë me prodhimin e sotëm të HC të Shkopetit mbi lumen Mat. (1 kalë fuqi i barabartë me 0.745 kilovat).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Berisha nuk ka kujt t’i flasë

Nga Armand Shkullaku Partia Demokratike gjendet sot në udhëkryqin më të madh...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *