Historia e njenës nga ato

Mirela MiloriNga Mirela Milori*

Dhuna është kthyer në një bashkudhëtare të jetës së shumëkujt në familjet shqiptare, duke prodhuar krime nga më të tmerrshmet. Milori shkruan mbi nevojën për të reflektuar dhe gjetur mënyrën për ta bërë shtetin dhe shoqërinë të gjejë zgjidhje.

Prapë me dhunën…?! Kështu do të mërmëris dikush që do të lexoj titullin e shkrimit dhe do të shohë foton time pranë tij! “Nuk kanë punë tjetër, por të merren me dhunën, sikur vetëm tek ne ndodh…”, do të shkrofëtij bezdisur dikush tjetër, duke kthyer faqen e gazetës menjëherë. Natyrisht, që lajmi ka kaluar, kanë kaluar “3 ditët magjike që çudia zgjat”, dhe ne jemi në rutinën e përditshmërisë. Por në fakt historitë që nisën javën, janë shumë më shumë se mendimi parazit i kafeneve të Tiranës, apo mendimi i betonuar te gjërat e rëndësishme në këtë vend, siç janë Vettingu, Gjykata Kushtetuese, Meta-Rama-Berisha- Basha etj. etj…!

Në fakt krime brenda familjes ndodhin kudo, dhe kur mendja njerëzore shket nga normaliteti, prodhon horror dhe tmerre të pakuptueshme nga mendim racional. Por nëse në vendet e zhvilluara këto krime ndodhin pikërisht e kryesisht si pasojë e çrregullimeve mendore që dinë të tejkalojnë edhe masat mbrojtëse të sistemit, tek ne sistemi shtetëror parandalues është impotent, dhe thuajse nuk ekziston. Pse?

Në Kodin e Familjes, ka kapituj dhe nene që saktësojnë qartë statusin e prindërve problematikë, dhe sidomos statusin e fëmijëve që rriten në familje me probleme. Shteti ka autoritetin të prindërojë të miturit deri në moshën 18 vjeç, kur familja gjenetike nuk gëzon aftësinë e prindërimit. Raste fëmijësh që shohin se si nëna vritet, apo që tragjikisht, humbin edhe jetën si pasojë e defektit mendor të njërit prej prindërve, janë viktima të drejtpërdrejta të moszbatimit të Kodit të Familjes në vendin tonë. Kodi i Familjes shkelet me dy këmbë për fëmijët e familjeve ku ushtrohet dhunë, Kodi shkelet edhe sot me fëmijët që nga rruga tani fshihen cepave apo vijnë si pa ndjerë në tavolinat e lokaleve për të lypur, shkelet dhe nuk zbatohet pasi mjafton një pyetje e forcave të policisë dhe një vëzhgim më i thellë i tyre për të kuptuar nëse prindërit janë trafikantët e këtyre fëmijëve që i nxjerrin për të lypur, janë të paaftë mendërisht, apo kanë ndonjë paaftësi tjetër…?! Dhe këtu duhet të nisë zinxhiri shtetëror që kalon nga Ministria e Brendshme, te Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me shoqatat e pafund të grave e fëmijëve. Pra, duhet shteti i pari të zbatojë ligjin, e pastaj të ndihmojmë ne të tjerët si shoqëri me solidaritetin apo ndërhyrjen në momentet e duhura! Por kjo nuk ndodh! Sepse, kjo është një temë e lodhshme, e mbi të gjitha, sepse përfituesit e zbatimit të ligjit, janë njerëz të varfër, të dhunuar, të pashkolluar mjaftueshëm, që ndoshta nuk dinë të kërkojnë saktë të drejtën që nuk ua jep shteti i tyre, por mbyten në lotët e dhimbjes e hallit, pa guxuar të b’zajnë…! Dhe për sa kohë ngjarje të tilla do t’i shohim në kontekstin e lajmeve të bezdisshme që na prishën kafen e fundjavës, histori si ajo e Liljanës apo Marselës, do të kalojnë thjesht: si historia e njenës nga ato..!

*Gazetare

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si u ngrit kompania më e madhe e shitjeve online në Shqipëri

Nga Valer Pinderi*  Gjithmonë kam menduar se Shqipëria është një vend mundësish...
Read More