Historia e pallatit që trazoi politikën dhe drejtësinë

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dënoi Qeverinë shqiptare të paguajë mbi 13 milionë euro për të kompensuar pronarët e ish-kompleksit “Jon”, që u prish nga IKT në dhjetor 2013.

Vetëm pak muaj pasi kishte ardhur në pushtet, një nga vendimet e forta të qeverisë “Rama 1” ishte edhe shembja e disa ndërtesave me shpërthime të kontrolluara. 14 dhjetor 2013. Në vetëm pak çaste u finalizua shpërthimi që shënoi edhe fundin e operacionit disaditor për shkatërrimin e kompleksit “Jon” në zonën e Ujit të Ftohtë në qytetin e Vlorës. Pesë vjet më vonë, 400 kilogramët e eksplozivit të tipit c4 që u përdorën atëherë konfirmohet t’u kenë shkaktuar taksapaguesve shqiptarë një faturë prej më shumë se 13 milionë euro.

Vendimi i Strasburgut

Pallati, i ndërtuar nga vjehrri i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tek “Uji i Ftohtë” u hodh në erë për t’i hapur rrugë ndërtimit të “Lungomares”. Por Gjykata e Strasburgut thotë se Qeveria ka vepruar në mënyrë të paligjshme duke e dënuar atë të paguajë 13.1 milionë euro, përfituesi kryesor i të cilëve është Xhafer Isufi, vjehrri i zotit Basha, por mes atyre që marrin dëmshpërblim është edhe avokatja e popullit, Erinda Ballanca, që kishte blerë apartament te ai kompleks. Vendimi, i cili është një goditje jo e vogël për buxhetin e shtetit, e detyron Qeverinë që ta paguajë dëmshpërblimin brenda tre muajsh, në të kundërtën për çdo ditë vonesë do të llogariten interesa. Sipas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, qeveria ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe për këtë duhet të paguajë rreth 14 milionë euro bashkë me shpenzimet procedurale. Këto para do të paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, ndërkohë që askush nga zyrtarët përgjegjës për lejen e ndërtimit dhe prishjen e pallatit më pas, nuk do të mbajë përgjegjësi.

Odiseja ligjore

Në tetor të vitit 2013, vetëm një muaj pasi Edi Rama kishte ardhur në pushtet, inspektorati i territorit izoloi pallatin e ngritur anës detit, duke mos lejuar pronarët të hynin në apartamentet e tyre. Leja për këtë pallat ishte dhënë nga ish-kryebashkiaku socialist Shpëtim Gjika dhe ishte një nga arsyet që ndikoi në përkeqësimin e marrëdhënieve mes Shpëtim Gjikës dhe kryeministrit Rama. Në 27 nëntor 2013 qeveria nxori me urgjencë një vendim për të dëmshpërblyer banorët me një fond total prej 3.4 milionë euro dhe vetëm një javë më vonë, pallati u shemb përmes shpërthimit. Në muaj më vonë, banorët e apeluan vendimin në Gjykatën e Vlorës duke kërkuar një dëmshpërblim më të lartë. Në mars të vitit 2014, Gjykata e Vlorës konsideroi vendimin e qeverisë si të paligjshëm dhe e rriti dëmshpërblimin nga 3.4 milionë euro në 11.6 milionë. Ky vendim u apelua menjëherë nga qeveria në gjykatën e lartë. Gjykata e Lartë pas kërkesës së qeverisë e ngriu vendimin e Gjykatës së Vlorës dhe pezulloi dëmshpërblimin. Pas këtij vendimi, banorët në prill të vitit 2016 iu drejtuan Gjykatës së Strasburgut. Ndërkohë i vetmi i pandehur për dhënien e lejes së ndërtimit të pallatit ishte ish-drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Vlorë për të cilin Prokuroria kërkoi 2 vjet burg. Sipas akuzës ish-drejtori i Urbanistikës, Odhise Zoto ishte kundër ndërtimit të pallatit në zonën e “Ujit të Ftohtë”, por në mbledhjen e KRRT-së votoi pro miratimit të lejes së ndërtimit. Prokuroria doli në konkluzionin se shkelja e detyrës nga ana e të pandehurit konsistonte faktin që kërkesa e subjektit nuk duhej të kalonte për shqyrtim në KRRT prej tij, pasi pozicioni i tij është filtri kryesor për kërkesat që shqyrtohen nga KRRT.

Shpjegimi i kryeministrit

Në fillim të mandatit të dytë të Ramës në media u publikua lajmi se qeveria po kompensonte pallatin e “vjehrrit të Bashës”. Por çfarë thoshte kryeministri pasi u pyet në një nga intervistat e tij në media në shtator 2017. “Kjo është e pavërtetë dhe më vjen keq që kazani mediatik prodhoi një tjetër broçkull. E vërteta është ndryshe. Ne kemi ndërmarrë një proces normal shpronësimi në kohën kur u zhvillua gjithë ajo zallahia për prishjen e asaj godine. Shifra është kontestuar nga pala e dëmtuar. Kontestimi i palës ka rënë në duart e një gjykatësi që është shumë i njohur për vendime skandaloze rritjesh të çmimeve të shpronësimeve të qeverisë, që ka arritur në pikën që të japë një vendim ekzemplar duke ndaluar shpronësimin për interes publik të një karburanti mu në aksin e Lungomares në Vlorë. Ky gjykatës ka katërfishuar vlerën e shpronësimit dhe procesi vazhdon në gjykatën e lartë. Nuk është lëvruar asnjë para sepse procesi vazhdon. Ky akt është krejtësisht në kundërshtim me çdo sens logjik dhe ligjor. Pala ka shkuar në Strasburg dhe atje është ankuar që nuk po na japin paratë, ndërkohë që nuk ka përfunduar procesi”, deklaronte Rama në shtator.

Historia e pallatit

Ndërtimi i njohur si kompleksi “Jon” në zonën e Ujit të Ftohtë, u ndërtua nga shoqëria “GB-a konstruksion” sh.p.k, në truallin në pronësi të shtetasve Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi. Toka në fjalë u ble nga dy bashkëpronarët më 11.11.2009 dhe pas disa muajsh, pronarët e truallit kanë lidhur kontratën noteriale me shoqërinë “GB-a konstruksion” sh.p.k, me objekt të kontratës ndërtimin e një godine banimi dhe shërbimi me disa kate, sipas lejes që do të merrej nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë. “Pasi dokumentacioni përkatës është paraqitur në Zyrën e Urbanistikës së Bashkisë Vlorë, më datë 14.07.2010 është zhvilluar në Bashkinë Vlorë mbledhja e Këshillit Teknik ku janë marrë në vlerësim një sërë studimesh urbanistike pjesore, midis të cilave edhe studimi urbanistik pjesor lidhur me truallin e shtetasve Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi, studim i cili është përgatitur nga autorët Artur Cakalli dhe Renato Barbullushi. Në mbledhjen e KRRT-së të zhvilluar më 17 gusht të vitit 2010 është vendosur miratimi i destinacionit të sheshit të ndërtimit dhe kondicioneve urbane të tij, lidhur me ndërtimin në truallin e shtetasve Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi.

Reagimi, Erion Braçe: Paraja te paratë shkon apo jo Lul?!

I vetmi reagim nga mazhoranca pas vendimit të Strasburgut ka qenë ai i deputetit Erion Braçe, i cili me anë të një statusi në FB, thotë se kjo është fatura e mungesës së drejtësisë. “14 milionë dollarë është çmimi i drejtësisë që mungon në këtë vend! Ishte e qartë nga fillimi: Prona mbi të cilën u ngrit pallati dyshohej se nuk ishte produkt i trashëgimisë, produkt i një transaksioni të ligjshëm, por prej falsifikimit! Nuk u hetua, gjykua, ndëshkua! Prona mbi të cilën u ngrit pallati u zgjerua mu brenda në det, në mënyrë të paligjshme e kriminale! Nuk u hetua, gjykua, ndëshkua! Leja për zhvillimin e një prone të tillë, domethënë ndërtimin e këtij pallati, u nxor përmes shantazhit kriminal-PD për këtë qëllim bllokoi këshillin bashkiak të Vlorës ditët kur duhet të miratonte buxhetin, duke shantazhuar një qytet të tërë. Nuk u hetua, gjykua, ndëshkua! Prona e re dyshohej se u regjistrua në kundërshtim të qartë me ligjin, pa lejen e shfrytëzimit-dokument bazë, njësoj si prona në themel të pallatit. Nuk u hetua, gjykua, ndëshkua! Nëse do ishte hetuar, gjykuar, ndëshkuar, por mbi të gjitha nëse do ishte verifikuar origjina e parave që u investuan aty, historia nuk do ishte kjo. 14 milionë dollarë nga paratë e tua dhe kujtdo tjetër në këtë vend, janë kostoja e drejtësisë që mungon në këtë vend!”, përfundon reagimi i deputetit Braçe.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse nuk po e shohim problemin e madh te vdekja e shoferit të Xhafajt

Nga Enton Palushi Një vdekje që po ngjall shumë diskutime, por që...
Read More