fbpx

Kryesore

Historia e publikimit të një fotoje: Pse u dhunua Adi Krasta…






               Publikuar në : 08:06 - 06/06/18 |
mapo.al

Gazetari dhe moderatori i njohur Adi Krasta ka publikuar një foto të viteve ’90 kur shfaqej me sy të nxirë në drejtimin e spektaklit “12 vallëzime pa një të shtunë”.


Fotoja u publikua dje nga Krasta në profilin e tij në “Instagram” në kohën kur në media shfaqej debati në Kuvend për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Bledi Kasmi. Incidenti që shkaktoi edhe ushtrimin e dhunës ndaj Krastës ishte një ngjarje e bujshme e viteve ’90, kur për herë të parë një moderator i guximshëm dhunohej për vetëm një kompliment që bëri gjatë spektaklit “12 vallëzime pa një të shtunë”.



“Panorama” kontaktoi me gazetarin Adi Krasta për domethënien fotos së publikuar prej tij në rrjetet sociale, në lidhje me kontekstin e saj dhe mbi incidentin që shkaktoi atë shenjë në syrin e moderatorit që u komentua gjatë në vitet ’90.

Krasta ka pranuar se fotoja u publikua prej tij, por ka theksuar se duhet të jetë publiku vetë ai që duhet ta interpretojë foton.

“Nuk dua të bëj asnjë koment lidhur me këtë foto, unë kam postuar edhe foto të tjera në profilin tim dhe kjo ishte një foto e radhës. Janë foto të vjetra që unë i ruaj në telefon dhe nuk kishte ndonjë qëllim të caktuar. Nuk dua të bëj asnjë koment, e di që është bërë lajm dhe unë nuk dua të bëj lajm mbi lajm. Publiku është i lirë ta interpretojë vetë atë foto”, ka deklaruar Krasta për “Panorama”.

NGJARJA

Në fillim të viteve ’90 një program i quajtur “12 vallëzime pa një të shtunë” nën drejtimin e Adi Krastës dhe Valbona Çobës ndryshoi perceptimin mbi televizionin dhe theu shumë tabu për kohën. Në një prej këtyre mbrëmjeve, Adi Krasta me një formë të re prezantimi të pakrahasuar me asnjë prej prezantuesve të kohës “guxon” dhe komplimenton një prej vajzave të publikut, të cilën e ftoi në skenë.

Komplimenti miqësor i moderatorit nuk u pranua qetësisht nga partneri i vajzës së komplimentuar nga Adi Krasta. Pak ditë pas shfaqjes së spektaklit në ekran, Krasta dhunohet nga një prej atyre që rëndom në atë kohë njihej si i “fortë”, i cili kishte edhe një lidhje me vajzën e publikut.

Ngjarja mori vëmendje të madhe, ndërkohë që qeveria e kohës vendosi të marrë në mbrojtje moderatorin e njohur, duke i siguruar edhe shoqërimin me truproja të Gardës së Republikës.

Atëherë kur pritej edhe qëndrimi që Krasta do të mbante lidhur me këtë episod të pakëndshëm, moderatori vendosi të shfaqej menjëherë në puntatën e radhës, duke mos tentuar të fshehë shenjat e dhunës.


Etiketa: , ,

Pas