Historia politike e bulevardit të ri

1Odiseja 87-vjeçare e bulevardit të Tiranës, nga projekti i 1930-ës i arkitektëve italianë Florestano de Fausto dhe Armando Brasini, lënia në harresë nga komunizmi, prezantimi nga Rama në 2011, fillimi i punimeve nga Basha, bllokimi nga qeveria aktuale e deri te dita e djeshme, ku u vendos pllaka e parë

Nga Nevila Perndoj

Për gati dy dekada, ajo ishte ëndrra e tij në sirtar për Tiranën. U lëkund në 2005-ën kur në qeveri erdhën demokratët dhe nisën përplasjen me projektet e tij si kryebashkiak.

Ajo u venit në 2011 kur dorëzoi edhe bashkinë. Por rrota u kthye sërish në ato kohëra të vjetra.

Ai është kryeministër dhe në Bashkinë e Tiranës ka një nga njerëzit e tij më të besuar.

Edi Rama veshi dorezat dhe vuri pllakën e parë në bulevardin e ri të kryeqytetit, inaugurimi i së cilës kishte filluar më shumë se tre vjet më parë, në kohën kur në krye të bashkisë ishte Lulzim Basha.

Punimet e Bulevardit Verior do të krijojnë një zgjatim natyral të bulevardit ekzistues, duke krijuar një arterie me gjatësi 1600 m dhe gjerësi 70 m, me pikënisje nga ish-stacioni i trenit e përfundim te lumi i Tiranës.

Ndërhyrja konsiston në punime inxhinierike, infrastrukturën nëntokësore, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, rrjetin infrastrukturor në dy galeritë nëntokësore përgjatë seksionit të bulevardit, si dhe hapësirat për kalimtarët, transportin publik, ashtu si dhe bimësinë në të dyja anët e Bulevardit.

Një komponent i rëndësishëm është edhe ndërtimi i parkimit nëntokësor. Kombinimi i Bulevardit Verior, Parku Qendror, dhe Rehabilitimit të lumit të Tiranës synon shndërrimin e pjesës veriore të Tiranës në një zonë zhvillimi urbanistik dhe ekonomik.

Por cili është historiku i saj?

Gjithçka daton në vitin 1930 me projektimin e bulevardit ekzistues të Tiranës nga arkitektët italianë Florestano de Fausto dhe Armando Brasini.

Qysh në dizenjimin fillestar të bulevardit të Tiranës ishte projektuar që ai të vijonte zgjatjen drejt Lumit të Tiranës.

Projekti vijon pas vitit 1990 kur plani urbanistik i qytetit parashikonte zgjatimin e Bulevardit Zogu i Parë (që në atë kohë njihej me emrin Bulevardi Stalin), në përputhje me parashikimet e bëra prej dy arkitektëve italianë. Në vitin 2003, administrata e Edi Ramës zhvillon master-planin për qendrën e qytetit Tiranë, në bashkëpunim me studion franceze Architecture Studio.

Ky projekt hodhi themelet për zhvillimin e Bulevardit Verior të Tiranës, që do të konkretizohej vetëm në vitin 2011, sërish me Ramën kryebashkiak. Në prill të vitit 2011, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore,

në kërkim të mandatit të katërt, Rama prezantoi projektin për Lumin e Tiranës, pjesë e së cilës ishte edhe ai për ndërtimin e korridorit apo zgjatimit të bulevardit ekzistues nga stacioni i Trenit deri te Lumi i Tiranës. Ky prezantim zgjati rreth 10 ditë. Më pas gjithçka iu “fal” fushatës, për të ndryshuar rrotacioni në favor të së djathtës.

Në maj 2011 në krye të bashkisë erdhi Lulzim Basha me një nga premtimet e tij se do të ishte ai që do të inicionte themelet e ndërtimit të bulevardit.

Në funksion të kësaj ambicieje, një vit më pas, në mars të vitit 2012 u hap konkursi për projektin e Bulevardit të Ri, ku morën pjesë 7 studio prestigjioze ndërkombëtare.

Më 16 maj të po atij viti u shpall studioja fituese për zhvillimin e Master-Planit të Detajuar për Zgjatimin e Bulevardit Qendror, një projekt i cili u përgatit nga studioja arkitekturore Grimshaw Architects.

Por vetëm në maj të vitit 2013, Basha arriti që të siguronte fondet për financimin e projektit përmes një kredie të marrë nga Fondi i Abu-Dhabit për Zhvillim.

Në shtator të po atij viti, kryebashkiaku Lulzim Basha inauguroi fillimin e punimeve, proces që do të bllokohej më pas nga qeveria e sapoardhur “Rama”. Asokohe, INUK për shkak të problemeve dhe përplasjeve me shpronësimet e banorëve që prekeshin nga ky projekt, pezulloi punimet.

“Bllokuar nga Edi Rama” ishte një tabelë e madhe e verdhë e vendosur nga administrata “Basha” në krye të gjurmës së Bulevardit Verior, aty ku më parë ishte stacioni i Trenit. Kjo tabelë qëndroi aty deri në gusht të vitit 2015, kur në krye të bashkisë u zgjodh Erion Veliaj.

Në periudhën 2015-2016, administrata e re në bashkëpunim me Grimshaw Architects, modifikoi projektin e Bulevardit Verior, duke i shtuar atij Parkun Qendror të Tiranës, për të nisur punën simbolikisht vetëm dje. Sepse në terren deri më tash ka mbaruar rreth 60% e punës.

Bulevardi Verior, PD: Punimet i inauguroi Basha kur ishte kryetar bashkie

Bulevardi Verior apo siç njihet tashmë edhe si Bulevardi i Ri i Tiranës është bërë edhe një herë objekt debati mes mazhorancës dhe opozitës.

Ndërsa kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vendosën në mënyrë simbolike dy pllakat e para si nisja e fazës së fundit e ndërtimit të segmentit të parë të këtij bulevardi, opozita ka reaguar ashpër duke e konsideruar atë si një spektakël politik për një inaugurim që është bërë më parë nga Lulzim Basha, kur ky i fundit drejtonte Bashkinë e Tiranës.

“A kanë fytyrë këta njerëz?! Edvin Kristaq Rama dhe Erion Veliaj u shfaqën sot në ekran për të inauguruar nisjen e punimeve të bulevardit të ri të Tiranës. Në fakt punimet e këtij bulevardi janë inauguruar që në shtator të vitit 2013 nga Lulzim Basha, por vetëm pak kohë më pas, qeveria e drejtuar nga Edi Rama vendosi bllokimin e tij, duke dërguar policinë ndërtimore. Sot Rama dhe Veliaj inauguruan pra, një ndërtim që është inauguruar një herë”, -shprehet ish-kryeministri Sali Berisha në reagimin e tij në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë, një nga urbanistët në vend dhe përfaqësues i PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Besnik Aliaj, në emër të selisë blu ka akuzuar kryeministrin dhe kryebashkiakun për politizim të një vepre, e cila sipas tij ka nisur të ndërtohet nga administrata e mëparshme e Bashkisë së Tiranës.

Për këtë ai iu ka shtruar edhe disa pyetje drejtuar kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj, përgjigja e të cilave sipas tij do të zbulojnë të vërtetën për bulevardin.

“… Kush e mori nismën dhe hartoi projektin e bulevardit të ri? Kush i gjeti fondet për ndërtimin e tij dhe nënshkroi marrëveshje? Kush i nisi punimet e Bulevardit të ri? Kush i bllokoi punimet dhe ka një proces të hapur me drejtësinë? Kur ndodhi bllokimi dhe përse? Kush i dërgonte militantët të protestonin në bashki dhe këshill bashkiak për kompensimin e shpronësimeve? Kush e bën shpronësimin, qeveria apo bashkia? Kush vendos tarifën? Kush do ndërtojë gjatë bulevardit?”, ishin disa nga pyetjet e shtruara nga Aliaj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Si ngeci Rama në hurin e Donald Trump

Nga Armand Shkullaku “Po kërceve hu më hu, njëherë do të të...
Read More