Historiku: Shqipëria dhe Greqia drejt një marrëveshje historike

Edhe pse asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht, duket se palët po shkojnë drejt një zgjidhje të përbashkët për marrëveshjen e detit. Tsipras ka dhënë dakordësinë dhe fuqinë ekzekutive për ministrin e Jashtëm dhe ekipin negociator grek, për të kaluar në fazën e shkrimit të marrëveshjeve. Tirana nuk konfirmon ende.

Çështjet e pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë pritet të marrin drejtim me vizitën që kryeministri grek Aleksis Tsipras do të zhvillojë për herë të parë në Tiranë në muajin Prill. Burime diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme greke i thanë Top Channel se dy ditë më parë, Tsipras ka dhënë dakordësinë dhe fuqinë ekzekutive për ministrin e Jashtëm dhe ekipin negociator grek, për të kaluar në fazën e shkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve. Edhe pse asgjë nuk është konfirmuar zyrtarisht, duket

se palët po shkojnë drejt një zgjidhje të përbashkët për marrëveshjen e detit, e cila do të konkretizohet nga grupi teknicen që deri më tash duket se nuk ka filluar ende punë.

Për të përmbyllur marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për delimitimin e kufirit detar, detajet përfundimtare duhet t’i përcaktojnë jo vetëm pala greke, por edhe ekspertët dhe grupi negociator shqiptar, të cilët më parë duhet të marrin plotfuqinë nga Presidenti i Republikës për të negociuar me palën greke. Ekspertët grekë e kanë marrë nga kryeministri Tsipras, ndërsa nuk dihet ende nëse Kryeministria apo Ministria e Jashtme i ka kërkuar plotfuqishmërinë Presidentit Meta për të dhënë lejen për ekspertët shqiptar.

Gjithashtu, TCH raportoi dje se pritet heqja e vulës apostile për legalizimet e dokumenteve zyrtare shqiptare, një lajm ky që u konfirmua pak kohë më parë edhe nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në një intervistë televizive.

Ka përfunduar gjithashtu marrëveshja për heqjen e ligjit të luftës, marrëveshja e menaxhimit të krizave mes dy vendeve, çështja e patentave, ajo e varrezave të të rënëve grekë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe disa marrëveshje bashkëpunimi rajonal, çështja e pronave të komunitetit ortodoks apo zgjerimi i detyrimeve për zonat minoritare, për të cilat, burimet i thanë Top Channel se pala shqiptare është zotuar të zgjerojë si zonat minoritare, por edhe mënyrën e përcaktimin e statusit të zonës minoritare. Burimet diplomatike në Athinë tregojnë se Tirana është zotuar të përmbushë të gjitha detyrimet që përmban konventa e mbrojtjes së minoriteteve, madje edhe t’i zgjerojë ato, për sa u përket programeve integruese të minoriteteve, kuotave të punësimit në administratë, por edhe me përfaqësimin e tyre politik, si në nivel lokal, edhe me atë qendror. TCH raportoi gjithashtu se pala shqiptare është zotuar për heqjen e termit “Çamëri” nga regjistri i gjendjes civile, kur bëhet fjalë për personat e lindur në fshatrat e zonës së Thesprotisë. Kryeministri Tsipras ka pranuar gjithashtu ftesën e homologut të tij Rama për të kaluar së bashku me familjet e tyre, por edhe nën shoqërinë e ministrave Bushati dhe Kotzias, Pashkët Ortodokse, në datën 6-8 prill, ndërsa mbetet ende e pakonfirmuar data e vizitës zyrtare të kryeministrit grek në Tiranë, ku më e mundshme është përcaktimi i saj në 10-12 prill ose diku rreth fundit të prillit, nëse do të vendoset për firmosje të të gjithë marrëveshjeve të dakorduara.

Tre ditë më parë, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, deklaroi në një intervistë televizive se Athina dhe Tirana kanë mbyllur gjithë paketën e çështjeve të hapura që prej 70 vjetësh. Megjithatë, si pala greke ashtu edhe ajo shqiptare janë treguar të rezervuar për të konfirmuar zyrtarisht cilat janë marrëveshjet e arritura e as me shumë detajet konkrete.

Në fund të takimit treditor të zhvilluar në Korçë mes ministrave, Bushati dhe Kotzias, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi se të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dyja vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat europiane.

Nga ana e tij, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ka sqaruar se delimitimi i hapësirave detare do të jetë në interes të të dyja vendeve si për sa i përket përcaktimit përfundimtar të kufijve të ushtrimit të sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, po ashtu në drejtim të shfrytëzimit ekonomik të tyre. Bushati ka kujtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2009. Në mungesë të një marrëveshje mes tyre, që prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh eksploratore për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje.

Në këto diskutime, qëndrimi i palës shqiptare (të paktën publikisht) ka qenë dhe mbetet lidhja e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare bazuar në parimet e Konventës për të Drejtën e Detit ku të dyja shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm që do të mundësojë një ndarje të drejtë dhe të pranueshme për të dy palët. Pikat sa më sipër, janë përcaktuar si pikënisja për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë marrëveshjen e detit.

Të dyja palët kanë pranuar gjithashtu rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura duke u mbështetur gjithnjë në vlerat dhe normat evropiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre. Pra deri më tash, mes Tiranës dhe Athinës është përcjellë shumë mirëkuptim, tonet kritike kryesisht nga politika greke kanë rënë, ndërsa gjithçka do të konkretizohet me vizitën e kryeministrit grek Tsipras i cili nëse do t’i referohemi burimeve diplomatike greke pritet të vizitojë Shqipërinë dy herë brenda një muaji. Një herë në një vizite private dhe krejtësisht familjare me rastin e Pashkëve Ortodokse dhe herën e dytë përmes një vizite zyrtare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita në Venecia: Vangjush Mio, arti i dritës në pikturë

Hapet sot ekspozita “Omaggio a Vangjush Mio”, dedikuar piktorit shqiptar në Venecia,...
Read More