Historitë familjare të diktaturës, në rrëfime digjitale

student6Në mjediset e Qendrës Rinore Tiranë, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë shpall konkursin kreativ në multimedia për të rinj, titulluar “Pyet Gjyshërit”, si pjesë e refleksionit kreativ mbi të shkuarën, ku mund të shërbejnë rrëfimet e të afërmve më të moshuar, mësuesve, fqinjëve, të cilët kanë jetuar dhe punuar në atë kohë

Edhe historitë familjare për t’u rrëfyer kanë nevojë për një eksperiencë gjermane! Si shoqëri e izoluar, dhe me ngërçe të mendësisë për të rrëfyer, përvojat personale kërkojnë edhe stimuj publikë për t’u ndarë. Për të rinjtë kjo është një zonë gri, që si duket e kërkon me ngulm prej dy vitesh Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, duke ngritur një “institucion” kreativ për të vënë në garë këto “mendësi”, por edhe në kërkimet multimediale. Pas përvojës së arrirë me konkursin “Born in the 90’s” që risolli në vëmendjen e pjesëmarrësve data të rëndësishme për historinë e Shqipërisë së post-diktaturës, një ditë më parë në mjediset e Qendrës Rinore, Tiranë, IDMC shpall konkursin e dytë në multimedia për të rinj, titulluar “Pyet Gjyshërit”.

Konkursi “Pyet Gjyshërit” vlerësohet si një simbolikë, një sistem reference i atyre brezave që jetuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Në këtë mënyrë, si pjesë e refleksionit kreativ mbi të shkuarën, mund të shërbejnë rrëfimet e të afërmve më të moshuar, mësuesve, fqinjëve, të cilët kanë jetuar dhe punuar në atë kohë. “Konkursi iu jep kështu shansin të rinjve shqiptarë, të ballafaqohen në mënyrë kreative me një periudhë të pa jetuar prej tyre dhe emblematike për zhvillimin e vendit deri sot”.

Megjithëse iu takon historianëve që ta shkruajnë historinë e një vendi dhe jo “gjyshërve”, organizatorët shpjegojnë se biseda me ta është menduar si një shfletim i burimeve të dorës së parë, i dëshmitarëve të kohës, për ta njohur historinë më nga afër. Synimi i konkursit “Pyet Gjyshërit” është ndërgjegjësimi i të rinjve dhe i shoqërisë shqiptare, për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit të tyre, sepse nuk ka të ardhme të sigurt pa njohur të shkuarën.

Thirrja e konkursit u shpall gjatë një ceremonie të veçantë në prani të organizatorëve dhe partnerëve, përfaqësuesve nga organizatave që operojnë në fushën e kujtesës apo me të rinjtë në përgjithësi, të gazetarëve nga media të ndryshme dhe të rinjve të interesuar.

Konkursi u hap nga drejtoresha ekzekutive e IDMC, Jonila Godole, e cila jo vetëm shpjegoi kontekstin dhe motivimin e këtij konkursi, por shprehu edhe falënderimet e veta për pjesëmarrësit dhe interesin e tyre të treguar për këtë konkurs, të cilët e mbushën Qendrën Rinore, si rrallëherë më parë. Konkursi u përshëndet gjithashtu nga përfaqësues të dy ministrive partnere, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe drejtori i fondacionit gjerman Konrad Adenauer, z. Walter Glos dhe ambasadori gjerman Hellmut Hoffmann.

Secili prej tyre gjeti rastin të ndante me të pranishmit eksperienca familjare. Zëvendësministrja e MAS, znj. Malaj, shprehu rëndësinë e njohjes së historisë jo vetëm prej kurrikulës mësimore, e cila ka nevojë për t’u rishikuar, por edhe prej rrëfimeve të atyre qe kanë qenë pjesë e drejtpërdrejtë e historisë. Eksperienca gjermane gjithashtu u soll në vëmendjen e pjesëmarrësve nga z. Glos, i cili bëri thirrje për sa më shumë pjesëmarrje në këtë konkurs dhe ndau eksperiencën e tij familjare, duke dhënë mesazhin se aktivitete të tilla që përfshijnë sa më shumë të rinj janë shumë të rëndësishëm për të njohur më mirë historinë e vendit.

“Konkursi ‘Pyet Gjyshërit’, synon t’ju ofrojë të rinjve shqiptarë mundësinë të flasin përmes mjeteve kreative, duke ndarë jo vetëm histori, përvoja, përjetime familjare, por edhe përballjen midis brezave që ndihmon në njohjen e aspekteve të ndryshme të jetës gjatë diktaturës shqiptare dhe përcjell një mesazh të caktuar për shoqërinë”, thuhet në njoftimin e IDMC-së.

Ky konkurs është konkursi i dytë kombëtar i organizuar nga IDMC, pas konkursit kreativ të vitit të kaluar, “Lindur në 90-ën: Zbulo të shkuarën, krijo të ardhmen”, i cili u mbyll me sukses më 22 tetor 2015, me dhjetë fitues në 3 kategori: Ese dhe letërsimultimedia dhe arte figurative.

Këtë vit, konkursi fokusohet vetëm në multimedia dhe është i hapur për të gjithë të rinjtë. Përse multimedia? “Në epokën digjitale, interneti është vendi ku të rinjtë, brezi digjital, shpenzojnë pothuajse pjesën më të madhe të kohës së tyre. IDMC ka menduar t’i motivojë ata në mënyrë kreative, që të ndajnë përvojat e gjyshërve të tyre në mënyrë digjitale (Digital Storytelling). Në këtë mënyrë, IDMC i jep një vlerë dhe mesazh kohës që të rinjtë shpenzojnë në internet, sepse të treguarit e një historie, ngjarjeje apo përvoje jetësore në mënyrë digjitale, kombinon artin e të treguarit me një shumëllojshmëri mjetesh që ofron multimedia, si: tekst, imazh, grafikë, audio, video, muzikë etj. Bukuria e kësaj forme digjitale të tregimit qëndron në faktin se ndërsa secili prej këtyre mjeteve të përdorura më vete flet pak ose vetëm për një audiencë specifike, në çastin kur ato kombinohen së bashku, përcjellin një mesazh të plotë e të kuptueshëm për një audiencë më të gjerë”, shënojnë organizatorët. Konkurruesit janë të lirë në përzgjedhjen e temave që do të trajtojnë dhe në këndvështrimin që do të kenë, në lidhje me reflektimin mbi të shkuarën e vendit. Si një orientim paraprak mund të shërbejnë akset e renditura më poshtë: Histori personale, intervista me dëshmitarë okularë në ngjarje të rëndësishme; Punësimi, kushtet e punës në fshat, qytet etj.; Aspektet ekonomike, produktet vendëse e të huaja etj.; Objektet e kultit, praktikimi i fesë gjatë diktaturës etj. Arti, letërsia dhe muzika; Shkollimi; Përditshmëria në diktaturë; Sportet, lojërat; Histori dashurie etj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Formula për një botë të pasur?

Nga Deirdre N. McCloskey, Ny Time Bota është e pasur dhe do...
Read More