Homazhet, këngëtares Anida Take i jepet lamtumira e fundit

capturen-1

Më qindra njerëz të njohur, personalitete, politikanë e njerëz të medias u përkulën me nderim para trupit të pajetë të këngëtares së muzikës së lehtë shqiptare, e cila u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare. Në nderim të këngëtares Anida Take, e cila u nda nga jeta të enjten homazhet u zhvilluan në hollin e Radio-Tiranës. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e pranishme në homazhe tha se do të mbetet një nga zërat e rrallë e që do ti mungojë këtij vendi. “Anida Take është një ikonë, ajo është në rrugëtimin njerëzor të gjithë qënieve njerëzore, por padyshim bën pjesë tek brezi i artistëve, që na edukuan estetikisht, na kanë emocionuar shpirtërisht dhe që në një farë mënyrë apo një tjetër janë të pavdekshëm”, u shpreh ministrja e Kulturës. Këngëtarja u ngjit në skenë 50 vite më parë, ndërsa mbahet mend për disa këngë që pushtuan muzikën e kohës, të tilla si: “Vajza me trëndafil”, “Në bankat e shkollës”, “S’mendonja”, “Kënga e Nënës” e shumë të tjera. Anida Take u shqua që herët për zërin e saj dhe këndimin live. “Ngushëllime për këtë humbje të madhe! Artiste si zonja Anida kanë vetëm lindje dhe ndriçojnë përjetësisht në kujtesën e kombit ! I përjetshëm kujtimi i saj!, shkruan sopranoja Inva Mula në rrjetin social “Facebook”. Këngëtarja Mufarete Laze shprehet se nuk do të rreshtim së dëgjuari atë timbër unik. “Kurrë nuk u ngopëm me zërin tënd brilant, kurrë nuk do të rreshtim së dëgjuari atë timbër unik shumngjyrësh. Ti nuk ke ikur, ti je këtu me ne, je në jetët tona, në gëzimet tona familjare, në ëndrrat tona. Sa herë të dëgjojnë zërin. Pusho tani e qetë tani o zëri i pastër, i kulluar si uji i kristaltë, melodia e pandërprerë”, shkruan përmes një postimi në “Facebook”. Në gjithë karrierën e saj ajo ka bërë vetëm një CD me 20 këngë, të cilat janë nga perlat e krijimtarisë virtuoze të Agim Prodanit. Krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anida Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë. Debutimin e saj të fundit e ka bërë tek spektakli “Njëqind vjet muzikë ” ku duartrokitjet e gjata të njerëzve, që kishin mbushur plot e përplot sallën, e mallëngjyen pa masë. Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”.

Homazhet, këngëtares Anida Take i jepet lamtumira e fundit

Shkruar Nga
More from Revista User

Trump ankohet ndaj ekonomisë dhe politikës ushtarake të Kinës

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump është ankuar rreth ekonomisë kineze dhe...
Read More