Houston, tejmbushen digat. Trump në Teksas: Ju nuk jeni vetëm


Dy diga të mëdha në Houston nuk po munden më të përballojnë nivelin e ujit në rezervuarët e tyre, të rritur ekstremisht shumë si pasojë e stuhisë “Harvey”.

Zyrtarët paralajmëruan se komunitetet e afërta mund të përballen me përmbytje edhe më të rënda, si rezultat i situatës së krijuar.

Ndërkohë, në Teksas kanë mbërritur presidenti Donald Trump dhe zonja e parë Melania, për të parë nga afër shkatërrimin e shkaktuar nga uragani “Harvey”, tashmë i klasifikuar si një stuhi tropikale.

Trump zhvilloi një takim me zyrtarët e emergjencave në Corpus Christie të Teksasit dhe foli më pas para një turme mbështetësish, duke thënë se “Teksasi mund t’i bëjë ballë gjithçkaje”.

“E gjithë kjo ka qenë një përpjekje kolektive. Kjo është një situatë historike, epike. Por Teksasi mund t’i bëjë ballë gjithçkaje. Ju nuk jeni dhe nuk do të jeni vetëm”, është shprehur Trump.

Reshjet rekord kanë shkaktuar përmbytje ekstreme dhe ajo që ka ndodhur në Teksas duket se po i kalon kufijtë e këtij shteti, e po prek edhe Louisianën.

Mijëra vetë janë detyruar të braktisin shtëpitë në zonën e Houstonit, ndërsa skuadrat e shpëtimit po përpiqen të shpëtojnë ata që kanë mbetur të bllokuar.

Të paktën 9 persona raportohet të kenë vdekur, mes të cilëve 6 pjesëtarë të së njëjtës familje, makina e të cilëve u përfshi nga ujërat e rrëmbyeshëm.

“Harvey” është uragani më i fuqishëm që ka goditur Teksasin në më shumë se 50 vite, ndërsa stuhia që po lëviz ngadalë pritet të vazhdojë duke sjellë reshje të tjera rekord shiu në ditët në vijim, në zonat tashmë të goditura rëndë nga përmbytjet.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shtrenjtohet periferia e Tiranës, rriten çmimet e banesave me 50 deri në 150 euro/m2

Për të gjithë ata individë, të cilët nuk mund të përballonin çmimet...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.