“I duhemi armiq këto kohë!” Si reagoi media pas sulmit të Ramës


Sulmet e djeshme të kryeministrit Edi Rama morën vëmëndjen e të gjitha mediave ku reporterë, redaktorë, kryeredaktorë e analistë shkruan kundër kryeministrit.

U duk se sot do të kishte bojkot total ndaj kryeministrit, por në fakt nuk ndodhi.

Që në mëngjes herët, të gjitha mediat e patën kryeministrin live nëpër ekranet e tyre.

Nëse një ditë më parë Rama i sulmoi ballë përballë gazetarët duke i quajtur ata “idiotë”, “të paditur”, të pashkolluar” etj, sot duket më e qartë strategjia e tij për t’i bërë mediat krejtësisht të pabesueshme.

Kryeministri vazhdoi sulmin kur i këshilloi biznesmenët dhe të gjithë shqiptarët të qëndrojnë larg mediave e të mos i besojnë ato.

Sigurisht, mediat dhe kryesisht portalet, i kanë kushtuar analiza të shumta sulmit të ashpër të kryeministrit ndaj medias por ende nuk ka bojkot.

“I duhemi armiq këto kohë!”, shkruan analisti Mero Baze për sulmin e djeshëm të kryeministrit Rama ndaj reporterëve.

Për analistin Baze, kjo është një strategji e Ramës për të futur median në një kurth ku të merret me ato çfarë thotë kryeministri dhe qeveria e jo me ato çfarë bën kryeministri dhe qeveria.

“Nëse duhet të bëhemi seriozë ndaj tij, duhet të mos biem në lojën e tij, por të merremi me atë që ai bën, e jo me atë që ai thotë. Të mos bëjmë sikur nxehemi me të, pasi këtë do. Në kriza si kjo që po kalon qeveria, ku shtypi e ka të vështirë t’i jap të drejtë, ai ka interes ta rreshtojë shtypin kundër vetes për një arsye tjetër edukative,  si kjo që shpiku sot, me qëllim që të vetët të injorojnë kritikat e shtypit ndaj tij. Është thjesht një vendim i tij politik, për ta rreshtuar shtypin dhe për ta futur në betejën e tij. Qëndrojini larg, jo se u vret, por se u mund në këtë histori. I duhemi armiq këto kohë!”

Ndryshe mendon Andi Bejtja kur i bën thirrje mediave t’i heqin mikrofonat Edi Ramës. Bejtja shkruan se reagimi i Ramës nuk ka ndodhur në asnjë vend e në asnjë kohë dhe propozon bojkot të medias ndaj kryeministrit.

Ndërsa analisti Armand Shkullaku e sheh si një reagim agresiv, pasi kryeministri sipas tij është i zënë ngushtë në krizën që ka përfshirë atë dhe qeverinë e tij pas akuzave për ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Shkullaku e sheh si fundin e Ramës dhe qeverisë së tij dhe pikërisht me këtë lidhet sipas tij shpërthimi agresiv ndaj gazetarëve.

“Sjellja e Edi Ramës është tipike e një njeriu që shikon fundin e tij, pikërisht në momentin kur e mendonte veten më të fortë se kurrë. Ajo që po ndodh me rastin Tahiri, është vetëm hapja e një kapaku që po nxjerr dhe do të nxjerrë zbuluar kazanin politik ku është gatuar qeverisja e Ramës për katër vite me radhë”, shkruan Shkullaku.

Një bojkot i përgjithshëm për të ndalur arrogancën e kryeministrit është propozimi i parë i Fatos Lubonjës.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”-n, shfaqjen e Ramës me gazetarëve, Lubonja e ka cilësuar një të shëmtuar. Ai u sugjeron mediave që të mos bashkëpunojnë me të për të zgjidhur problemet e tyre ekonomike apo financiare, por kërkon prej tyre të ndërgjegjësohen, pasi, sipas tij Rama, është armik i drejtësisë dhe i mediave që rrezikon dhe ekonominë e tyre.

Ndërsa gazetarëve Lubonja u thotë t’i bëjnë thirrje ndërgjegjes dhe dinjitetit të tyre, por njëkohësisht dhe të ardhmes së tyre profesionale. “Dakord që kemi gazetarë që shërbejnë, por deri në këtë shkallë sa të pranojnë të poshtërohen kështu, kjo nuk pranohet”, tha ai.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Qeveria e re, vetëm me 104 agjenci, ja 3 premtimet e mëdha të Ramës

Në mandatin e dytë qeverisës pritet një strukturim rrënjësor i administratës publike,...
Read More