I ftohti siberian ‘mbërthen’ Europën, 40 persona të vdekur

Nga Balltiku në Mesdhe, Europa mbetet e përfshirë nga një i ftohtë i acartë i ardhur nga Siberia që ka shkaktuar më shumë se 40 të vdekur që prej së premtes.

Kjo valë e të ftohtit, e ashtuquajtur “Bisha nga Lindja” nga media britanike, “Ariu i Siberisë” në Holandë apo “Moskë-Paris” në Francë ka rritur frikën për shëndetin e personave më të britshtë, të pastrehëve apo personave të moshuar në mënyrë të veçantë dhe për bllokimin e transportit.

Temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta me minus 24 gradë Celsius në Gjermani, minus 29 gradë Celsius në Estoni dhe minus 18 gradë Celsius në Republikën Çeke.

Të paktën 24 persona kanë humbur jetën për shkak të motit të ftohtë që prej të premtes.

Nëntë persona në Poloni, katër në Francë, pesë në Lituani, tre në Republikën Çeke, dy në Rumani dhe një në Itali.

Në Estoni, i ftohti ka shkaktuar shtatë të vdekur gjatë muajit shkurt.

Nga njëri skaj i Europës në tjetrin, temperaturat kanë qenë në rënie dhe kaldajat janë vënë në punë të plotë.

Grupi rus i gazit “Gazprom” njoftoi se kishte thyer për gjashtë ditë rekordet e eksporteve ditore drejt Europës.

Rekordi i fundit u vendos të hënën me 666,8 milionë metra kub gaz.

Në Suedi, minus 39,6 gradë Celsiur u regjistrua të hënën në Laponi dhe Austria regjistroi minus 25,4 gradë Celsius në Flattnitz (jug), një rekord për muajin shkurt.

Londra ka regjistruar dje reshje të dendura dëbore. Gazetat britanike kanë publikuar foto të shëtitjeve me varkë në lumin Cam të mbuluar me dëborë apo të valëve të ngrira në Weston-super-Mare.

Në Itali, Roma ka regjistruar të hënën dëborën e parë në gjashtë vite. Temperaturat arritën në minus 40 gradë Celsius të paktën 100 kilometra nga Venecia, në Dolina Campoluzzo (1768 metra lartësi).

Kampania, pranë Napolit, nuk kishte regjistruar reshje dëbore që prej vitit 1956. Ishulli i Kaprit, qendra e Pompeit apo plazhet janë mbuluar nga një shtresë e hollë dëbore.

Në Spanjë, reshje të tjera dëbore janë njoftuar sot në shtatë rajone.

Në Francë, që nuk kishte njohur një të ftohtë të tillë që prej vitit 2005, gjiri i Ajaccios në Korsë ishte mbuluar nga dëbora, si kurrë më parë në 30 vjet.

Në Gjermani, termometri ka regjistruar mionus 14 gradë Celsius në Berlin. Temperaturat kanë arritur në minus 30,5 gradë Celsius në majën e Zugspitze (2962 metra, mali më i lartë në vend), një rekord që prej 100 vitesh në këtë periudhë të vitit.

Temperaturat kanë rënë në minus 20 gradë Celsius në jug të Polonisë, në minus 24,6 gradë Celsius në perëndim të Republikës Çeke dhe deri në minus 26 gradë Celsius në Lituani.

Në Ballkan, temperaturat arritën në minus 1 gradë Celsius në ishullin e Hvarit në Kroaci, shënuan rënie historike në Shqipëri, minus 10 gradë Celsius në Kosovë dhe minus 20 gradë Celsius në malet përreth Sarajevës në Bosnje.

Dëbora dhe temperatura e ulëta kanë prekur edhe transportin me vonesa dhe anulime si në aeroportin londinez të “Heathrowt”, ku “British Airways” anuloi 60 fluturime, apo atë të Nices, në Cote d’Azur.

Në Kroaci, linja hekurudhore Zagreb-Split u ndërpre. Në Rumani, tre porte në Detin e Zi u mbyllën, ashtu si në aeroportin e Varnas në lindje të Bullgarisë.

Aksidentet rrugore kanë qenë të shumta në Gjermani, veçanërisht në bregun balltik, apo në Suedi.

Shkollat janë mbyllur në shumë vende të Europës dhe thirrjet për vigjilencë për të pastrehët janë rritur.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Revolta në rrjetet sociale: A duhet bojkotuar Notis Sfakianiakis?

  Që kur nisi reklama e koncertit të Notis Sfakianiakis, në rrjetet...
Read More