I huaji dhe ne në komunikim

Nga Holta Heba*

As e njohim dhe as na njeh, por puna na e do të qëndrojmë bashkë në tavolinë, mbledhje apo në një takim. Është i huaj dhe na duhet të merremi vesh. Ç’të bëjmë? Ja kush mund të jenë katër metoda ndihmëse, që na e bëjnë jetën më të lehtë në komunikimin me një të huaj.

Përshtatja: Përpiqemi të gjejmë barasvlerën e situatës dhe të përshtatim fjalët dhe sjelljen. Kjo etapë ka shumë rëndësi për përcjelljen e mesazhit me kuptim. Hera-herës detyrohemi të shtojmë ose pakësojmë fjalët, madje dhe veprimet në rastet kur disa koncepte nuk janë shumë elastike për të qenë të qarta. Mesazhi duhet të jetë semantikisht i asimilueshëm për të huajin. Për shembull: Kafeja e mëngjesit nuk mund të pihet në këmbë në të përditshmen tonë. I huaji është i detyruar të ulet me ne në kafe dhe aty “serbes-serbes” do të flasim gjatë për problemin që kemi. Edhe pse mund të jetë mësuar të jetë praktik që kafenë ta pijë në këmbë dhe shumë shkurt, atij i duhet të përshtatet me ne, sigurisht nëse do të komunikojë drejt me ne.

Shndërrimi: Kur koncepti i identitetit tonë nuk ekziston në identitetin e të huajit, jemi të detyruar të shndërrojmë fjalë, madje të luajmë me to, (rasti i shprehjeve frazeologjike). Një fenomen i caktuar shoqëror nuk mund të ketë të njëjtën mënyrë në të shprehur. Shndërrojmë me qëllimin e vetëm që t’i qëndrojmë besnik kuptimit. Në shumë raste, sakrifikojmë kodin gjuhësor. E si mund t’ia shpjegojmë një të huaji se “ e tha si e ëma e Zeqos në majë të thanës” apo “foli si e fejuara e Zeqos duke vjelë fiq”? Në këtë aspekt, jemi të detyruar të shndërrojmë dhe t’i themi se thjesht foli shumë pa kuptim.

Shpjegimi: Kur gjendemi përballë dikujt që nuk na njeh, ndodh që jemi të detyruar të shpjegojmë ndoshta dhe duke shtuar shumë fjalë apo fjali. P.sh.: Nuk është e nevojshme t’i tregojmë një shqiptari se cili është heroi ynë kombëtar Skënderbeu, kurse një të huaji që vjen nga një kontinent tjetër dhe që nuk e njeh historinë e Shqipërisë, patjetër që do t’ia shpjegojmë se çfarë përfaqëson dhe çfarë ka qenë kjo figurë historike për ne, si dhe shumë e shumë detaje të tjera.

Natyralizmi: I gjithë njerëzimi anembanë botës, ndan disa zakone universale, si: të ngrënit, të fjeturit etj. Në fakt, këto zakone universale nuk përbëjnë kulturën e një vendi. Ajo lidhet më shumë me mënyrën se si jemi mësuar të kryejmë veprime. Këto mënyra ndryshojnë nga njëri identitet në tjetrin. Pikërisht këtu, ndërhyn dhe natyralizmi. Çdo identitet kombëtar ka modelin e tij kulturor. Fakti që ne shqiptarët jemi mësuar të quajmë darkë të mirë, një darkë të bollshme me pjata të mbushura plot, nuk duhet ta llahtarisë perëndimorin që është mësuar me një darkë të lehtë. Identitete të ndryshme, kanë zakone, tradita, histori dhe kultura të ndryshme dhe duke qenë se gjithçka vërtitet rreth kuptimit, le të themi se katër metodat e sipërpërmendura përdoren me qëllimin e vetëm: komunikim semantikisht të realizuar.

*Pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Marrëveshja e re me TAP: Përfitimet e reja që do të negociojë Shqipëria

Dritan Spahiu: Rritja e të ardhurave fiskale për shtetin shqiptar dhe përmirësimi...
Read More