“I pakuptuari”, nga Rrethi letrar “Pena e re”!

 

Një rreth letrar me emrin “Pena e re”, formuar e zhvilluar që prej tri vitesh në vendin tonë, na dhuron disa zëra të rinj poetikë të cilët të mbresojnë. Një prej tyre është edhe vëllimi me poezi i Iridon Mulaj, me titullin “I pakuptuari”.

Libri, i sapopromovuar ditën e enjte, në një takim të rinjsh; ndoshta do të ishte e udhës të ndaleshim pak për të kuptuar prirjet e reja të gjuhës, simbolikës, metaforës, mjete këto që rinovojnë kuptimin.

Nga Dr. Mimoza Ahmeti

Një rreth letrar me emrin “Pena e re”, formuar e zhvilluar që prej tri vitesh në vendin tonë, na dhuron disa zëra të rinj poetikë të cilët të mbresojnë. Një prej tyre është edhe vëllimi me poezi i Iridon Mulaj, me titullin “I pakuptuari”. Libri, i sapopromovuar ditën e enjte, në një takim të rinjsh; ndoshta do të ishte e udhës të ndaleshim pak për të kuptuar prirjet e reja të gjuhës, simbolikës, metaforës, mjete këto që rinovojnë kuptimin.

Pyetje direkte e tundojnë shpirtin e të “Të pakuptuarit” apo të të pakuptueshmit! Me sa duket natyra pyetëse e unit të tij, për gjëra që janë pranuar e bërë rutinë nga mes nesh nga pranimi, pra, guximi për të pyetur kundrejt normës, e bën të pakuptuar personalitetin e poetit ndaj të tjerësh. Poema “Pyetjet e një të pakuptuari” drejtohet me: “Çfarë është tabuja? Çfarë është nderi? Po normat në punë? Po shtrëngimet, streset, vuajtjet për të fitue dy lekë?

Çfarë është përpjekja për të ruajtur moralin gjithë jetën? Çfarë janë fjalët, thashethemet? Çfarë është njeriu, përse vjen në jetë? Po jeta, çfarë është? Pse mërzitemi? Pse stresohemi? A e dimë ne që, përveç shëndetit, tjerat janë dallgë që herë ngrihen e herë bien? Njëherë i kemi, një herë, jo. Çfarë janë inatet? Refuzimet? Lidhjet, ndarjet, çfarë janë? A e dini çfarë është jeta? Një puthje, një fjalë e mirë, një përqafim, ngrohtësi shpirti e pak ndjenjë…

Kjo është jeta”

Pasi ka vënë në pikëpyetje të gjitha esencialet e determinizmit, kuptimit normal, ai e gjen përgjigjen në diçka aq të thjeshtë si: pak ndjenjë e ngrohtë e një fjalë e mirë. Kaq pak mjafton për të bërë të lumtur njeriun.

Por retorika poetike nuk është karakter i papushimtë i kësaj pene. Shpesh ajo ia le vendin ndjenjës së thellë dhe përparësisë për botën dhe misterin feminin i cili duket se evokon mrekullitë e diellit dhe zotëron kodet e jetës së harruar prej pjesës tjetër të njerëzisë. Dhe ashtu si falet dielli, pa kushte, poema mban titullin “Falmu”:

Çohu me diellin në këtë nadje,

Ku era t´përkëdhel flokun e gjatë.

Mos mendo, zhytu në përsiatje,

Ma njom me dashni zemrën e thatë.

Vish fustanin e andrrave të ktjellta

Nji lule të kuqe lidhe mbi kry.

Dil, lodro rrugëve, mes shikimeve t´vjedhta –

Ti sytë në qiell e na sytë mbi ty.

Vallzo me erën, fluturo mbi re

Tregoja kësaj bote sa e lirë je në shpirt,

Mos jeto për vete, jeto pak dhe për ne,

Vishna me ngjyra këtë zemër të hintë.

Mbasi të kënaqesh me botën mbarë,

E me nurin tënd të kesh pru pranverë,

Të kesh çmend të gjallët, të mbramë e të parë

Hajde falmu mu, të jetoj dhe unë një herë.

Në disa analiza të Malarmesë rreth raporteve të njeriut me qiellin, ai thotë se dëshira lind nga shkëputja e njeriut me yjet. Dëshira është kompensim për shkëputjen.

Drita përfshin një nga misteret e mënyrës sesi përhapet, se çfarë krijon, dhe sa e paanshme është në dhurimin e saj. Principi dhe përhapja e dritës ndryshon nga ai i njeriut: edhe përhapjes prej dimensionit social- të dritës së tij- me përbindësha e xhind.

Liridon Mulaj e quan dritën: “Perëndeshë”:

“Lëshoje trupin në hapësirë të dëlirojë,

E sytë e zjarrtë hapi në pafundësi.

Më jep nga vitet e tua, dhe unë të jetoj,

E në vdeksha, të paktën jeto ti.

Jetë e imja-me përbindësha e xhind,

Jetës tënde, perëndeshë, s´i shkon për shtat.

Dije se ai diell çdo ditë për ty lind

Ne tjerët asnjë rreze nuk e patëm fat.

Kur të nisësh fluturimin mbi botën e shkretë,

Shpirtin vezullues hidhe të lundrojë mbi dete,

Ti´perëndeshë e dritës, ndriçon mijëra jetë

Ne, tokësorëve, që lindim e vdesim për vete.

Nismëtarja e rrethit letrar të “Penës së re”, Flogerat Krypi, në disa paragrafe të parathënies së hyrjes për vëllimin me poezi të poetit “I pakuptuari”, shkruan:

“…kanë kaluar më shumë se dy vite dhe ja ku jam sot, në një nga kafenetë pariziene të Tiranës, duke shkruar një parathënie për librin e tij të parë “I pakuptuari”. Përpara se të lexoni këtë libër, ju sugjeroj të merrni frymë thellë. Pastaj vendosni Bachun ose Chopen në sfond dhe lexoni poezitë dhe shkrimet e tjera të Donit. Ju premtoj që do të qani dhe më besoni, nuk ka qarje më të bukur, se ajo që vjen nga letërsia. Do futeni në skutat e kujtesës dhe aty do të gjeni gjithë ëndrrat që latë pas, gjithë zhgënjimet, ndjenjat, besimin dhe luftën për mbijetesë…

Libri i tij, herë në gegnisht (në gjuhën time, siç e quan Doni), e herë në gjuhën letrare shqipe, ku do të gjeni copëzat e shpirtit që jeta i ka shpërndarë, atje ku i deshi qejfi. Jeta luan me ne, por edhe ne luajmë me jetën. A e dini si? Duke biseduar me shpirtin nëpërmjet gjuhëve të tjera që na dha universi. Na u dhurua arti dhe atëherë gjetëm rrugën e vërtetë të shpirtit. Ndaj nuk duhet të keni frikë kur lexoni këtë copë shpirti.

Është shpëtimi nga kjo botë e shurdhër dhe memece…do të kërkoj të ngjallni fëmijën brenda jush. Pafajësia nuk vdes. Ajo është në skutat e jetës sonë dhe na pret krahëhapur që ta ngjallim sërish…Ne të gjithë kemi qenë të paktën një herë në jetë të pakuptuar.” Aroma e viseve dhe ajo historike jo rrallë e prekin tushtin e kësaj poezie. Nga e përthekshme, e përulur, ajo paraqitet shpesh tendencioze dhe karakteriale për të mbërrirë në pikën sublime të besimit të vet. Melankolia që e pushton ngandonjëherë nuk është në gjendje të mposhtë krenarinë e identitetit me të cilin shpirti rinor është veshur e formuar.

“Do ta shkruaj një poemë…

S´ka natë që sé mendoj

Do i shkruaj tradhëtarëve

Që Shqipqrisë i ngjiten bishta,

Fisit, etërve, ose të parëve,

Sic u shkruante Gergj Fishta.

Anës Drinit do shëtis,

Në Bunë ku zemra foli,

Kodrat, mallet doi ngjis,

Vjosës që i këndoi Fan Noli.

Ndikimi i poezisë shqipe sidomos një ngjyrë e këndellshme trishtimi që shoqëronte dikur fuqinë në artikulimin migjenian, gjen ekon e vet në riperceptimin e Liridon Mulaj, duke e bigëzuar vargun e tij midis dialektit të ngrohtë shkodran dhe normës letrare shqipe. Sidomos vendlindja e tij linguistike ndihet te poezitë e dashurisë, mallit dhe melankolisë, si një element që përfton shfaqen e më së thellës në mënyrën më të natyrshme.

Libri përmban edhe disa skica në prozë poetike, me një tonalitet, edhe ato, pakënaqësie të stilit migjenian. “Mos bëni sikur s´më njihni. Më keni kudo në përditshmërinë tuaj. Jam ai kamerieri që iu shërben kafen çdo ditë. Jam lavazhieri që ju lan makinën kur mbytet në pluhur. Jam portieri që ju mban valixhet në hyrje të hotelit për një bakshish.

E nëse doni të më njihni më mirë, shikoni djersët që më rrjedhin çurk. Aty do të kuptoni që nuk jam asgjë tjetër, veçse një kurban i këtij sistemi të padrejtë, e që ato djersë janë uji që i pi diplomës sime të pavlerë, për një rrogë që s´shkon më shumë sesa çmimi i dy librave në fakultet”.

Vihet re se nga shprehja metaforike dhe artistike kalohet lehtësisht në bashkëbisedim të hapur. Ndoshta kjo nuk është mungesë arti sesa një prirje për të thënë më në fund të vërtetën e vetes ashtu si e mendon. Libri u promovua në mjediset e Qendrës Rinore të Tiranës, në fillim të Rrugës së Kavajës, në një atmosferë miqësore shokësh e poetësh.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Policia numëron vetë paratë! Ja njeriu që trazoi politikën

Gjykata e Elbasanit, mëngjesin e kësaj të shtune, vendosi të lërë në...
Read More
CLOSE
CLOSE