Ideja më e mirë e biznesit, në kërkim të sipërmarrësve të rinj

Konkursi i ideve të biznesit në UET me studentët e Menaxhim Biznesit dhe Informatikës, universiteti kthehet në një inkubator që përgatit sipërmarrësit e nesërm

Harrojini detyrat e kursit, provimet standarde…nëse keni ide sipërmarrëse provojeni veten në një konkurs idesh para një jurie profesionale. Për të disatin vit radhazi Universiteti Europian i Tiranës iu mundëson studentëve të tij që të tentojnë në mënyrë konkrete në ide për krijimin e bizneseve të tyre. Në fund të fundit ky është qëllimi i studimeve; të nxjerrë të rinj të guximshëm dhe të pajisur me dijet e duhura për të konkurruar në një treg të lirë.

Javën që shkoi në UET u organizua një konkurs i planeve më të mira të biznesit për studentët e vitit të dytë Menaxhim-Biznes, Financë dhe studentët e vitit të tretë Informatikë. “Ideja më e mirë e biznesit” është një iniciativë e prof. asoc. dr. Ermira Qosja, e cila mbështet idetë e studentëve dhe ka arritur ta kthejë në traditë këtë garë idesh. “Dy gjëra ndikojnë në inspirimin për sipërmarrjen, projektet dhe prania e bizneseve në auditor”, u shpreh ajo.

Studentët ishin përpara një jurie profesionale e përbërë nga përfaqësues të biznesit dhe nga pedagogë e specialistë të fushës. Juria vlerësoi çdo projekt të prezantuar dhe nxiti studentët për të realizuar idetë e tyre të biznesit. Aktiviteti u mbyll me shpalljen e projektit fitues, ku triumfuan dy studente: Franceska Shollo dhe Valbona Muso me projektin e tyre “Hakuna Matata Fast Food”.

Qosja: Studentët, frymëzim nga sipërmarrësit e suksesshëm

Iniciatorja e këtij konkursi, i cili i vë studentët përballë sfidës së vërtetë të krijimit të një sipërmarrjeje dhe i përball ata me një juri e përbërë nga sipërmarrës të suksesshëm, pedagogia Ermira Qosja, beson se këtë vit konkursi ka sjellë disa risi.

“Këtë vit krahasuar me vite të tjera, vendosëm që studentët të prezantonin ide të pastra biznesi. Juria gjithashtu këtë vit është e mbushur me Entrepreneures të suksesshëm në botën e biznesit. Studentët mund të frymëzohen nga puna e bërë në biznes nga anëtarët e jurisë dhe të mund të nxjerrim, pse jo, që sot një ide biznesi që nesër mund të jetë një biznes i suksesshëm. Ajo që në kemi parë te studentët që i motivon të ecin para janë dy, e para është prania e biznesmenëve të suksesshëm në auditorë, si lloj frymëzimi pra, dhe e dyta është puna me projektet në të cilat angazhohen dhe japin më të mirën e tyre” – u shpreh ajo në hapjen e aktivitetit që zgjati plot 4 orë me një numër të madh prezantimesh.

Civici: Ajo që vlerësohet sot është ideja, mendimi dhe dija

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici, e përshëndeti këtë aktivitet dhe i nxiti studentët që të jenë sa më të guximshëm në idetë e tyre dhe të besojnë te dija e tyre. “Në kohët e sotme, malli që kushton më shumë dhe shpërblehet më mirë është produkti jomaterial. Është ideja, mendimi, njohuria apo dija” -tha ai duke folur para studentëve konkurrues. Më tej ai foli për rëndësinë që ka për studentët iniciativa personale që do t’iu japë atyre mundësinë të punojnë pasi të mbarojnë studimet. “Në shek. XXI, të gjitha studimet konkludojnë në faktin se një student që mbaron shkollën tani, mbi 80% të mundësive e ka ta krijojë vetë një shërbim apo profesion dhe të mos gjejë një profesion të gatshëm. Dhe në rastin e studentëve këtu sot, që përfundojnë Fakultetin e Ekonomisë për Menaxhim Biznesi, është e vështirë të gjenden 10-15 vende pune fikse që quhen profesion. Ndërkohë që ka qindra gjëra që krijohen vetë nga idetë e mira. Prandaj idetë janë shumë më të rëndësishme se sa pjesa formale e të mësuarit, ose pjesa formale e të mbaruarit të universitetit” – theksoi profesor Civici.

Civici vlerësoi idetë e prezantuara nga studentët, duke thënë se “në ato prezantime që unë pashë, dua të jem klienti i parë i këtyre bizneseve. Ideja shkon në përputhje me atë që kërkon shoqëria, e nëse idetë tuaja janë këto, biznesi i suksesshëm është i garantuar”.

Idetë lëvizin botën, njihuni me sipërmarrjet e të rinjve

Studentet Franceska Shollo dhe Valbona Muso u shpallën fituese me projektin e tyre “Hakuna Matata Fast Food” 

Projektet e studentëve ishin nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato për krijimin e lokaleve, restoranteve, krijimin e qendrave për të moshuar, për kujdesin e fëmijëve dhe ofrimin e shërbimeve taxi me scootera. Idetë e studentëve u vlerësuan, u kritikuan apo dhe u plotësuan nga anëtarët e jurisë; sipërmarrës dhe specialistë të fushës. Juria përbëhej nga: Julian Balliu, Mon Cheri, Fabian Kuka, Pomodoro Pizza & More Salt, Arbi Agalliu, Përgjegjësi i Departamentit të Financës UET, Besarta Vladi nga Ministria e Inovacionit dhe Anxhela Rusmaili, e cila ishte studentja fituese e projektit të vitit të kaluar.

Aktiviteti u mbyll me shpalljen e projektit fitues, ku triumfuan dy studente: Franceska Shollo dhe Valbona Muso me projektin e tyre “Hakuna Matata Fast Food”. E veçanta e këtij biznesi është se do të ndodhet në rulota dhe do të vendoset pranë pikave kyçe të qytetit. Do të ofrojnë ushqime të shpejta, pra fast food për të gjithë ata konsumatorë të cilët preferojnë këto lloj ushqimesh.

Çmimi shoqërohet me një pagesë financiare nga UET dhe përfshirje në projekte të reja të universitetit.

Vlen për t’u theksuar se sipërmarrësi Julian Balliu, themelues i rrjetit Mon Cheri ofroi mundësi punësimi për një nga vajzat që mori pjesë në këtë aktivitet, Estela Cakmaxhi, tre djemve, Besnik Agaj, Erlis Xhaferraj dhe Bledi Miço ju ofroi mundësinë për të krijuar një projekt për Mon Cheri dhe gjithashtu iu ofroi vajzave fituese një mundësi bashkëpunimi me kompaninë e tij.

Disa nga plan-bizneset e studentëve:

Health & Green Mini Restorant/ Projekti i studentëve Kejsi Klenja dhe Mustafa Saliko

Kjo ide konsiston në një biznes mes fast food-eve dhe restoranteve. Do të ofrohen sallata me fruta dhe perime të freskëta organike. Gjithashtu dhe konsumimi i lëngjeve të freskëta. Biznesi do të ofrojë ushqime të shpejta për t’u marrë me vete me paketime ekologjike. Propozimi i biznesit të tyre ka si pikë të fortë jetesën e shëndetshme.

@the ReLades, projekti i studentes Estela Cakmaxhi

Kjo ide biznesi përfshin tri aspekte të rëndësishme për çdo student: kafen, relaksin dhe studimin. Estela solli në fokus çështjen që studentët kanë nevojë për një ambient të përshtatshëm për studim. At the ReLades do të organizojë dhe debate të ndryshme me akademikë apo të ftuar, ku studentët mund të ndajnë idetë e tyre me ta. Fokusi është ofrimi i shërbimeve dhe produkteve cilësore.

“Zemra e madhe”, nga Arsiva Qefalia, Besmira Jahja, Rafaela Shkurti dhe Xhenis Haxhiaj

Zemra e madhe është një qendër kujdesi për moshat e treta. Ky projekt u prezantua nga studentet Arsiva Qefalia, Besmira Jahja, Rafaela Shkurti dhe Xhenis Haxhiaj. Kjo ide konsiston në krijimin e një qendre për përkujdesjen dhe mirëqenien e moshës së tretë. Biznesi fokusohet te strehimi i të moshuarve, të cilët nuk kanë përkujdesje nga familja e tyre apo dhe për arsye të tjera ata kanë nevojë për një mjedis të ngrohtë. Kjo ide lindi pas hulumtimeve që bënë vajzat, ku vunë re se institucione të tilla ishin të pakta në Shqipëri.

“Diet, Fitness & Health Center” nga Brisejda Kaca, Gjerovica Ismajlukaj, Paola Tabaku, Xheni Velo

Diet, Fitness & Health Center, projekti që u prezantua nga studentet Brisejda Kaca, Gjerovica Ismajlukaj, Paola Tabaku, Xheni Velo konsiston në ndërtimin e një qendre që përfshin dy fusha të rëndësishme për një jetesë të shëndetshme. E para ka të bëjë me fitnesin dhe e dyta me këshillimin për një dietë të shëndetshme. Biznesi i ri në fushën e fitnesit dhe mirëqenies synon të hyjë në treg duke ofruar risi për klientët. Risia është pikërisht bashkimi i dy fushave në një të vetme.

“After Care” nga studentët Besnik Agaj, Erlis Xhaferraj, Bledi Mico

After Care u prezantua si projekt nga studentët Besnik Agaj, Erlis Xhaferraj, Bledi Mico. Kjo ide biznesi synon në krijimin e një qendre kujdesi për fëmijët. Kjo qendër do të zhvillojë një sërë shërbimesh të kualifikuara. Këtu përfshihet kujdesi i fëmijëve pas orarit të shkollës apo kur prindërit janë në punë. Gjatë kohës që ata do të jenë në këtë qendër do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, do të zhvillojnë detyrat e shtëpisë, si dhe do të mësojnë gjuhë të huaja. Por kjo qendër ka në fokus që t’i ndihmojë prindërit në formimin dhe kujdesin e fëmijëve të tyre.

“Kiprida Center” nga Flavia Shuka, Geraldina Fejzaj dhe Paola Taullau.

Kiprida Center është një projekt, i cili u prezantua nga studentet Flavia Shuka, Geraldina Fejzaj dhe Paola Taullau. Ky projekt është një qendër fitnesi dhe sportesh argëtuese. Kjo është qendra e parë, e cila përfshin shumë shërbime si kurse noti, basketbolli etj., si dhe aktivitete si surf në wave pool apo roller skating. Kjo qendër do të ofrojë një shumëllojshmëri shërbimesh.

“HotSpot”, nga studentet Herta Metushaj dhe Amela Cokaj

HotSpot është projekti që u prezantua nga studentet Herta Metushaj dhe Amela Cokaj. Vizioni i këtij biznesi është që të përmbushë të gjitha nevojat e turistëve që vizitojnë qytetin e Tiranës. Ky biznes do të ofrojë shërbime dhe produkte që tërheqin turistët duke ofruar shumëllojshmëri produktesh shqiptare. InfoPoint është një nga shërbimet kyçe të këtij biznesi.

“Tea Mania” nga Alisa Celaj, Edeina Myrtaj dhe Ina Leka

Tea Mania është lokali i ri i çajit që u prezantua si projekt i studenteve Alisa Celaj, Edeina Myrtaj dhe Ina Leka. Ato kishin në fokus ndërtimin e një lokali, i cili në çdo produkt të ofruar do të ketë në përbërje çajin. Përveç çajrave të ndryshme ato do të ofrojnë dhe kokteile analkoolike ose jo me përbërje të çajit.

“MëGjej”, aplikacion nga studentja Albana Faslia

MëGjej është projekti në versionin e aplikacionit që u prezantua nga studentja Albana Faslia. Ky aplikacion konsiston në shërbimin urban më të lehtësuar nëpërmjet teknologjisë. Do të shfaqet në kohë reale vendndodhja e autobusëve në mënyrë që qytetarët të dinë ku ndodhet autobusi dhe mos të presin shumë nëpër stacione. Por gjithashtu përfshin dhe matjen e oksigjenit në autobus, sa persona janë brenda tij, matjen e ndotjes etj.

“Imperia”, konsulta biznesi nga Arjola Isufaj, Daniel Sita dhe Gea Gjineci

Imperia u prezantua si projekt i studentëve Arjola Isufaj, Daniel Sita dhe Gea Gjineci. Ideja e tyre ishte për krijimin e një kompanie e cila ofron shërbime konsulte për bizneset, ne lidhje me produktet të cilat mund të eksportohen ose importohen. Synimi i tyre është zgjerimi i bizneseve si dhe kalimi në një nivel tjetër të ekonomisë shqiptare.

“Photo Shot” ishte ideja e studentes Dorina Petku

Projekti Photo Shot ishte ideja e studentes Dorina Petku. Ajo solli idenë për një kabinë fotografike portative, që do të vendoset në evenimente të rëndësishme si dasmat, ditëlindjet etj. Klientët do të bëjnë foto në privatësi dhe ato do të printohen për pak sekonda.

“4 elements”, nga Klaudja Trezhnjeva dhe Ardit Dervishi

4 elements u prezantua si projekt i studentëve Klaudja Trezhnjeva dhe Ardit Dervishi. Ideja e tyre konsiston në krijimin e një restoranti i cili do të ofrojë shije nga çdo vend i Shqipërisë dhe botës. Objektivi që ata kanë është bashkimi i shijes, çmimit dhe komfortit në një ambient luksoz.

“Mototaksi”, nga studentet Dajana Bushpepa dhe Mesila Xhebra

Projekti Mototaksi erdhi si ide nga studentet Dajana Bushpepa dhe Mesila Xhebra. Ky projekt ka si qëllim ofrimin e shërbimit taksi, por me një ndryshim, do të përdoren scooter-at. Kostoja e shërbimit do të jetë shumë e ulët dhe ndihmon në shmangien e trafikut të rënduar.

“Master’s Catering”, nga Armela Meta, Alba Maca, Ermelinda Zhuleku, Fiorlando Ceka

Master’s Catering është projekti që u prezantua nga studentët Armela Meta, Alba Maca, Ermelinda Zhuleku, Fiorlando Ceka. Ky projekt kishte në fokus ofrimin e ushqimeve bio dhe biznesi do të krijojë lidhje me institucione të ndryshme për ofrimin e ushqimeve të tyre.

Përgatiti: Eva Drita

Shkruar Nga
More from revista mapo

Çfarë thonë dhe çfarë duan studentët e Forumit për Universitet Cilësor?

Ata janë një grupim studentësh nga universitete të pavarura dhe shtetërore, që...
Read More