Ideja më e mirë e biznesit: UET, inkubator për sipërmarrësit e ardhshëm

Studentët e Menaxhim – Biznesit, ata të  Financë – Bankës dhe Informatikës Ekonomike në Universitetin Europian të Tiranës kanë zhvilluar konkursin e ideve më të mira të biznesit. Nisma të tilla e bëjnë  universitetin  një inkubator që përgatit sipërmarrësit e nesërmes, duke u dhënë mundësi të rinjve të vijnë me ide të freskëta

Universiteti Europian i Tiranës, ka organizuar për të disatin vit radhazi konkursin “Ideja më e mirë e biznesit”. Ky konkurs, pjesë e së cilit kanë qenë studentët e degëve Menaxhim-Biznes, Financë dhe Informatikë Ekonomike, ka për qëllim të promovojë dhe mbështetë idetë që të rinjtë kanë në fushën e sipërmarrjes.
29 studentë të cilët aspirojnë të jenë pjesë e sipërmarrjes shqiptare, kanë paraqitur në grupe, 11 ide biznesi. Idetë iu  prezantuan një jurie profesioniste, e përbërë nga administratori i UET, Prof. Asc. Arbi Agalliu, Dr. Ketrina Çabiri, Drejtuese e Zyrës së Projekteve në UET, Valbona Muso , studente dhe fituese e çmimit të parë në edicionin e kaluar si dhe përfaqësuesit e dy bizneseve, Edlir Babameto,  Drejtor i Marketingut në kompaninë “Teuta” dhe Erion Jakova, Drejtori Ekzekutiv i kompanisë “Pascucci”.
Prof. Asoc. Dr. Ermira Qosja, e cila është edhe nismëtarja  e këtij  konkursi  tregon se përse ky konkurs është kaq i rëndësishëm për Universitetin Europian të Tiranës dhe studentët e tij.
“Nga dy studime të realizuara në Universitetin Europian të Tiranës, në lidhje me arsyet përse studentët zgjedhin të studiojnë në Fakultetin Ekonomik, rezulton se rreth 30% e studentëve e zgjedhin këtë fakultet sepse duan të fitojnë aftësi sipërmarrëse dhe 37% e tyre synojnë që  në 5 vite pasi të përfundojnë studimet e tyre në UET, të bëhen sipërmarrës”, ka thënë Qosja, duke sqaruar më tej se ky është një trend jo vetëm shqiptar, por mbarëbotëror. “Ndaj edhe ka shumë nisma nga shumë institucione, universitete, fondacione apo organizata serioze në botë, që e mbështesin sipërmarrjen. Këtë jemi duke bërë edhe ne brenda UET. Mbështetja e aftësive sipërmarrëse tek studentët është një nga shtyllat e punës sonë me ta dhe këto dy të dhëna, që vijnë nga studimet, forcojnë gjithë qëndrimin dhe gjithë iniciativën tonë, pro nxitjes së ideve të biznesit” –ka  përfunduar ajo.
Ndërkohë dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Engjell Pere, ka vlerësuar studentët për pjesëmarrjen e tyre në konkurs dhe iniciativën e treguar.
“Të gjithë studentët pjesëmarrës janë fitues për shkak të iniciativës që kanë ndërmarrë”– ka thënë ai duke i përgëzuar ata për punën e bërë.
Anëtarët e jurisë kanë vlerësuar të gjitha idetë pjesëmarrëse dhe i kanë nxitur studentët t’i realizojnë ato.
Në fund të konkursit është shpallur edhe ideja më e mirë e biznesit në UET për vitin 2018. Çmimin e parë e fituan dy studentët e degës Informatikë-Ekonomike, Ervin Karmaj dhe Fatjon Rrapaj  me idenë e tyre të biznesit “Palma.al”, e cila u vlerësua me mbështetje financiare nga Universiteti Europian i Tiranës dhe kompania “Pascucci”
Çmimin e dytë, e fituan studentet e degës Financë-Bankë; Anisa Marko, Juna Gryka, Xhesi Shkreta me projektin “Fresh Snail’s Farm”. Fituesit e këtij çmimi përfitojnë një internship në zyrat e Universitetit Europian të Tiranës. Kompania “Teuta” ka dhënë gjithashtu një çmim për studentet Rozeta Koci dhe Vanesa Rushiti, duke iu ofruar kështu mundësinë e një internshipi 3 mujor në ambientet e saj, falë projektit “Fluid” që studentet prezantuan.

“Palma.al”, projekti fitues i konkursit “Ideja më e mirë e biznesit”

Ervin Karmaj dhe Fatjon Rrapaj janë studentë në degën Informatikë-Ekonomike, në vit të tretë. Ata janë fituesit e çmimit të parë, në konkursin e organizuar nga UET për idenë më të mirë të biznesit. Projekti i tyre, “Palma.al” konsiston në krijimin e një platforme online, e cila do të bëjë të mundur që bizneset të reklamojnë produktet e tyre dhe të gjejnë klientë në të. Ervini dhe Fatjoni shprehen se ideja e tyre ka lindur më herët por ka qenë pikërisht ky konkurs, që i ka nxitur ata, ta venë në praktikë.

“Ideja jonë ka lindur thuajse një vit e gjysmë më parë. Frymëzuar edhe nga disa website të ngjashme, tepër funksionale në botë, menduam që pse jo diçka të tillë ta realizonim vetë ne. Megjithatë për një kohë të gjatë kjo ide, për shkak edhe të angazhimeve të tjera, nuk u vu në praktikë. Ishte pikërisht konkursi  ‘Ideja më e mirë e biznesit’ që na vuri në lëvizje dhe nisëm punën konkrete për ta realizuar atë,” –thotë Fatjoni.

Ervini dhe Fatjoni tregojnë se programimi i kësaj platforme ka nisur dhe se së shpejti ideja e tyre do të konkretizohet.

“Dëshira jonë ishte të realizonim një projekt, në mënyrë që njohuritë e marra të konkretizoheshin në një farë mënyre. Kur prof. Ermira Qosja na tregoi për këtë konkurs, gjatë lëndës që kemi zhvilluar me të, menduam të merrnim pjesë. Idenë e kishim gati dhe fakti që kjo ide do të gjykohej nga një juri profesioniste, e lidhur ngushtë me botën e sipërmarrjes, na sfidoi. Kishim dëshirë të shihnim reagimin e tyre, pikat e forta dhe të dobëta të kësaj ideje dhe jemi të kënaqur që reagimi është pozitiv. Është fat që UET na mundëson të tilla aktivitete, që kontribuojnë bindshëm në zhvillimin tonë,” shprehet Ervini.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kryebashkiaku me pranga, i shqetësuar për qytetin: Kujdes rrëshqitjet…

Zyrtarët e Bashkisë së Lezhës dolën sot para Gjykatës pë t'u njohur...
Read More