Idrizi: Ne shkojmë në zgjedhje me parimin “stalinist”

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi një takim me banorë të Njësisë nr.10 në Tiranë.

Në këtë takim ishte i pranishëm kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deputetja Mesila Doda si dhe kandidatët për deputet të PDIU-së në qarkun e Tiranës, Marin Rami dhe Arjan Hamiti.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Idrizi u shpreh se zgjedhjet bëhen jo vetëm për partitë politike, por për t’ju dhënë mundësi shqiptarëve të zgjedhin ata që do ti drejtojnë.

“Këto janë zgjedhje të pazakonta për ne shqiptarët. Janë të pazakonta sepse gjysma e spektrit politik sot rrezikon që të mos marrë pjesë në zgjedhje. Ne mendojmë që zgjedhjet nuk bëhen thjesht dhe vetëm për partitë politike, por është një mundësi që demokracia u jep qytetarëve të Shqipërisë. Iluministët e mëdhenj të kësaj bote luftuan kundër pushtetit absolut, që pushtetet të mos ishin përqëndruar në një ose disa njerëz, si këta që ne po shohim në Shqipëri. Duhet të ketë sa më shumë njerëz që të marrin pjesë në vendimmarrje. Për shkak të konfliktualitit politik një pjesë e mirë e qytetarëve të Shqipërisë mund të jenë të papërfaqësuar në këto zgjedhje”, u shpreh kryetari i PDIU-së.

Idrizi theksoi se PDIU ka propozuar një pakt kombëtar për të zgjidhur ngërçin politik, ndërkohë që u bëri apel qytetarëve ti bashkohen sloganit “Veç një Atdhe”.

“Ne kemi propozuar një pakt kombëtar. Një pakt kombëtar ku të gjithë shqiptarët ishin dakort dhe që forcat politike të uleshin për të gjetur një zgjidhje. Ne kemi dhënë votat tona pa asnjë kusht për reformën në drejtësi dhe për reformën administrative. Ne kemi propozuar edhe një pakt kombëtar për reformën zgjedhore. Ne shkojmë në zgjedhje me parimin “Stalinist” ku populli voton dhe dy partitë e mëdha numërojnë. Ne mendojmë që vota e qytetarëve të Shqipërisë është e barabartë. Vota nuk mund të transformohet në thasë mielli apo në para, në radhe të parë është dinjiteti jonë si qytetarë dhe si shqiptarë. Është mundësia juaj që një herë në 4 vjet të zgjidhni ata që do t’ju drejtojnë. Unë ju ftoj që të votoni PDIU-në. Të gjithë atyre që mendojnë se ne kemi veç një Atdhe, të gjithë atyre që mendojmë se ne shpresën e kemi në Shqipëri, për të gjithë ata që duan të ikin nga ky vend, për të gjithë ata që mendojmë se këtu ka shpres, atëherë unë ju ftoj të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Për të gjithë ata që mezi presin lotarinë amerikane dhe që mendojnë se ky vend është i begatë, të bashkohen me ne në zgjdhjet e 18 qershorit. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të gjithë ne, për të jetuar në këtë vend të bekuar. Kjo është arsyeja që ne kemi veç një Atdhe. Votoni nr.5 dhe që këtë vend të mos j’ua lemë të marrëve”, tha Shpëtim Idrizi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Studentja italiane e UET: Si e gjeta në Shqipëri punën e ëndrrave

Erasmus+, dy histori suksesi. Njihuni me historinë e Elisabetta di Stefanos, studentja...
Read More