Ikën Manjani, por konflikti ngelet

Manjani-MetaKryeministri Rama ka shkarkuar dje ministrin e Drejtësisë. Ai i ka paraqitur aktin e shkarkimit kryetarit të LSI-së. Meta e zëvendëson me Petrit Vasilin. Procesi i shkarkimit nisi dy javë më parë pas akuzave të Manjanit ndaj qeverisë dhe mazhorancës. Por LSI nuk trëhiqet nga akuzat e rënda të bëra nga Ylli Manjani, ndërsa në mbrëmje Luan Rama tha se reformat e shëndetësisë dhe arsimit kanë dështuar

Nga Fejzi Braushi

Kryeministrit Edi Rama i ka sosur më së fundi durimi dhe ka shkarkuar dje ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, duke i dhënë fund tolerimit disamujor ndaj deklaratave të pakontrolluara dhe akuzave të herëpashershme që ministri tij lëshonte në publik kundër qeverisë dhe punës së saj.

Akt për të cilin ai ka vënë në dijeni më parë edhe kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi 45-minutësh të zhvilluar në zyrën e këtij të fundit në kryesinë e Kuvendit gjatë paradites së djeshme.

Meta duket se nuk ka bërë rezistencë dhe i është bindur verdiktit të kryeministrit, duke pranuar në të njëjtën kohë shkarkimin e Manjanit si dhe të propozojë dhe zëvendësimin e tij me Petrit Vasilin.

Menjëherë pas këtij takimi, Rama do të merrte pjesë në një takim të organizuar nga Ministria e Brendshme për adresat duke dhënë një mesazh të qartë se pavarësisht akuzave të ditëve të fundit nga ana e LSI-së ai nuk do ta lëshonte ministrin e tij të Brendshëm, Saimir Tahirin.

Nga ana tjetër, Meta do të mblidhte menjëherë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Sokol Dervishajn, Petrit Vasilin, Klajda Gjoshën e disa deputetë të tjerë në zyrën e tij, të cilët do t’i informonte mbi përmbajtjen dhe rezultatet e bisedës me Ramën, e cila natyrisht nuk duhet të ketë qenë shumë e qetë.

Më pas ai do të thërriste në zyrën e tij edhe ministrin Manjani, të cilit do t’i bënte të ditur vendimin përfundimtar dhe menjëherë pas këtij takimi së bashku me Vasilin do t’i drejtohej Presidencës, ndërsa nga selia e LSI-së, zëdhënësja e kësaj force në një komunikim zyrtar për mediat do të konfirmonte se shkarkimi ishte bërë nga Rama dhe i ishte vënë në dispozicion kryetarit të Kuvendit.

Shkarkimi

“Sot paradite, kryeministri Edi Rama njohu kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën, me iniciativën e tij për lirimin nga detyra të ministrit të Drejtësisë, zotit Ylli Manjani. Ilir Meta zhvilloi një takim me kryesinë ekzekutive të LSI-së për ta informuar në lidhje me iniciativën e kryeministrit Edi Rama. Në takim u konkludua që LSI-ja të propozojë zotin Petrit Vasili si ministër i Drejtësisë, bazuar edhe në rolin e tij si anëtar i komisionit të Reformës në Drejtësi. Duke shpresuar në këtë mënyrë për koordinim më të mirë të punës dhe bashkëpunim politik brenda qeverisë”, – deklaroi Xhixho.

Ndërkohë që edhe kryeministria nga ana tjetër do të bënte publike motivacionin zyrtar të shkarkimit të Manjanit, duke theksuar se ai i shërbente një bashkëpunimi më të mirë dhe rritjes së cilësisë së qeverisjes.

Në shkresën e firmosur nga Kryeministri Edi Rama për motivacionin e shkarkimit të Ylli Manjanit dhe zëvendësimin e tij me Petrit Vasilin thuhet: “Në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të cilësisë së bashkëqeverisjes dhe të koordinimit sa më të mirë të punës me Kuvendin, aktorët e tjerë shoqërorë e grupet e interesit, për çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi, kam gjykuar të nevojshëm lirimin e Ministrit Manjani dhe zëvendësimin e tij me Ministrin Vasili”.

Prapaskenat

Por kjo është gjithë ajo që u vu re dhe u deklarua nga palët, pasi rruga për të shkuar deri te shkarkimi i Manjanit ka qenë më e gjatë dhe më e mundimshme për të dyja palët.

Burime nga mazhoranca kanë bërë të ditur se kryeministri Edi Rama megjithëse e pranoi propozimin e Metës më shumë se një vit më parë për të zëvendësuar Nasip Naçon me Ylli Manjanin në postin e ministrit të Drejtësisë, nuk e ka pëlqyer asnjëherë sjelljen e tij qoftë politike ashtu edhe mënyrën se si komunikon në publik, aq më shumë kur ai sulmonte qeverinë.

Kulmin do ta arrinte në muajin nëntor kur Manjani do të bëhej pjesë e debatit për kanabisin dhe do të propozonte nxjerrjen e ushtrisë në terren për të ndaluar përhapjen e këtij fenomeni.

Natyrisht kjo nuk do i pëlqente kryeministrit, por duke u nisur dhe nga rrethanat politike nuk do të ndërmerrte asnjë hap për ndëshkimin e Manjanit.

Situata arriti kulmin dy javë më parë kur gjatë një interviste për “Top Story”, ai do të deklaronte se brenda mazhorancës ka deputetë vrasës, ndërsa lëshoi akuza dhe bëri komente të rënda ndaj qeverisë dhe kolegëve të tij për çështjen e kanabisit, por edhe për koalicionin.

Në këtë moment mësohet se Rama vendosi t’i thotë “stop” kësaj sjelljeje të ministrit të vet dhe t’i kërkojë aleatit të vet largimin e tij nga kabineti.

Por për ta bërë fakt këtë vendim duhet të priste kthimin e Metës nga SHBA ku kishte shkuar për të marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së mandatit nga presidenti Trump.

Gjithsesi, deklaratat e Manjanit gjatë këtij emisioni do t’i dukeshin të ekzagjeruara edhe vetë Metës, i cili po gjatë një emisioni televiziv para se të nisej në SHBA do të deklaronte se nuk ishin “politikisht korrekte”.

Por ndërsa çështja ishte lënë e hapur, Manjani do t’i hidhte sërish benzinë zjarrit, ku në një intervistë tjetër, kësaj here në “Opinion” do të ripërsëriste qëndrimet e tij ndaj qeverisë dhe eksponentëve të caktuar të qeverisë.

Kësaj here Rama nuk do ta falte më dhe në takimin e parë me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta do t’i vendoste këtij të fundit ultimatum që ta largonte me anë të një dorëheqjeje, në të kundërt do ta shkarkonte ai vet.

Takimi siç mësohet ka qenë tepër i tensionuar dhe Rama vendosi të largohej drejt Italisë, ndërsa e kishte vënë Metën para dy zgjedhjeve, ose t’i kërkonte Manjanit dorëheqjen ose të pranonte diktatin e Ramës që do të vinte nëpërmjet aktit në shkarkimit.

Gjithsesi Meta i vënë para një situate të vështirë vendosi ta shfrytëzojë momentin për të marrë edhe ai përfitimet e veta.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe deputeti Vangjel Tavo në sinkron të plotë do të lëshonin një batare akuzash ndaj eksponentëve të caktuar të qeverisë, por duke i përqendruar ato te ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, duke lënë të kuptohet se Rama duhet ta largonte atë nga kjo detyrë.

Kjo solli si kundërpërgjigje edhe disa deklarata nga socialistët, çka po vinte në pikëpyetje ekzistencën e koalicionit.

Në kushte të tilla Meta do t’i jepte fund ankthit dhe do të kërkonte qetësimin e palëve duke sugjeruar zgjidhje institucionale.

Burime nga LSI bëjnë të ditur se ai do t’i kërkonte të dielën Manjanit dorëheqjen, por ky i fundit nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, vonë në mesnatë do të deklaronte se nuk e jepte dorëheqjen.

Kështu që në këto kushte do të ndërhynte Rama, i cili me dekretin e shkarkimit në dorë do t’i drejtohej të hënën në orën 10 zyrës së Metës në kryesinë e Kuvendit për të zyrtarizuar kështu largimin e Manjanit.

Një akt ky që nga njëra anë i preu rrugën edhe çdo tentative tjetër brenda qeverisë për të goditur punën e ministrave të caktuar dhe nga ana tjetër tregoi dorëzimin e Metës përballë forcës së Ramës, sidomos tashmë kur jemi në prag të zgjedhjeve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Pedagogët e UET, në çadrën e Qeverisë dhe Opozitës

Bujar Kapexhiu i bashkohet protestës: Karikaturat e mia nuk i ka censuruar...
Read More