Ikja e një aktoreje të madhe

Aktorja e madhe Hajrie Rondo ka ndërruar jetë ditën e djeshme në moshën 66 vjeçare në Himarë.

Muaj më parë aktorja i ishte nënshtruar një operacioni në kokë, vetëm pak kohë pasi fitoi luftën e mundimshme me sëmundjen e kancerit.

Aktorja mori çmimin ‘Simbol i Qytetit’ nga Erion Veliaj ndërsa preku zemrat e të gjithëve kur rrëfeu mes dhimbjes e forcës luftën me sëmundjen e mundimshme.

“I thashë sëmundjes ik tutje se kam pak punë”, u shpreh aktorja duke u kthyer në simbol force e frymëzim për të gjithë.

“Shiheni jetën me ngjyra”. Këto kanë qenë fjalët që aktorja u ka drejtuar të gjithëve.

Mesazhi i aktores dhënë në ceremoninë e marrjes së “Simbolit të Qytetit”:

“Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vëmendjen tuaj.

Kur më bënë ofertën, zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, isha në dilemë: Do rri në shtëpi të mbyllem e të bashkëbisedoj me sëmundjen apo t’i them… def, ik tutje se kam pak punë. Zgjodha këtë të dytën dhe ia dola.

Me këtë rol le të kontribuoj pak, meqë është edhe muaji kundër kancerit të gjirit për t’iu thënë grave shqiptare të bëhen të forta. Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë”, thotë aktorja e madhe ndërsa ka recituar edhe disa vargje të mrekullueshme si një mesazh për jetën.

Pavarësisht viteve dhe sëmundjes së rëndë arrin të emetojë gjithë fisnikërinë e hijeshinë që e karakterizon. Rondo ka luajtur rreth 120 role në teatër dhe rreth 40 role në filma.

Artikulli i newsbomb.al publikuar më 26. 10. 2016

Pas betejës me sëmundjen e rëndë, Hajrie Rondo u rikthye në skenën e teatrit, me dramën shqipe “Tre Dhëndurët”. Ajo tha se edhe gjatë premierës së shfaqjes “Tre Dhëndurët” ishte me kimioterapi.

“Unë jam në fazën e mjekimit, me kimioterapi. Kam bërë ndërhyrje kirurgjikale të zorrës së stomakut. Kjo më dobësoi dhe nuk e mora dot veten, por luftoj, luftoj aq sa unë kam në dorë, sa mund të bëj. E para është optimizmi, që është gjëja më e mirë, pastaj ushqyerja, këshillat me mjeken. Të gjithë mjekët më thonë: shikoje jetën me ngjyra të bukura”.

Aktorja dha edhe një mesazh për të gjitha femrat shqiptare: “Femrat të bëjnë kontrolle sa më të shumta, që ta kapin në kohë. Kjo është dhe porosia dhe këshilla e gjithë mjekëve. Tek mua rezonanca manjetike tregoi një masë që duhej bombarduar, që të luftohej. Në këtë sëmundje me mijëra njerëz me kanë mbështetur dhe kjo është një terapi. Ngjitja ime në skenë ishte për të dhënë një mesazh me këtë rol, kush ka rëndesa të tilla dhe në veçanti grave që të luftojnë, ta mbajnë jetën me dhëmbë. Jeta është e bukur dhe duhet jetuar”.

Një ditë pas shfaqjes, aktorja mori dhe medaljen e Mirënjohjes, në shenjë vlerësimi nga Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

“Unë përdor një shprehje të popullit që thotë: “Çdo të mbjellësh do të korrësh. Unë besoj se në jetën time, në karrierën time kam mbjellë mirë. Kjo ishte si qershia mbi tortë, nuk di gjë me thënë të drejtën. Pas premierës vajza më thotë: mami nesër ke sebep. Dua t’i jap uratat sa një pash vajzës sime, për shërbimin që më ka bërë, siç bëjnë bijat për nënat, por ajo vërtet shkëlqeu dhe në këtë pikë. Pastaj më thotë që kryebashkiaku do t’ju dekorojë. Ngriva, por pastaj fillova të merrja masa. Pastaj vajti mirë çdo gjë, ishte një pritje shumë njerëzore. Unë u ndjeva mirë.” Edhe pas vështirësive aktorja është e lumtur dhe u ka thënë të gjithëve që ta shohin jetën me ngjyra.

Shkruar Nga
More from Revista User

Lajme të këqija nëse keni lindur në tetor

Lajme të këqija nëse keni lindur në tetor, për shkak se sipas...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.