Ikonomi e UET-Press, projekti për biografitë e shqiptarëve të famshëm

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

UET-Press promovoi botimin e dytë të librit  “Faik Konica – Jeta në Uashington” me autor gazetarin e Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomin

Pas tre biografish të sjella mjeshtërisht në formë letrare për Ismail Qemalin, Faik Konicën dhe Esat Pashën, gazetari Ilir Ikonomi ka një projekt afatgjatë me shtëpinë e tij botuese UET-Press për të sjellë në dritë biografi të shqiptarëve të tjerë të shquar.

Lajmi u bë i ditur dje gjatë promovimit të botimit të dytë të  “Faik Konica – Jeta në Uashington” nga UET-Press, 6 vjet pas botimit të parë të këtij libri, si kërkesë e lexuesit.

“Me Ilirin kemi nisur një projekt afatgjatë për disa biografi, një cikël biografish të figurave të shquara të Shqipërisë, të para në një këndvështrim krejtësisht modern, në një këndvështrim publicistik sigurisht, me një metodë dhe një standard amerikan.  Ky projekt vjen pas tre botimeve shumë të suksesshme për Ismail Qemalin, Esat Pashën dhe Faik Konicën, të cilin e ribotojmë sot”- tha botuesi Henri Çili

Ikonomi është njohur me lexuesin shqiptar me librin “Pavarësia – Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit”, i cilësuar si një përpjekje e re për të hedhur dritë mbi ngjarjet e Shqipërisë dhe Ballkanit në fillim të shekullit XX, me biografinë e Konicës në Amerikë dhe me biografinë e ftohtë të një personazhi shumë kontravers të historisë shqiptare, Esat Pasha.

Autori theksoi dhe një herë qëllimin e tij për të shkruar në një stil amerikan që për të do të thotë, stil i ftohtë e i paanshëm.

“Është e vështirë të shkruash me një standard amerikan, por unë jam përpjekur ta bëj këtë dhe të shkruash me një standard amerikan do të thotë të jesh i ftohtë i paanshëm ndaj figurave sepse përndryshe pastaj zhytemi në llumin e polemikave politike. Sidomos në Shqipëri gjërat shpesh herë politizohen, dhe është shumë e lehtë të politizohen dhe të njerëzit të marrin flakë ose nga të dyja drejtimet . Edhe libri “Faik Konica” është shkruar në mënyrë të ftohtë pa ndonjë anshmëri politike. Unë do të thoja këtë, që gjatë viteve të fundit interesimi për Faik Konicën, ka qenë mjaft i madh, jo për shkak të batutave të tij për të cilat ai njihet shumë mirë, por edhe për jetën e tij”– tha Ikonomi.

Autori e sqaron në një parathënie të shkurtër ku shkruan se “që nga dalja në dritë e këtij libri në vitin 2011, një numër dashamirësish më kanë kërkuar të nxjerr një botim të dytë, në një format më të thjeshtë, pra më të përshtatshëm për lexuesin e gjerë”.

Sipas Ikonomit  në këtë botim të dytë nuk është shtuar lëndë e re, sepse në studimet shqiptare nuk ka patur zbulime të tilla që të trondisnin strukturën e botimit të parë. Përkundrazi, ato dokumente që kanë dalë në dritë thjesht kanë përforcuar themelin e këtij libri dhe kanë konfirmuar disa nga gjetjet kryesore të tij.

“Një numër korrigjimesh aty-këtu kanë qenë të pashmangshme. Janë saktësuar data dhe ngjarje, janë përmirësuar disa paragrafë dhe janë shtuar referenca në fund të faqeve. Studimet për Faik Konicën, duke përfshirë librin që po lexoni, e kanë bërë këtë figurë edhe më të njohur mes nesh, shqiptarëve. Dhe, duke kuptuar më thellë Konicën dhe shpirtin e tij, kemi njohur më mirë vetveten, për të parë më qartë të ardhmen”– shkruan Ikonomi në parathënien e botimit të dytë.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Eurostat, shanset e një shqiptari për të fituar azil në BE

Numri  i kërkesave për azil nga shqiptarët  në vendet e BE-së në...
Read More