IN MEMORIAM/ George HW Bush: Ai që paralajmëroi lirinë e Kosovës

Ishte viti 1992 dhe një lajm befasoi shqiptarët. Presidenti amerikan, George HW Bush i kishte drejtuar një letër në dhjetor, presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, në të cilën thuhej se në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë gati të përdorin forcën ushtarake. Ai u njoh si paralajmërimi i Krishtlindjeve dhe ishte paralajmërimi më i fortë që ishte bërë ndaj Serbisë deri në atë kohë. Disa vite më vonë, nën drejtimin e SHBA, forcat e NATO-s ndërhynë për t’i dhënë lirinë Kosovës, ndërsa pavarësinë do e shpallte nga Tirana djali i presidentit të ndjerë, George W Bush.

Pikërisht me ‘paralajmërimin e Krishtlindjeve’ i nisën shumica e mediave shqiptare raportimet për ndarjen nga jeta të shtetarit amerikan, George HW Bush në moshën 94-vjeçare. Njeriu që jo vetëm u bë presidenti, po ngriti një dinasti, ishte shuar pak pas largimit nga kjo botë e të shoqes, një tjetër grua e fortë dhe e rëndësishme në politikën amerikane, Barbara Bush.

Në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë menjëherë pamjet kur Bush i Vjetri kishte pritur Sali Berishën, në kohën kur Shqipëria po hapej ndaj botës.

“Nga takimi i parë me presidentin Bush përshtypja më e madhe ishte thjeshtësia me të cilën ai më priti. Xhorxh Bush në të vërtetë i përkiste pa diskutim fisnikërisë më të lartë të kohës, por nga ana tjetër ai ishte edhe njeriu më tokësor që mund të takoje në qarqet politike amerikane dhe botërore. Ftesa dhe pritja në Dhomën Ovale ishte një moment historik për jetën time, por brenda pak çastesh gjithçka u bë shumë e thjeshtë në komunikim. Presidenti Bush filloi bisedën me Kosovën; ajo që më bëri shumë përshtypje, por që edhe ishte problemi më kryesor. Ai u ngrit, mori një atlas në zyrën e tij, e hapi atlasin dhe u ulëm e folëm për Kosovën. Më pyeti: Çfarë mendon? Unë i shpjegova, e i thashë se plani i Milosheviçit është spastrimi etnik i Kosovës dhe ndarja e saj. Në atë kohë plani i Milosheviçit për ndarjen e Kosovës i binte mes për mes Prishtinës; e kishte pak më të madh planin se sa e kanë këta sot Milosheviçët e rinj. I thashë zotit Bush se Milosheviçi synon që qindra e mijëra shqiptarë që janë banorë në zonat e tyre prej mijëra vitesh t’i shpërngulë, t’i sjellë në pjesën tjetër dhe pastaj thotë le të bëjnë çfarë të duan, le të bashkohen me Shqipërinë ose le të bëjnë tjetër çfarë të duan. – Por kjo, i thashë unë, krijon luftë. – Pse, tha, krijon luftë? – Ne, i thashë unë, nuk e sulmojmë Jugosllavinë, por nëse Milosheviçi e ndërmerr një plan të tillë, kufi më nuk do të ketë. Ndaj dua të jem i sinqertë; edhe nëse dëshiroj të parandaloj një konflikt në shkallë të gjerë midis shqiptarëve dhe serbëve, nuk do të mund ta parandaloj atë. As nuk mund ta ndërmarr një gjë të tillë, përkundrazi, unë do të hap kufirin dhe do të bëj gjithçka që ata njerëz të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. – Right point, më tha Bush. – Ke të drejtë, është çështje e drejtë. Mënyra se si e parashtrova me vërtetësi çështja u pranua nga presidenti Bush. Pas kësaj ai luajti një rol kapital në bllokimin e këtij plani, pasi në dhjetor ai i dërgoi një ultimatum Milosheviçit me një të dërguar special, ku ia qartësoi që në rast se ti zbret ushtritë në Kosovë (sepse korparmatën e kishte në Nish dhe ishte bërë gati të zbriste), ti do të përballesh me bombardimin me të gjitha llojet e armëve amerikane, përveç atyre të shkatërrimit në masë, përveç armëve nukleare. Në të vërtetë Milosheviçi nuk e lëvizi ushtrinë”, kujton Sali Berisha.

Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara, një republikan që shërbeu një mandat nga viti 1989 në vitin 1993, mbahet mend për dëbimin e trupave pushtuese irakiane nga Kuvajti dhe për përpjekjet drejt një marrëveshjeje paqësore në Lindjen e Mesme. Presidenti Bush pasoi Presidentin Ronald Reagan në vitin 1989, pasi shërbeu dy mandate si nënpresident i tij.

Presidenca e tij përjetoi ndryshime të mëdha botërore, duke filluar me rënien e Murit të Berlinit gjatë vitit të tij të parë në detyrë. Pastaj Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991 dhe presidenti Bush dhe presidenti i fundit sovjetik Mikhail Gorbaçov njoftuan një partneritet strategjik amerikano-rus, duke sinjalizuar fundin e Luftës së Ftohtë.

Por në frontin e brendshëm, presidenti Bush i zhgënjeu votuesit duke mos realizuar premtimin e fushatës së tij për të ulur taksat. Presidenti republikan u detyrua nga shumica demokratike në Kongres të ngrinte taksat për të frenuar deficitin buxhetor në rritje. Recesioni ekonomik dhe pyetjet e vazhdueshme në lidhje me përfundimin e Luftës së Gjirit kontribuuan në rënien e vlerësimit të punës së tij duke bërë që ai të humbiste garën për t’u rizgjedhur në vitin 1992.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mesazhet antikorrupsion që përcolli takimi Lu-Xhafaj

Nga Spartak Ngjela Ambasadori amerikan Donald Lu dje takoi në mënyrë ceremoniale,...
Read More