IN MEMORIAM/ Poli meritonte më shumë kohë në jetë

Nga Bill Gejts, The Atlantic

Pol Alen, një nga miqtë e mi më të vjetër dhe ortaku im i parë në biznes, ndërroi jetë. Unë dua të shpreh ngushëllimet e mia te motra e tij, Xhodi; familjes së tij të zgjeruar; dhe miqve dhe kolegëve tij në mbarë botën.

Kam takuar Polin kur isha në klasën e shtatë dhe ai takim e ndryshoi jetën time.

Sapo e pashë, ma tërhoqi menjëherë vëmendjen. Ai ishte dy vjet përpara meje në shkollë, shumë i gjatë dhe dukej qartë se ishte një gjeni për kompjuterat (më vonë, ai gjithashtu kishte një mjekër shumë tërheqëse, të cilën unë kurrë nuk mundesha ta kisha). Ne filluam të shoqëroheshim bashkë, veçanërisht kur kompjuteri i parë arriti në shkollën tonë. Ne e shpenzonim të gjithë kohën tonë të lirë duke u marrë me çdo kompjuter që mund të na binte në duart tona.

Poli parashikoi se kompjuterët do të ndryshonin botën. Edhe në shkollën e mesme, përpara se ndonjëri prej nesh të dinte se çfarë ishte një kompjuter personal, ai parashikoi se çipet kompjuterike do të merrnin superfuqi dhe përfundimisht do të shkaktonin krijimin e një industrie të re. Ky zbulim i tij ishte themeli i gjithçkaje që bëmë së bashku.

Në fakt, Microsoft nuk do të kishte ekzistuar pa Polin. Në dhjetor të vitit 1974, ai dhe unë jetonim që të dy në zonën e Bostonit – ai po punonte dhe unë vazhdoja kolegjin. Një ditë ai erdhi dhe më tha, duke këmbëngulur, që të nxitojmë e të shkojmë te një kancelari aty afër. Kur arritëm, ai më tregoi botimin e muajit janar të “Popular Electronics”. Ajo paraqiti një kompjuter të ri të quajtur Altair 8800, i cili u zhvillua në një çip të fuqishëm të ri. Poli më shikoi dhe më tha: ‘Kjo po ndodh pa ne!’. Ky moment shënoi fundin e karrierës sime në kolegj dhe fillimin e kompanisë sonë të re, Microsoft. Kjo ndodhi për meritë të Polit.

Si personi i parë me të cilin kam bashkëpunuar ndonjëherë, Poli caktoi një standard që pak njerëz të tjerë mund të arrinin. Ai kishte një mendje të gjerë dhe një talent të veçantë për shpjegimin e lëndëve të komplikuara në një mënyrë të thjeshtë. Meqë unë kam qenë me fat që ta njoh në një moshë kaq të re, i dallova ato aftësi të tij përpara se pjesa tjetër e botës ta bënte. Si një adoleshent, unë kam qenë kurioz për çfarëdolloj gjëje, përfshirë benzinën. Çfarë do të thotë rafinim? U drejtova te personi më i ditur që njihja. Poli e shpjegoi atë në një mënyrë shumë të qartë dhe interesante. Ishte vetëm një nga shumë bisedat ndriçuese që do të kishim gjatë dekadave të ardhshme.

Poli ishte më fantastik se unë. Ai ishte me të vërtetë i ngjashëm me Xhimi Hendriks si adoleshent, dhe e kujtoj atë duke luajtur “Are You Experienced” për mua. Unë nuk kisha përvojë në shumë gjëra në atë kohë, dhe Poli donte ta ndante këtë muzikë të mahnitshme me mua. Ky është lloji i personit që ai ishte. Ai e donte jetën dhe njerëzit rreth tij, dhe përpiqej në çdo lloj forme që ta tregonte këtë gjë.

Sporti ishte një tjetër pasion që Poli donte të ndante me miqtë e tij. Në vitet e mëvonshme ai do të më merrte me vete për të parë ekipin e tij të zemrës ‘Portland Trail Blazers’ dhe me durim më ndihmonte të kuptoja gjithçka që po ndodhte gjatë lojës.

Kur mendoj për Polin, më kujtohet një njeri i pasionuar, i cili mbajti afër familjen dhe miqtë e tij. Më kujtohet, gjithashtu, një teknolog dhe filantrop i shkëlqyer, i cili donte të bënte gjëra të mëdha dhe ia doli.

Poli meritonte më shumë kohë në jetë. Ai do ta kishte shfrytëzuar më së miri atë. Do të më mungojë jashtëzakonisht shumë.

BIO

Pol Alen lindi më 21 janar të vitit 1963. Së bashku me Bill Gejts themeluan kompaninë Microsoft në vitin 1975, duke revolucionarizuar fushën e kompjuterëve. Në vitin 2018 përllogaritej se ishte njeriu i 44-të më i pasur në botë me 21.7 miliardë dollarë. Edhe ai ishte i kategorisë që kishte braktisur shkollën, pikërisht universitetin Xhorxh Uashington, për t’u marrë me programim. Kishte dhuruar më shumë se 2 miliard dollarë për kauza të mira. Por edhe pse nuk mund të blinte gjithçka, ai e humbi betejën me kancerin. Ndërroi jetë në moshën 65-vjeçare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Te fyerjet e analistëve ka diçka sintetike

Nga Klementin Mile  Lajmet më të bujshme të ditëve të fundit kanë...
Read More