Incidentet janë episodike, fushata është thelbësisht perëndimore

Nga Ervis Iljazaj

Ka bërë xhiron e rrjeteve sociale dhe të mediave një video ku shihet kandidati për deputet në Lezhë i Lëvizjes Socialiste për Integrim, që pasi ka dalë nga shtëpia e një militanti të asaj partie që pretendon se është dhunuar nga njerëz afër Partisë Socialiste, duke i futur një zarf me para në xhep “viktimës”. Menjëherë ka ardhur reagimi i Kandidatit, duke thënë se ai është një zakon malësor, ose thënë ndryshe një qokë që kanë traditë ato zona në raste të tilla.

Raste të tilla, përtej debatit nëse janë të vërteta, si dhënia e parave, po ashtu edhe sulmi për motive politike, ka patur gjithmonë në fushatat zgjedhore në Shqipëri. Ky rast, fatkeqësisht nuk përbën ndonjë lajm. Organet kompetente duhet të hetojnë dhe ndëshkojnë autorët për të gjitha rastet e tjera të mundshme në mënyrë që të instalohet njëherë e mirë kultura demokratike që vjen si pasojë e votës së lirë.

Megjithatë, kjo fushatë zgjedhore mund të konsiderohet pa frikë, fushata më e mirë që kemi zhvilluar deri më tani. Jo vetëm kaq, por nga shumë zëra publikë ajo konsiderohet jo aq agresive sa duhet, me tone të qeta midis dy forcave kryesore politike, aq sa këtë model e shohin si një marrëveshje për bashkëqeverisje mbas 25 Qershorit.

Marrëveshja që u arrit midis dy forcave politike ka shtensionuar klimën politike dhe shoqërore duke krijuar një klimë dhe një terren të qetë për garën elektorale. Kjo është një nga efektet pozitive më të spikatura që ka ardhur si pasojë e saj.

Duke filluar që nga evitimi i ndikimit të administratës publike për orientimin e votave nëpërmjet emërimit të disa ministrave teknikë që kanë detyrë parësore këtë monitorim, te ndalimi i banderolave që më parë dhunonin vizualisht qytetarët në të gjitha qytetet e vendit, e duke përfunduar te një komunikim politik i cili bazohet tek efikasiteti i tij dhe jo te sulmet personale, kjo fushatë zgjedhore është thelbësisht e një modeli perëndimor si asnjëherë më parë.

Me siguri që fenomene të tilla të padëshiruara si blerja e votës apo përdorimi i forcës gjatë fushatës nuk mund të evitohen plotësisht në një realitet shoqëror dhe ekonomik si ky i yni, por tentativa për t’i reduktuar ato në këto zgjedhje është e lavdërueshme. Askush nuk mund të mohojë rezultatin e kësaj marrëveshjeje politike në këto zgjedhje. Fenomenet negative që ndotin mbarëvajtjen e një procesi të tillë kaq të rëndësishëm, në mos janë eliminuar totalisht, janë reduktuar ndjeshëm.

Edhe pse duhet thënë se fenomene të tilla që me siguri duhen dënuar me forcën e ligjit, nuk ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve. Sado të përhapura të jenë ato, në fund vullneti i vërtetë i sovranit do të shkojë aty ku ai ka vendosur. Çdo tentativë për të manipuluar atë është një tentativë e dëshpëruar, që në thelb nuk do të arrijë asnjëherë ta devijojë. Nëse do të ishte kështu, atëherë zgjedhjet do t’i fitonin gjithmonë ata që janë në pushtet, të pasurit dhe më të fortit. Ndërkohë që faktet na kanë treguar se nuk ka ndodhur kështu. Andaj, duhet të kemi më shumë respekt dhe besim tek elektorati shqiptar.

Për të gjitha këto arsye, rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit duhet të jetë i pakontestuar dhe i pranueshëm nga të gjithë. Vullneti i sovranit do të jetë fjala e fundit dhe e vërtetë mbi fituesit dhe humbësit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

51 piktorët e Varvaricës: Kur nuk guxohej përfytyrimi i vërtetë

Është një histori e rrallë për ne, që një koleksionist privat i...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *