Industria e multimedias – Eni Derhemi- poetja, që performon me të

Jemi të ndërgjegjshëm që ky shekull ka sjellë e do vazhdojë të sjellë transformime në art nga mediat e reja të industrisë së komunikimit. Një poete e re dhe e talentuar, e edukuar me ekspertizë të përdorimit të medias dixhitale, Eni Derhemi, na befason jo vetëm me talentin e saj poetik dhe filozofues, të vargjeve që krijon, por edhe me mënyrën që ka zgjedhur, moderne dhe ekonomike, të kontaktimit me lexuesin

Nga Doc. Mimoza Ahmeti

Jemi të ndërgjegjshëm që ky shekull ka sjellë e do vazhdojë të sjellë transformime në art nga mediat e reja të industrisë së komunikimit. Një poete e re dhe e talentuar, e edukuar me ekspertizë të përdorimit të medias dixhitale, Eni Derhemi, na befason jo vetëm me talentin e saj poetik dhe filozofues, të vargjeve që krijon, por edhe me mënyrën që ka zgjedhur, moderne dhe ekonomike, të kontaktimit me lexuesin. E frymëzuar nga një video e saj, me poemat e veta të përgatitura në anglisht, me titullin “Eupnea”, të cilat kanë kaluar me suskses fazën e parë të selektimit dhe do të marin pjesë në një aktivitet kulturor të rëndësishëm në Greqi, unë iu luta Enit, të përkthejë poezitë e saj në shqip, pikërisht për këtë shkrim, që do të jetë më tepër një vetë- prezantim i saj, sesa interpretim imi.“Që nga kur mund ta mbaj mend, jeta ime ka qënë e ndërlidhur me artin. Në muret e shtëpise sime vareshin me dhjetëra piktura të babait tim dhe të artistëve të tjerë që ai admironte. Ndaj ndoshta zanafilla e dashurisë për artin qëndron brenda meje si një trashëgimi, por u kultivua edhe më tej gjate viteve të fëmijërisë dhe adoleshencës. Si pjesë e zhvillimit tim artistik, unë mora nje vendim të kthjellët për të vazhduar studimet në Liceun artistik të Tiranës, në degën pikturë dhe grafikë. Kjo eksperiencë hapi një dritare jo vetëm drejt edukimit që unë aspiroja, por edhe drejt një stili jetese ku unë u ndjeva vetvetja. Megjithatë, periudha ime më formuese mbeten vitet e shkollës së lartë në degën e Dizajnit dhe Artit në Universitetin e Bolzanos, në Itali. Gjatë gjithë kohës së largimit nga familja dhe vendi im, përjetimit të eksperiencave te reja, eksplorimit dhe njohjes së vetvetes, mbështetja ime kryesore ka qënë gjetja e poezisë në gjithçka. Ishte një periudhë eksperimentale, ku botëkuptimi im për mënyrat e qasjes ndaj krijimit u zgjerua dhe u formua më tej, duke punuar me mediume të ndryshme, si fotografia, video, instalacioni, etj. Mbylla e këtij rrugëtimini me punën e diplomës “Containting Memories” e cila gërshetonte dizajnin konceptual, përmbajtjen emocionale të materies dhe analizën e memories në një vepër instalacion, më hodhi në një pistë tjetër veprimi. Këtu linden dhe idetë e mëtejshme për ndërthurjen e mediumeve në proçesin tim krijues, të cilat vite më vonë do rezultonin edhe në punë si për shembull “EUPNEA”, një shkrije mes poezisë, video- artit dhe performancës.”

Të bëhësh 25

Lotët sonte kanë shije prej

helmi të ftohtë dhe qumështi të ngrohtë

që rrjedhin në dy pemë të ndryshme

poshtë hijeve të së cilave unë shkoj e mendoj

ku të ulem,

ku të fle..

Vizioni dhe filozofimi janë të pandarë në poezinë e kësaj autoreje të re. Ato shkrihen në një me metaforat artistike në funksion të ideve që ngadonjëherë kanë një vërtetësi të pamëshirshme.

Këmbëzbathur

Mund të tingëlloj arrogante dhe egoiste

e pasigurtë e jo në paqe,

por të lutem lermë të kuptoj

si mundem njëkohësisht të ndjej

gëzim dhe dhimbje.

Dhimbjen e të ekzistuarit

e të mospërshtaturit –

më bën kjo një ëndërrimtare

apo thjesht qesharake?

Vështirë të kuptoj tani-

linjat e poezisë sime po notojnë

në zonat gri të mendimit…

Ato aktrojnë në një sistem të panjohur

të një konteksti filozofik

që do parapëlqeja t’a eksploroja,

sesa t’a hidhja në koshin e indiferencës

Jemi frikacakë prej Vetmisë dhe të verbër perballë Bukurisë së saj.

Dhe unë rritem, pas bërthamës

së vetmisë dhe unit tim,

që përmban kuptime të ndryshme kur ke kë të fajësosh,

Thjesht fajëso veten, nuk ke kë fajëson tjetër,

Dhe edhe po të kishe – ç’ndryshim do të bënte?

Po t’a them: asnjë-

vetëm kthimin e turpit tënd

në një farë armë të mbushur

me ujë dhe dhimbje.

Të vrasësh një zog të mjerë dhe pastaj t’i vesh flakën,

a do të ndryshojë ndonjë gjë rish?

Dëshiroj që metaforat e mia të kthehen në objekte

dhe të mbush me to një kishë të boshatisur,

t’a lyej të gjithën të zezë dhe të var në muret e saj pendë mjelmash

Ndërsa nga një ujvarë-pasqyrë do bjerë shi i kuq

nga shkretëtira e së pandërgjegjshmes –

ku gabimi im është Zoti im.

“Ka diçka poetike edhe në mënyrën sesi disa nga vendimet esenciale në trajektoren time nuk u morën nga unë, por nga fati. E tillë qe edhe zhvendosja ime në Gjermani, si pjesë e programit 6-mujor Erasmus Postgraduate, për të cilin aplikova në mënyrë shume spontane. Në rrethet artistike të Frankfurtit u njoha me njerëz dhe ide që më bënë të ndihesha shumë më tepër në habitatin tim, ku arti luante një rol thelbësor. Kjo me çoi te punoja si fotografe dhe me tej asistente në një Galeri Arti Kontemporan (Galerie Heike Streloë) dhe më ndihmoi të isha në lidhje direkte me situatën artistike në Frankurt e më gjerë. Pas këtyre eksperiencave, dedikimi total ndaj artit, jo vetëm si artiste, por edhe si mendimtare, për mua u kthye në një të vërtetë të panegociueshme. Ndaj mora vendimin që të studioja më në thellësi teorinë dhe kritikën e artit, duke ndjekur studimet për Master në Universitetin e Bologna-s në degën e Arteve Vizive. Sigurisht që ky vendim nuk qartësoi gjithçka mbi të ardhmen time, por besoj se të mosqënurit e qartë ështe pjesë e procesit poetik për të cilin kam nevojë.”

Vajtim Berlinez

Unë mbush gjithçkanë e asgjësë

me pshehrëtima.

Tingujt instrumentesh bosh e të pluhurosur

e bëjnë shpirtin tim të bjerë…

Dhe ndjej që mund të shkoj drejt së bardhës së panjohur.

I thashë mirupafshim një jete tjetër

pikërisht kur nisi pranvera,

pikërisht kur dashuria vendosi

që unë mund të hidhesha në ujvarën e saj

prej engjësh të heshtur dhe demonësh melankolikë…

Në kulmin e muzgut të purpurt

m´u desh të ngashërehem

Farat e shpirtit tim duhen ujitur nga një tjetër kohë,

qielli ma di lutjen

dhe retë ma dinë dhimbjen

Hija e tyre mbi tokë ngjason…

me nostalgjinë për çka lashë pas.

Shtëpia ime është deti (fragment)

Urime, të gjithë atyre që e shpëlanë egoizmin e tyre

dhe krijuan teksa thyenin, një prizëm të ri

një piramidë qelqi-

ku asgjë nuk mund të thuhet.

Të gjitha anijet po presin që marinari i radhës të kthehet në shtëpi,

por shtëpia ime është deti dhe për mua nuk ka mbetur asgjë në shtëpi.

Unë do të zhdukem mes supeve të maleve

Ata nuk më deshën kurrë.

Ata nuk mund ta mbanin dot detin

sepse unë mund të jem një stuhi

dhe më pas të bie të fle.

Ndër gjithçka që nuk kemi unë mund kisha qenë

çfarëdoqoftë.

Gjithë historitë po mbahen

mes heronjsh dhe këngetarësh xhazi,

Shoh rininë e brezit tim tek behet më e eger dhe më e verbër,

sepse nuk ka asgjë më: të vërtetë,

sesa ritmi i rrahur,

si krahë të sapolindur, gati për të fluturuar.

Deklaratë e mbrëmjes

Eci rrugëve në një gjëndje poetike

si një zog i zënë mat brenda një pikture

i cili e shijon pafund realitetin e saj

edhe përse nuk ka asnjë realitet brenda kornizës

çfarë është realiteti gjithsesi?

Dua të jem shamanja e vetes sime,

të stërvis një buf dhe të endem në shkretëtirë,

të thaj fara lulëkuqeje dhe të mbjell shelgje buzë detit

më pas të bie në kënaqësi

teksa gjethet e tyre ujin prekin.

Vëmëndja ime lëviz ngadalë larg Unit tim,

heq qafe edhe fantazmat e së kaluarës;

unë plakem vetëm dhe vështroj ngultas një derë të bardhë,

nuk kam shpresë, por e di që mund të prehem

në paqe me shpirtrat e tjerë

në botën e nëndheshme duke dëgjuar jazz,

Duke pritur Rembonë që të ndezë qirinj mbi kraharorin tim…

Këto janë vetëm një pjesë e poemave të Eni Derhemit që u shkruan prej saj në Anglisht e u përkthyen në shqip më pas po prej saj. Ato janë botuar në videon e saj që do të marë pjesë në “Festivalin internacional të video-poezisë në Athinë” në 19 Janar të këtij viti. Titulli i kësaj përmbledhjeje, “Eupnea”, do të thotë sipas përshkrimit në Wikipedia: një frymëmarrje e mirë, normale, e aparatit të frymëmarrjes te të gjithë gjitarët, ku përfshihen dhe njerëzit.

I urojmë autores mbarësi e fat në këtë event konkurimi dhe vazhdimësi në frymëmarrjen e saj të poezisë filozofuese të ndjenjave, me një profil autentik.

Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi, 29 nëntor 2016

Dashi – Edhe pse ne një lidhje, sot do ndiheni me te...
Read More