Inercia e gju më gju me popullin e Kryeministrit, dhe ngecja e reformave të vërteta

Nga Ervis Iljazaj

Kryeministri Edi Rama është kthyer edhe njëherë te bashkëbisedimi me popullin, apo siç e quan ai në këtë rast llogaridhënia e qeverisë. Se si mund të realizohet llogaridhënia nëpërmjet takimeve të tilla, ku populli pyet dhe lideri përgjigjet kjo është një çështje tjetër, që as nuk vlen të diskutohet. Sepse në fakt, llogaridhënia apo atë që anglezët e quajnë accountability në një demokraci, nuk realizohet nëpërmjet takimeve gju më gju me popullin, por nëpërmjet instrumenteve sistemike. Megjithatë ky është një debat tjetër.

Por çfarë domethënë në këtë moment politik bashkëbisedimet me popullin për një qeveri?

A ka kuptim që një qeveri, vetëm një vit pasi ka fituar zgjedhjet të zhvillojë takime të tilla pa asnjë vlerë reale për qeverisjen dhe atë që i duhet vendit në këtë moment?

Në momentin kur Shqipëria gjendet përpara një sfide jetike, atë të hapjes së negociatave duke pritur vendimin e Këshillit e Ministrave të Europës në Qershor, të tjera akte priten nga qeveria dhe politika shqiptare në tërësi. E vetmja gjë që nuk i duhet vendit në këto momente janë shfaqje të tilla populiste që nuk na çojnë asgjëkund, por vetëm sa heqin vëmendjen nga sfidat e vërteta.

Në këtë kuptim, arsyeja që shtyn një qeveri të zhvillojë takime të tilla që duken të sforcuara, është inercia e një pushteti që nuk jep përgjigje për çështjet themelore që shqetësojnë qytetarët, dhe këtë mangësi, e transferon te forca që vjen nga populli.

Megjithatë, këto takime tregojnë edhe dy gjendje të momentit ku ndodhet qeveria.

E para është fushata permanente e Edi Ramës. Nuk ka rëndësi nëse jemi në moment zgjedhjesh apo në moment qeverisje, e rëndësishme është zhvillimi i fushatës konstante. Është e njohur nga të gjithë që Edi Rama, armën më të fortë tij ka komunikimin me publikun. Në këtë kuptim, sa herë që sebepet e komunikimit mbarojnë, kthehet te bashkëbisedimi me popullin. Por, komunikimi, edhe pse është pjesë shumë e rëndësishme e politikës së sotme, ka një vlerë të caktuar efikasitetit, është një armë që përtej një pike dhe limiti nuk ka asnjë vlerë. Sepse, herët apo vonë duhet të bësh llogaritë me realitetin.

E dyta janë ngecja e reformave të vërteta që i duhen vendit. Në mandatin e tij të parë, Edi Rama ndërmori disa reformat e rëndësishme, të cilat, për hir të vërtetës ishin edhe me kosto elektorale për qeverinë, por, që ishin të domosdoshme për vendin. Mjafton këtu të përmendim reformën e energjisë, të arsimit etj. Mandati i parë i Ramës u shënjua nga iniciativa të rëndësishme reformuese, por, në mandatin e dytë, qeveria e ka filluar me një filozofi totalisht të kundërt. Nga reformat ka kaluar te bashkëbisedimi me popullin. Pra, qeverisja ka pësuar një metamorfozë, nga reformuese në populiste, gjë e cila nuk shkon aspak në favor të shoqërisë, por vetëm të pushtetit. Po të shtosh këtu Reformën në Drejtësi, e cila është kushti thelbësor për hapjen e negociatave, që po has pengesa nga politika shqiptare, atëherë kuptohet fare lehtë, që populizma si takimet me popullin, janë thjesht një mënyrë për t’iu shmangur reformave të vërteta. E gjitha kjo histori, ngjan si një strehim te populli, sa herë që gjendesh në vështirësi qeverisje të vërtetë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fituesi i “Çmimit Kadare”, Virgjil Muçi: Gjithçka që shkruan një shkrimtar është autobiografike

Fituesi i çmimit Kadare, Virgjil Muci në një rrëfim mbi letërsinë...Historia e...
Read More