Ines Troshani, një rrugëtim dijesh mes Amerikës dhe Shqipërisë


Profil Alumni/ Ish-studentja e UET që punon pedagoge në Uashington, SHBA. Përse zgjodhi UET dhe si ka qenë rrugëtimi i saj në 5 vite studimi në këtë universitet
 

Shkollimi dhe më pas karriera e punës për Ines Troshanin mund të përkufizohet fare mirë si një rrugëtim dijesh mes Amerikës dhe Shqipërisë. Shkollën e mesme në SHBA, universitetin në dy cikle studime Bachelor dhe Master në Tiranë pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe më pas rikthimi në SHBA sërish në një auditor universiteti, po këtë herë si asistent/lektore.
Po si ka nisur ky udhëtim i një prej studentëve të Alumni më të suksesshëm të UET-it?

Në momentin më të rëndësishëm, atëherë kur duhet të vendoste për të zgjedhur profesionin e saj, ajo vendos të rikthehet në Shqipëri dhe të studiojë në Universitetin Europian të Tiranës në degën Financë-Bankë. Sapo kishte përfunduar studimet e saj të shkollës së mesme, në gjimnazin “Brimfield”, në Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në UET, Ines ka studiuar përgjatë dy cikleve të studimit, Bachelor dhe Master gjatë viteve 2010-2015.

“Në moshën 18-vjeçare, çdo maturant përballet me vendimin e parë të vështirë në jetë, atë të zgjedhjes së profesionit. Për mua, dilemë akoma më e madhe ishte zgjedhja e universitetit, në morinë e shkollave publike dhe private në Shqipëri. Në Qershor 2010, e sapokthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas përfundimit të maturës në Shkollën e Mesme Brimfield, Illinois, me dëshirën e madhe për të studiuar Ekonomi–Financë, një zgjedhje e sugjeruar nga vlerësimi i aftësive të mia në përfundim të vitit shkollor nga stafi i karrierës i shkollës së mesme. Faktorë si reputacioni shumë i mirë në treg, grupi i shkëlqyer i pedagogëve, kultura e brendshme lehtësisht e dallueshme në çdo cep të shkollës si dhe ofrimi i bursave të ekselencës, ma qartësuan dhe lehtësuan shumë procesin e zgjedhjes së Universitetit Europian të Tiranës”, shprehet ajo në lidhje me zgjedhjen e saj.

Padyshim që përvoja e të studiuarit në Amerikë është një përvojë e jashtëzakonshme për këdo, jo vetëm për shkak të kualitetit në arsimim por edhe sepse paraqet një mundësi të shkëlqyer për të njohur kultura të reja, për t’u përshtatur me një vend të huaj, për të bashkëvepruar me studentë nga vende të tjera. Por si është ndjerë Inesi me përvojën e re akademike që e priste në Shqipëri?

“Mund të them se në moshën 18-vjeçare, përballesh me shumë variabla të panjohura. Mbase pritshmëritë e mia në lidhje me UET nuk ishin edhe aq të qarta në fillim të vitit të parë shkollor, nuk e dija saktësisht çfarë të prisja nga shkolla e lartë, çfarë ndryshimesh kishte në krahasim me shkollën e mesme. E vetmja variabël e njohur ishte ajo e studimit deri në orët e vona, me vullnet e përkushtim për të arritur qëllimet dhe rezultatet e mira. Megjithatë me kalimin e kohës, numri i variablave të panjohura u zvogëlua dukshëm falë ngrohtësisë dhe mbështetjes nga pedagogët e mi”, tregon ajo për gazetën Mapo.

Një studente shumë e mirë në mësime, së cilës vullneti dhe përkushtimi ndaj procesit mësimor, iu shpërblye shpejt në përfundim të ciklit Bachelor, ku aplikimi për punë në një nga bankat më në zë në tregun shqiptar, u pranua me sukses.

“Tentativa ime e parë në botën e punës ka qenë në pozicionin arkëtare në Bankën Kombëtare Tregtare, në Tiranë. Menjëherë pas diplomimit në ciklin e studimeve Bachelor, me profil Financë-Bankë, hyra në intervistën time të parë reale të punës në Zyrat Qendrore të BKT-së me vetëbesim dhe me këshillat e pedagogëve të mi. Përveç njohurive të marra në fushën e ekonomisë, që nga menaxhimi i fluksit të punës, komunikimi me menaxherët, bashkëveprimi me kolegët e punës e deri te hartimi i CV-së dhe strategjitë për një intervistë pune të suksesshme, i mësova të gjitha në UET”.

Fill pas suksesit të parë në tregun e punës dhe përmbylljes me sukses të ciklit Master, karriera e Inesit duket se ka filluar të lulëzojë. Ajo tashmë zotëron edhe një arritje tjetër, një master në universitetin e Gonzagas, në Spokane, Uashington, ku edhe punon aktualisht si asistent/lektore pranë këtij universiteti.

“Me të njëjtat veçori, aplikova dhe për pozicionin aktual të punës si Teaching Assistant në Universitetin e Gonzagas, ku po mbaroj studimet MBA (me përqendrim në Financë). Falë kësaj eksperience, kam qartësuar hapat e karrierës sime të ardhshme, e cila do të plotësohet me pozicionin e punës në Gonzaga, si Adjunct Faculty në lëndën Statistikë Biznesi për periudhën Janar-Maj 2018, si dhe me fillimin e një faze të re studimi në Shtator 2018, atë të PhD në Menaxhim Operacional në një nga universitetet amerikane. Vlerat e përftuara nga UET, të ndërthurura me ato të fituara në Gonzaga, padyshim do t’i aplikoj dhe në të ardhmen në karrierën time”, shprehet ajo.

Ndërkohë që hapat e saj drejt suksesit, duket se i hedh të sigurta, Inesi ndan me gazetën Mapoedhe një këshillë për të gjithë studentët të cilët aspirojnë të kenë gjithashtu sukses në jetën e tyre profesionale.

“Sugjerimi im për studentët aktualë të UET, lidhet me zgjedhjen e profileve të ciklit Bachelor dhe Master. Benefitet e marra nga UET do të maksimizohen në qoftë se profilet e zgjedhura nuk janë të njëjta por plotësojnë dhe ndërthuren me njëra-tjetrën. Më konkretisht, një studenti që sapo ka mbaruar ciklin Bachelor, Dega Financë-Bankë, do t’i sugjeroja të zgjidhte Master në Biznes-Administrim, duke thelluar në këtë mënyrë njohuritë e tij dhe në botën e biznesit dhe duke rritur shanset për punësim. UET është absolutisht një nga universitetet më të mira në Shqipëri, dhe një mundësi e shkëlqyer për çdo student për t’u njohur me praktika europiane mësimdhënieje, dhe jo vetëm. Prandaj çdo moment i këtij cikli studimesh duhet shfrytëzuar maksimalisht. Është pa diskutim periudha më e rëndësishme e jetës! Nëpërmjet literaturave shqiptare dhe të huaja që UET përdor, stafit pedagogjik me eksperiencë shumëvjeçare si dhe nëpërmjet bashkëveprimit me studentë të tjerë (kolegë të ardhshëm), çdokush mund të arrijë që gjatë atyre viteve të formohet profesionalisht dhe individualisht”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Botohet vepra: Mit’hat Frashëri, nga arkivat te lexuesi…i panjohur!

Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo” ka përuruar vëllimin e parë të një...
Read More