Infeksionet e syve, ndërprerja e ilaçeve rikthen problemin, si trajtohet 

Konjunktiviti alergjik stinor i syve nuk mund të parandalohet por trajtohet, konsulta me mjekun okulist do të përcaktojë edhe trajtimin e duhur, marrja e së cilës deri në fund e trajtimit është e domosdoshme

Keni kruajtje të syve, lotim të shpeshtë, nuk duroni dot diellin dhe në mëngjes keni pak sekrecione të bardha; atëherë po vuani nga një infeksion i syve, konjunktiviti alergjik stinor i syve. Bëhet fjalë për një inflamacion stinor të syve që shfaqet gjatë kësaj periudhe, prek të gjitha moshat por më të predispozuar janë personat alergjikë dhe ata sensibël. Në një intervistë për gazetën “Mapo” Nora Burda, mjeke okuliste pranë Qendrës Shëndetësore Nr.9 në Tiranë shpjegon se kur personat kanë këto shenja nuk duhet të ngurojnë të shkojnë te mjeku specialist sepse në rast mostrajtimi problemi shëndetësor agravohet. Po kështu doktoresha apelon që të sëmurët të vazhdojnë kurën deri në fund, pasi mos përfundimi i ilaçeve rikthen infeksionin e syve, dhe shërimi jo vetëm që do të marrë më shumë kohë, por do të duhen edhe disa kura të tjera. “Me trajtimin lokal që japim ne, shenjat klinike mund të lehtësohen brenda dy–tre ditësh dhe pjesa më e madhe e pacientëve përdorin ilaçet dy–tre ditë dhe më pas i lënë. Në fakt terapia duhet të merret deri në fund sepse nëse i lë ilaçet përgjysmë, pas dy javësh do të rikthehet prapë”, shpjegon okulistja Burda.

Çfarë është inflamacioni stinor i syve?

Në stinën e pranverës më tipike janë inflamacionet alergjike të syve sepse lidhen me polenet e luleve, me ndryshimin e temperaturave, me zhvillimin e alergenëve të ndryshëm. Jo se nuk janë gjatë gjithë vitit por theksohen më shumë gjatë stinës së pranverës dhe të vjeshtës. Konjunktiviti alergjik është inflamacion stinor më i hasur, më i shpeshtë.

Si shfaqet, cilat janë shenjat klinike me të cilat manifestohet?

Gjatë kësaj periudhe pacienti ndjen kruajtje të syve, ka lotim të shpeshtë, nuk duron dot diellin- që quhet ndryshe fotofobi, dhe ka pak sekrecione të bardha në mëngjes të cilat nuk e shqetësojnë shumë. Por ajo që bëhet e padurueshme për pacientin është kruajtja e syve dhe ndjesia e bezdisë në sy. Këto shenja klinike që lidhen me shfaqjen e konjunktivitit alergjik shpeshherë janë të shoqëruara edhe me shenja sistemike. Sepse që një pacient të shfaqe konjunktivit alergjik duhet të jetë alergjik në shkallë të ndryshme; mund të jetë alergjik me astmë bronkiale, mund të ketë një rinit alergjik, mund të ketë otit alergjik, dermatit alergjik shoqëruar me fenomene apo elemente alergjike në lëkurë. Por kjo gjithmonë varet nga shkalla e alergjisë që ka; ose ka sensibilitet alergjik, i cili shprehet me rritjen e nivelit të histaminave ne gjak, ose është alergjik që ka bërë provat e alergjisë dhe ka rezultuar i tillë.

Kohëzgjatja, sa ditë është normale moskontrolli?

Duke qenë se ndër shenjat e para që shfaqet konjunktivitet alergjik është kruajtje e syve, dhe zakonisht pacientët para se t’i drejtohen mjekut presin 2-3 ditë, por edhe deri në një javë, duke qenë se nuk durojnë dot më normalisht i drejtohen mjekut. Por përveç kruajtjes së syve kanë edhe një eritemë, një skuqje përreth kapakëve që sa herë e shikojnë pacientit direkt e kupton që mund të ketë alergji. Kapakët e syve kanë skuqje, manifestojnë një hiperemi të lehtë kutane, kanë një skuqje të kapave të syve, por edhe syri.

Shkaqet dhe cilat janë grupmoshat më të rrezikuara?

Një person alergjik është më i predispozuar për të zhvilluar inflamacion stinor të syve sesa një person tjetër që ka sensibilitet. Sepse alergjikët mund të kenë edhe shenja sistemike, kurse një person që ka ndjeshmëri të rritur ndaj alergenëve por nuk është alergjik që të trajtohet nga alergologu, shfaq vetëm fenomene të syve; kruajtje, djegie, lotim dhe bezdi të madhe nga drita e diellit, dritat e televizorit etj. Kjo patologji prek që nga bebet e deri në moshën e tretë që preken nga konjunktiviti alergjik, prek të gjitha moshat.

A mund të parandalohet, cili është trajtimi i duhur?

Konjunktiviti alergjik stinor i syve trajtohet me pika në sy, një solucion lubrifikant artificial, lot artificial që i merr pacienti sepse pastron sipërfaqen e konjunktivës nga alergenët e ndryshëm që mbivendosen dhe japin alergji, po kështu merr një pomadë me antibiotik dhe kortizonik. Me trajtimin lokal që japim ne shenjat klinike mund të lehtësohen brenda dy–tre ditësh dhe pjesa më e madhe e pacientëve përdorin ilaçet dy–tre ditë dhe më pas i lënë. Në fakt terapia duhet të merret deri në fund sepse nëse i lë ilaçet përgjysmë, pas dy javësh do të rikthehet prapë. Prandaj kura kur merret dhe mbarohet deri në fund. Sepse ka ndodhur që pacienti bën një kurë, i lë ilaçet dhe për dy ditë ka shfaqje të problemit, atëherë do të marrë sërish kurën, dhe mund të zgjasë inflamacioni, por që si problemet trajtohet, kalon nuk lë pasoja. Merret trajtimi deri në fund, bëhet rikontrolli kur i kërkohet nga mjeku specialist për të parë ecurinë. Sepse mund të ndodhë që preparati s’ka dhënë efekt duhet ndërruar, por këto janë raste të rralla. Gjithsesi asgjë nuk duhet neglizhuar.

Në rast ndërprerje të trajtimit, çfarë rrezikon i sëmuri?

Në rast mostrajtimi inflamacioni agravohet dhe i skuqen më shumë sytë, rriten shenjat klinike, ndjesia e padurimit dhe kruajtje rritet shumë. Nuk ka dëmtim të pamjes por bezdia e madhe që ndjejnë personat i shqetëson shumë dhe mund t’i pengojë në kryerjen e aktivitetit normal. Të gjithë personat që janë alergjik dhe kanë sensibilitet duhet të bëjnë një vizitë tek alergologu për të përcaktuar se nga çfarë janë alergjikë sepse mund të jenë alergjik nga pluhurat e shtëpisë ose diçka tjetër. Pasi të ketë bërë provat e alergjisë dhe rezulton alergjik atëherë duhet të trajtohet. Por në rastin se ka shenja klinike të konjunktivitet alergjik stinor të syve dhe shoqërohen me shenja sistemike atëherë duhet bërë vaksina, nuk shfaq më fenomene alergjike.

Vizita tek okulisti:

Pacientët që kanë ankesat e sipërpërmendura duhet të drejtohen fillimisht mjekut të familjes cakton datën e vizitës për te mjeku okulist, orën nga ku më pas paraqitet për te specialisti dhe merr mjekim. Në rast se situata rëndohet bashkë me një situatë bashkëshoqëruese, pacienti dërgohet edhe për konsultë spitalore në qendrën spitalore terciare.

 

Trajtimi i konjunktivitet alergjik stinor të syve:

Një antisaminik lokal, me pika në sy tre herë nga dy pika deri sa të mbarojë preparati.

Loti artificial tre herë nga dy pika deri në mbarim të preparatit.

Pomada në darkë me përmbajtje kortizoniku dhe antibiotiku para se të flejë, hidhet në sy për të ulur edhe edemën e konjunktivës ose chemosis që ka pacienti dhe për të qetësuar ndjesinë e kruarjes.

Në rastet kur pacienti paraqet koekzistencë të rhinitit alergjik ose otitit alergjik, me sekrecione nga hundët, teshtima të shpeshta, kruarje të veshëve apo edeme të theksuar të kapakëve me hyperemi i shtojmë trajtimit te sipërpërmendura tableta antihistaminikesh për 10 ditë nga 1 tabletë në ditë. Ndërkohë i rekomandohet konsultë Alergologu.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nëse reforma administrative zvarritet, më mirë mos të fillojë

Nga Ervis Iljazaj Një nga problemet më të mëdha që ka patur...
Read More