Innovation Hub -Inkubatori i ideve në universitet

innovation-hubNjë hapësirë prej 800 m² për të gjithë të rinjtë, të cilët kanë një ide biznesi dhe duan ta zhvillojnë atë. Mbështetje profesionale për zhvillimin sa më të plotë e të suksesshëm të ideve të reja të biznesit në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe financimi i zbatimit të ideve më të mira. Krijimi i inkubatorëve të biznesit në universitete nis nga UET-i

Nxitja e të rinjve drejt sipërmarrjes dhe inovacionit ka sjellë në vendin tonë një nga projektet më të kërkuara sot në botë, sidomos nga universitetet. Innovation Hub synon të bëjë bashkë të rinjtë që kanë ide inovative dhe sipërmarrëse. Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike në bashkëpunim me programin Italo-Shqiptar dhe universitete po synon të nxisë të rinjtë drejt sipërmarrjeve inovative. Projekti u ofron atyre mundësinë që të bisedojnë, të ndajnë idetë dhe t’i zhvillojnë ato, nxit pjesëmarrjen dhe sipërmarrjen e teknologjisë, informacionit dhe të komunikimit duke nxitur aktivitete krijuese, inovative dhe konkurruese.

Ky projekt u prezantua edhe në Universitetin Europian të Tiranës, ku studentët e Klubit të Inovacionit janë bërë pjesë e këtij inkubatori për të zhvilluar idetë e projektet e tyre inovative. Gjatë prezantimit zëvendës/rektorja, prof. dr. Luljeta Minxhozi i inkurajoi studentët që të angazhohen pranë kësaj nisme, duke theksuar se “nëse Shqipëria dëshiron të rritet shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme, fjala kyç është inovacioni”.

Drejtuesit e projektit synojnë ta shtrijnë në shumë universitete të tjera ashtu si në UET, për të krijuar inkubatorët e tyre të ideve, ku Innovation Hub të luajë rolin e ndërmjetësit mes universiteteve dhe bizneseve.

Në një intervistë për MAPO-n, Drejtoresha e Innovation Hub, Ada Ilia, zbulon mënyrën si funksion ky inkubator, çfarë ndodh me idetë e të rinjve, si përzgjidhen ato ide që financohen më tej etj.

Çfarë është Innovation Hub? Si lindi ideja për ta sjellë në Shqipëri?

Innovation Hub është një projekt i ideuar dhe i zbatuar nga Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe i financuar nga Programi Italo-Shqiptar i Konvertimit të Borxhit për Zhvillim- IADSA.

Objektivi i këtij projekti është të promovojë dhe të mbështesë përfshirjen sociale duke siguruar programe të qëndrueshme të punësimit për të rinjtë, duke rritur përfshirjen e tyre aktive në sipërmarrjen e TIK-ut, veprimeve kreative, inovative dhe konkurruese përmes ndërtimit të kapaciteteve, zhvillimin e partneriteteve dhe rritjen e aktivitetit sipërmarrës, si dhe duke nxitur zhvillimin e ideve/iniciativave të reja dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Qëllimi i projektit është që të krijojë një brez të sipërmarrësve të rinj, kryesisht në fushën e ICT-së, duke forcuar mundësitë e bashkëpunimit nëpërmjet ngritjes së rrjeteve, si dhe duke dhënë mbështetje në të gjitha fazat e zhvillimit dhe të përgatitjes së idesë së biznesit.

Në kudër të këtij projekti është vënë në dispozicion një hapësirë prej 800 m², mbrapa godinës së Kryeministrisë, për të gjithë të rinjtë të cilët kanë një ide biznesi dhe duan ta zhvillojnë atë. Kjo qendër vendos në dispozicion jo vetëm hapësirën dhe mjetet e punës por edhe mbështetje profesionale për zhvillimin sa më të plotë e të suksesshëm të ideve të reja të biznesit në fushën e Teknologjisë së Informacionit.

Ky projekt synon të forcojë dhe mbështesë sipërmarrjen e të rinjve nëpërmjet përpjekjeve të intensifikuara të koordinimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile, private dhe institucioneve publike.

Projekti zbatohet në partneritet me Partnerët Shqipëri, Qendra për Ndryshim dhe Menaxhim Konflikti dhe Instituti për Zhvillim dhe Bashkëpunim Marin Barleti. 

Cilat janë mundësitë që i vë në dispozicion Innovation Hub një të riu, i cili ka një ide por nuk di si ta zhvillojë më tutje atë?

Innovation Hub Tirana shërben si një katalizator për të ndihmuar kalimin nga faza e perceptimit të idesë deri në krijimin e produktit/shërbimit, duke ofruar bashkëpunim, ambiente të posaçme për zhvillimin e idesë, rrjetëzim, mbështetje dhe kur është nevoja investitorë.

Innovation Hub Tirana është kurator i punës fizike dhe virtuale dhe hapësirat sociale të dizajnuara për të ndihmuar të materializohet vizioni për një botë më të mirë – duke ofruar një përzierje unike të infrastrukturës, kontakteve, frymëzimit, dhe të mësuarit për njerëzit që duan të lëvizin idetë e tyre nga qëllim për të ndikuar.

Te Innovation Hub të rinjtë gjejnë hapësira inovative pune, si:

Tech shop – printera 3D, skaner 3D, stacionet saldim etj., në mënyrë që të rinjtë të mund të ndërtojnë prototipa të produkteve.

Hacker Space – një hapësirë pune operative ku entuziastët e kompjuterit mund të takohen, të bisedojnë dhe të bashkëpunojnë dhe të ndajnë interesat e tyre të përbashkët, shpesh në informatikë, përpunimit, teknologji, shkenca, arti digjital ose arte elektronike.

Fabrication Lab– një ambient pune në shkallë të vogël, i cili ofron fabrikime digjitale

Open design City– përfshin krijimin e “free and open-source software (FSS), ashtu si dhe “open source hardware” (OSH) dhe të gjitha proceset fasilitohen nëpërmjet përdorimit të pajisjeve elektronike ICT, tabela Arudino, Raspberry Pi etj.

Laboratori “Hardware”- ofron lehtësi në organizimin e video konferencave, me audio dhe video te cilësisë së lartë. 

Çfarë përfitimesh sjell Innovation Hub, për këtë të ri me një ide të mirë?

Innovation Hub Tirana, ofron shërbimin e këshillimit dhe promovimit të iniciativave të të rinjve. Një grup ekspertësh të specializuar në fusha të ndryshme (start-up, marketing, juridik, ICT etc.), është në dispozicionin për t’i udhëhequr gjatë rrugëtimit të realizimit të projektit të tyre.

Innovation Hub Tirana ofron falas seminare informuese apo konsultime paraprake, shërbime profesionale, duke lejuar të rinjtë të zhvillojnë më tepër krijimtarinë në fushën e ICT, por njëkohësisht të jenë edhe në kontakt me biznese, të cilat kanë nevojë të punësojnë të rinj.

Ndër të tjera Innovation Hub Tirana ofron: Lobim; Bashkëpunim; Zhvillim idesh; Investime; Leadership; Kreativitet; Vlerësim.

A mund ta quajmë çdo ide që ka një person si një inovacion? Si e bën dallimin ky projekt nëse një ide është e mirë apo jo?

Natyrisht që jo çdo ide është inovacion. Ide inovative janë ato ide të reja të pazbatuara më parë, të cilat zgjidhin një nevojë në treg apo në shoqëri, pra sjellin vlerë të shtuar për organizatën ku implementohen apo shoqërinë në tërësi. Teknologjia dhe shkenca në ditët e sotme ecin me hapa shumë të shpejtë, e kur flasim për Shqipërinë pjesa më e madhe e ideve janë një riprodhim i eksperiencave dhe modeleve të përdoruara në vende më të zhvilluara, por që kur prezantohen në ambientin tonë përbëjnë një risi (inovacion i pjesshëm). Në të njëjtën kohë ne përpiqemi dhe besojmë fort që të rinjtë në Shqipëri i kanë tashmë të gjitha aftësitë akademike, profesionale dhe informacionin e nevojshëm për të gjeneruar ide të reja, pse jo edhe të paeksploruara më parë. Në këtë moment ka nevojë për mbështetje institucionale dhe për krijimin e besimit që inovacioni ndodh edhe në vende të vogla si Shqipëria, kur ekzistojnë dëshira, vullneti, njohuritë dhe kushtet e nevojshme. Innovation Hub po përpiqet të përhapë pikërisht këtë frymë.

Ka patur deri më sot ndonjë ide, e cila është kthyer në produkt apo shërbim?

Në kuadër të projektit Innovation Hub, nëpërmjet mbështetjes financiare të Programit të Konvertimit të Borxhit për Zhvillim IADSA, u mundësua financimi i 15 ideve start-up në fushën e ICT-së.

  1. Teenager management System (Sistem menaxhimi të adoleshentëve)- një aplikacion online për informimin e prindërve në kohe reale mbi mbarëvajtjen në shkollë të fëmijëve.
  2. Planetarium Albania – synon të sjellë sa më pranë astronominë dhe studimet hapësinore për qytetarët e Tiranës si qytet pilot.
  3. UBI (Latinisht: Ku?) – është aplikacion mobile, i cili do të ndihmojë qytetarët e Tiranës dhe jo vetëm këta, në përdorimin e transportit publik në mënyrën më eficiente të mundshme.
  4. Promovim online i Kryeqytetit – një platforme elektronike, një platforme cilësore, me informacione për vendës dhe të huaj në lidhje me kryeqytetin e Tiranës.
  5. Platformë për kurse interaktive në shqip- Ofrimi i trajnimeve online dhe modernizimin e sistemit të formimit profesional nëpërmjet shfrytëzimit efikas të teknologjisë së informacionit, të realizuar nëpërmjet krijimit të një portali të teknologjisë më të avancuar për mësimdhënie online, me kosto të ulët.
  6. “Tirana 360ᵒ” – për herë të parë në mënyrë të kompletuar në Shqipëri ofron shërbimin Virtual Tour 360ᵒ.
  7. Aplikacion “Doktori im” – Si edhe nga emri ky aplikacion përmban informacion rreth shëndetësisë, duke e ndarë informacionin në një menu. Me këtë synohet që çdo qytetar që ka një smartphone dhe ka të instaluar aplikacionin të ketë informacion e duhur në atë moment kohe.
  8. E-LIBER Digital Publishing.

besarta-vladiKlubit i Inovacionit UET: Si nxiten studentët drejt ideve inovatore?

Pothuajse të gjithë studentët e klubit të Inovacionit në UET kanë marrë pjesë në projektin Innovation Hub, që mbështetet nga Ministria e Inovacionit. Si urë lidhëse mes këtij klubi dhe projektit është bërë mentorja e klubit si dhe pedagoge në UET, dr. Besarta Vladi, e cila mban dhe detyrën e këshilltares pranë Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike në kuadër të Programit Lead Albania. Vladi thotë për MAPO se studentëve nuk u mungojnë idetë, por mbështetja.

“Realisht studentët kanë ide inovatore dhe sfida e një pedagogu apo mentori nuk lidhet shumë me nxitjen e ideve inovatore tek ata, por me faktin se si të bëhet e mundur që këto ide të konvertohen në produkte apo shërbime inovatore. E thënë thjesht, sfida qëndron tek implementimi i këtyre ideve në një periudhë më afatgjatë. Megjithatë, kultura e të menduarit dhe të punuarit në favor të klimës inovatore te studentët lidhet edhe me metodologjinë e mësimdhënies. Studentet duhen ‘lënë të lirë’ në idetë e tyre! Kjo nënkupton që duhet të jemi sa më liberalë në metodikat e mësimdhënies, sa më larg kornizave tradicionale ku studentët flasin pak (ose aspak) dhe pedagogu dominon klasën. Gjithashtu studentët duhen nxitur të ndajnë idetë me njëri-tjetrin dhe të bashkëpunojnë në mënyrë që idetë e tyre të jene më të plota. Së fundmi, studentët duhen sfiduar por edhe motivuar. Duhen sfiduar në mënyrë që ata të jenë sa më kuriozë dhe krijues (dhe jo përsëritës të gjërave të gatshme). Nga ana tjetër ata duhen motivuar në mënyrë që të krijojnë vetëbesim. Shumë ide inovatore mbeten thjesht në letër pikërisht sepse nuk ekziston besimi që ato ide nesër mund të kthehen në një projekt konkret që mund t’i vlejë shoqërisë. Studentët janë një potencial i jashtëzakonshëm sa iu përket ideve inovatore, por janë strukturat e ndryshme institucionale (institucionet publike, universitetet, organizatat e ndryshme etj.) që në koordinim me njëra-tjetrën duhet të asistojnë procesin e përkthimit të këtyre ideve në projekte inovatore të qëndrueshme. Innovation Hub mundohet ta ofrojë më së miri këtë lloj mbështetjeje për çdo student apo grup studentesh që kane një ide inovatore dhe kërkojnë ndihmë për ta përkthyer idenë e tyre në produkt/shërbim konkret”.

10 idetë më të bukura inovative

Bota po ndryshon me ritëm të shpejtë si pasojë e zhvillimeve teknologjike. Vetëm në 5 vitet e fundit shënohen me mijëra shpikje në këtë fushë, por 10 prej tyre konsiderohen si më fantastiket

  1. Printimi në formatin 3D

Një printer 3D, mund të bëjë gjëra të mahnitshme. Disa prej tyre janë pajisje të ndryshme, llambat, pica dhe shumë gjëra të tjera.

  1. Hoverboard

Një ide e cila është ende në fillimet e saj, pavarësisht se janë zbuluar prototipe te ndryshme. Është ideja e një dërrase, e cila rri pak centimetra pezull nga toka.

  1. Selfiestick

Kjo është diçka të cilën e doni ose e urreni, nuk ka të ndërmjetme. Nuk mund të mohoni faktin se është shumë inovative.

  1. Instagrami

Platforma më e mirë për të postuar snapshotet e lavdishme të ushqimit shoqëruar me një filtër.

  1. Android OS

Një sistem operativ që ka qenë rreth nesh për 5 ose 7 vitet e fundit. Është e mahnitshme mënyra se si kemi ardhur duke u rritur teknologjikisht në këtë kohë të shkurtër. Miliarda njerëz në të gjithë botën, e përdorin këtë sistem operativ.

  1. Shërbimet Video streaming

Shërbimet Video Streamin si Netflix apo Crave Tv, Shomi, kanë ripërcaktuar mënyrën se si ne e konsumojmë kohën në filma dhe TV.

  1. Smart watches

Një revolucion i mënyrës se si ne marrim informacion. Mund të bëjë çdo gjë ashtu si një smartphone.

  1. Crowd-funding sites

Këto faqe ashtu siç Kickstarter, GoFundMe etj., ofrojnë një shans financimi për artistë dhe njerëz me ide të mira, që t’i zhvillojnë ato.

  1. Google Glass

Pajisja pa duar e smartphonit, na ka çuar drejt një niveli të ri të ekzistencës. Edhe pse është ndaluar prodhimi i prototipit, Google është mjaft i angazhuar për zhvillimin dhe përmirësimin e projektit.

  1. Daily deal sites

Faqet e përditshme me marrëveshje të tilla si WagJag, e kanë bërë më të lehtë jetën tonë kolektive gjatë pesë viteve të fundit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Argumentet për të votuar qëndrimin në BE

BE-ja është gjithashtu një forcë politike në botë, një klub i demokracive...
Read More