Instituti Europian Pashko: Ja strategjia liberale për tre vitet e ardhshme

Ish-ministri i Financave në qeverinë “Berisha”, Genc Ruli, deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, gazetarët Armand Shkullaku dhe Mustafa Nano, si edhe ekonomisti Selami Xhepa u ndalën në agjendën kërkimore për tri vitet e ardhshme dhe aktivitetet e reja që do i shtohen portofolit të veprimtarive që organizon Instituti Europian Pashko. Anëtarët ishin njëzëri rreth nevojës që ka sot shoqëria shqiptare për të thelluar përpjekjet rreth liberalizmit

Gjithçka për liberalizmin. Është kjo motoja e Institutit Europian Pashko, që duke ecur në gjurmët e mendimtarit liberal në nder të të cilit ka marrë edhe emrin, punon për t’i çuar përpara këto vlera jo vetëm në politikë dhe ekonomi, por edhe në media dhe shoqëri.

Sipas filozofisë së kësaj gjithëpërfshirjeje janë përzgjedhur edhe anëtarët e bordit, të cilët zhvilluan edhe takimin e parë zyrtar, fundjavën e shkuar në Durrës. E pranishme për të përshëndetur këtë takim ishte edhe bashkëshortja e të ndjerit Gramoz Pashko, Mimoza Pashko.

Ish- ministri i Financave në qeverinë “Berisha” , Genc Ruli, deputeti i Partisë Socialiste Ervin Bushati, gazetarët Armand Shkullaku dhe Mustafa Nano, si edhe ekonomisti Selami Xhepa, i cili kryeson këtë bord , pasi bënë një përmbledhje të rrugës së Institutit Europian Pashko prej ngjizjes deri më sot, u ndalën në agjendën kërkimore për tri vitet e ardhshme dhe aktivitetet e reja që mund të shtohen në portofolin e veprimtarive që organizon.

Duke vendosur fort theksin te liberalizmi, në këtë takim u vendos edhe prezantimi i një programi kërkimor trevjeçar me titullin “Axhenda Liberale 2020”, pjesë e të cilit do të jenë pesë projekte kërkimore: Liberalizimi i Tregjeve; Menaxhimi arsimit të lartë në kushtet e reja; Shteti, Feja, Shoqëria; Trashëgimia dhe kujtesa historike, si edhe Edukimi në kontekstin e ri shoqëror. Këto tema kërkimore do të kenë në krye të tyre profesorë të shquar të fushave përkatëse, por dhe do të integrojnë edhe kontribute të tjera nga UET apo jashtë tij.

Pasi diskutuan dhe forcuan argumentet mbi temat që do të përfshijë programi i ri, anëtarët ishin të njëmendi rreth nevojës që ka sot shoqëria shqiptare për të thelluar përpjekjet mbi liberalizimin

e mëtejshëm të tregjeve, lehtësimit të tyre nga mbirregullimet, por dhe një rirregullim më të mirë në mbrojtje të balancuar të interesave shoqërore. “Kontribute të posaçme ishin idetë mbi zgjerimin e kërkimit edhe në sektorët që nuk kanë pasur ndonjë hapje ndaj konkurrencës, të tillë si tregu i medias shtetërore, transportit hekurudhor etj. Një diskutim me interes për punën e IEP ishte mënyra e adresimit ndaj publikut, forcimi i networks me organizata të tjera brenda vendit dhe jashtë tij etj.”, shprehet kryetari i këtij bordi, Selami Xhepa, i cili thekson se puna e këtij instituti është të sjellë në publik tema që shqetësojnë sot shoqërinë dhe nxitjen e reformave, për të cilat ka nevojë kjo shoqëri. “Kërkimet shkencore, projektet studimore dhe aktivitete publike që do të zhvillojë IEP, si dhe deri më sot, do të kenë si synim të ndikojmë që politikat publike të jenë më eficiente dhe të prodhojnë rezultate pozitive për shoqërinë në tërësi. Tematikat, siç edhe i nënvizova më sipër, janë ato që sot janë dhe pika të nxehta: ekonomia dhe konkurrenca, edukimi si një e mirë publike dhe zhvillimi nëpërmjet edukimit, një ridimensionim i raporteve të shtetit dhe shoqërisë me fenë, trashëgimia historike dhe ruajtja e vlerave të saj nga rreziku i erozionit. Bota ku ne jetojmë është mjaft e pasur me probleme të këtij karakteri dhe ne duhet të gjejmë zgjidhjet tona, që i përshtaten kontekstit tonë lokal”, vijon Xhepa.

Në vizionin e anëtarëve të bordit të Institutit Europian Pashko është impakti sa më i madh në shoqëri. “Anëtarët e Bordit duke qenë personalitete shumë të njohur nga shoqëria, sigurisht që së pari do të sigurojnë që puna e IEP të jetë cilësore, brenda parametrave dhe standardeve më të mira shkencore dhe etike, si dhe do të lehtësojë komunikimin punës së IEP me publikun brenda dhe jashtë vendit. Jam optimist se angazhimi i stafit tonë akademik dhe udhëheqja dhe vizioni i Bordit drejtues, do të garantojnë një veprimtari të suksesshme të IEP në përmbushjen e misionit të vet”.

Instituti Europian Pashko si pjesë e grupit të Iniciativës Europiane për Edukim, organizon një sërë aktivitetesh dhe debatesh publike, tashmë traditë si Forumi Liberal i Dardhës, Forumi Ekonomik i Tiranës, është host i Free Market Road Show, ndërsa çmimi Pashko për tezën më të mirë doktorale do të transformohet në fellowship Pashko prej nga do të përzgjidhet edhe kërkimi më i mirë. Gjithashtu, si pjesë e portofolit të IEP është dhe Qendra UET që mundëson lidhjen e projekteve me komunitetin e donatorëve.

Instituti Europian Pashko si çadra që strehon një sërë nismash dhe organizmash si Qendra UET, shtëpia botuese “UET Press”, “Botimet Mapo” “Fondacioni për Liri Ekonomike” dhe Projekti “Krijim, kulturë, trashëgimi” në dhjetë vitet e ardhshme synon të konsolidojë profilin e vet si një institucion influencues në mjedisin publik vendës dhe në rajon, duke promovuar dhe mbështetur aktivisht reforma dhe iniciativa politike që zgjerojnë dhe më shumë hapësirat e lirisë ekonomike dhe sipërmarrjes, dhe që i kontribuojnë ndërtimit të një shoqërie më të lirë, më të pasur dhe më të shëndetshme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çili: Vonesa shqiptare është thjesht mungesa në vendosjen e tregut

U promovua sot në mjediset e UET, libri i Henri Cilit: Vonesa...
Read More