Integrimi i Ballkanit Perëndimor në bllok, është i mundshëm apo është iluzion?

Nga Ervis Iljazaj

Hapja e negociatave është kthyer me të drejtë në temën kryesore politike të Shqipërisë, por edhe të gjithë Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nga ky proces, padyshim që varen shumë fatet politike dhe gjeopolitike të Rajonit.

Duket sikur strategjia e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, është një strategji e cila e shef këtë rajon si një të vetëm duke u përpjekur ta integrojë si të tillë. Edhe në raportet e fundit të institucioneve të BE-së, ky rajon konsiderohet si një pjesë e Europës, e cila dhe gjykohet në bllok për arritjet apo dështimet e tij në procesin e integrimit.

Në këtë kuptim, duket sikur Ballkani Perëndimor do të integrohet në bllok ose në të kundërt, nuk do të integrohet asnjë vend. Kështu të paktën është krijuar ideja deri më tani.

Mirëpo a është e mundur praktikisht një gjë e tillë?

Deri më tani, duket qartë se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor, është një proces i ngadaltë, i sforcuar, dhe ndonjëherë me kosto të larta politike për këto vende. Është një proces i cili është bërë rraskapitës për të gjithë këtë Rajon. Për këtë arsye, padyshim që, përgjegjësia kryesore u takon vetë këtyre vendeve, mirëpo, pa lënë mënjanë dhe ato të Bashkimit Europian me politikën e tij të jashtme, ndonjëherë jo bindëse aq sa duhet.

E megjithatë, kriteret për t’u integruar në Bashkimin Europian nuk janë kolektive, por individuale. Prandaj të flasësh për integrimin e të gjithë Rajonit në BE nuk ka kuptim.

Në radhë të dytë janë pengesat e jashtme, të vetë Bashkimit Europian kundrejt zgjerimit të mëtejshëm.

U bënë tashmë shumë vite që organizohen konferenca të ndryshme që kanë në fokus vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës e integrimit europian për këtë rajon, që konsiderohet i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik në betejën midis fuqive të mëdha botërore. Por, këto konferenca deri më tani nuk kanë luajtur një rol thelbësor në përpjesëtimin e procedurave të anëtarësimit. Më shumë kanë shërbyer si një instrument i Bashkimit Europian për të mbajtur nën kontroll këto shtete, se sa një shtysë konkrete drejt integrimit europian. Kjo përpjekje ka filluar qysh herët me konferencën e Selanikut dhe u mbyll me atë të Triestes pak kohë më parë.

Që nga Konferenca e Selanikut e deri tek ajo e Triestes, strategjia Europiane ka ndryshuar. Për të mbajtur gjallë raportet me këtë rajon, BE, kanë kaluar nga çështjet ekonomike në radhë të parë.

Duket si një strategji europiane krijimi i një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në pamundësi reale për integrimin e tij të plotë.

Në këtë kuptim BE, si pasojë e kësaj ekonomike që ka kaluar në vitet e fundit, po tregohet e kujdesshme, duke qenë se, nëse vendet e Ballkanit perëndimor nuk arrijnë standardet ekonomike do të përbënte një kosto ekonomike, por edhe shoqërore për të, duke parë dhe frymën euroskeptike që ekziston në shoqëritë europiane për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm.

Sepse gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit perceptimi i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor rreth benefiteve ekonomike nëpërmjet afrimit me Bashkimin Europian ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme për të përballuar tranzicioni postkomunist dhe, në disa raste postluftë. Që nga kriza ekonomike dhe financiare e vitit 2008 nga e cila Europa nuk e ka marrë veten plotësisht, ky perceptim ka ndryshuar. Edhe në popujt e Ballkanik është rritur ndjeshëm euroskepticizmi, edhe pse pjesa më e madhe është ende proeuropiane.

Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rrëfimet shqiptare: Librat memuarë që tronditën letërsinë

Një kolazh me librat memuaristikë që vazhdojnë të dalin me të njëjtin...
Read More