Integrimi i Ballkanit Perëndimor në bllok, është një iluzion

Nga Ervis Iljazaj

Gjatë një interviste për një gazetë vjeneze, Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerim, u shpreh se “Viti tjetër do iu japë impulse negociatave të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor”, duke shprehur optimizmin e tij për vitin e ardhshëm, që sipas tij do të jetë një vit mjaft i mirë për Ballkanin.

Po ashtu, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, gjatë një interviste për Report TV, theksoi se negociatat për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian do të çelen në gjysmën e parë të vitit 2018.

Në pamje të parë duken dy lajme të mira për Shqipërinë, kur vendi është i mbuluar me lajme që vijnë vetëm nga organi i akuzës, dhe që nuk flitet për asgjë tjetër përveçse raportit midis krimit dhe politikës. Dy lajme, të cilat vijnë si dhuratë për festën e pavarësisë të vendit tonë. Megjithatë sa të mbarojë atmosfera festive, shumë shpejt do të kthehemi në realitetin politik, ekonomik dhe shoqëror që kemi.

Jo për të qenë pesimist, më shumë se sa për të parë realitetin në sy, të tilla deklarata janë të rëndësishme për sa i përket mbajtjes gjallë të ëndrrës europiane të Shqipërisë dhe Ballkanit në përgjithësi, por perspektiva europiane është diçka më shumë se një deklaratë inkurajuese. Nga ana e tij, Bashkimi Europian asnjëherë s’e ka fshehur qëllimin për të integruar këtë Rajon. Mirëpo ka dy pengesa kryesore që vështirësisht mund të kalohen.

Në radhë të parë, janë pengesat e brendshme. Kriteret politike, të drejtësisë dhe ekonomike, që vendet e Ballkanit, fut këtu edhe Shqipërinë, duhet t’i plotësojnë. Kritere të cilat pengohen qartësisht nga një klasë politike e korruptuar dhe miope. E megjithatë, kriteret për t’u integruar në Bashkimin Europian nuk janë kolektive, por individuale. Prandaj të flasësh për integrimin e të gjithë Rajonit në BE nuk ka kuptim.

Në radhë të dytë, janë pengesat e jashtme, të vetë Bashkimit Europian kundrejt zgjerimit të mëtejshëm.

U bënë tashmë shumë vite që organizohen konferenca të ndryshme që kanë në fokus vendet e Ballkanit Perëndimor me qëllim mbajtjen gjallë të perspektivës e integrimit europian për këtë rajon që konsiderohet i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik në betejën midis fuqive të mëdha botërore. Megjithatë, këto konferenca deri më tani nuk kanë luajtur një rol thelbësor në përpjesëtimin e procedurave të anëtarësimit. Më shumë kanë shërbyer si një instrument i Bashkimit Europian për të mbajtur nën kontroll këto shtete se sa një shtysë konkrete drejt integrimit europian. Kjo përpjekje ka filluar qysh herët me konferencën e Selanikut dhe u mbyll me atë të Triestes pak kohë më parë.

Që nga Konferenca e Selanikut e deri tek ajo e Triestes, strategjia Europiane ka ndryshuar. Për të mbajtur gjallë raportet me këtë rajon, BE , kanë kaluar nga çështjet ekonomike në radhë të parë.

Duket si një strategji europiane krijimi i një tregu ekonomik të përbashkët në Ballkanin Perëndimor në pamundësi reale për integrimin e tij të plotë.

Në këtë kuptim BE, si pasojë e kësaj ekonomike që ka kaluar në vitet e fundit, po tregohet e kujdesshme, duke qenë se nëse vendet e Ballkanit perëndimor nuk arrijnë standardet ekonomike do të përbënte një kosto ekonomike, por edhe shoqërore për të, duke parë dhe frymën euroskeptike që ekziston në shoqëritë europiane për sa i përket zgjerimit të mëtejshëm.

Sepse gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit perceptimi i qytetarëve të Ballkanit Perëndimor rreth benefiteve ekonomike nëpërmjet afrimit me Bashkimin Europian ka kontribuar në mënyrë të rëndësishme për të përballuar tranzicioni postkomunist dhe, në disa raste postluftë. Që nga kriza ekonomike dhe financiare e vitit 2008 nga e cila Europa nuk e ka marrë veten plotësisht, ky perceptim ka ndryshuar. Edhe në popujt e Ballkanik është rritur ndjeshëm euroskepticizmi, edhe pse pjesa më e madhe është ende proeuropiane.

Është pikërisht dilema midis rëndësisë strategjike për Europën e integrimit të Ballkanit perëndimor dhe pamundësisë ekonomike dhe kontekstit politik dhe shoqëror atje, që detyron në një farë mënyrë politikën europiane të operojë nëpërmjet konferencave të përbashkëta për të mbajtur perspektivën gjallë për këtë rajon. Një strategji e cila po mundohet të mbajë bashkuar një rajon konfliktual dhe problematik nëpërmjet krijimit të kushteve të bashkëpunimit ekonomik, por që është larg të qenit një strategji për integrimin e plotë të tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka shenja se po dështon Reforma në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë...
Read More