Integrimi: Ja 3 vendet që po frenojnë hapjen e negociatave

Franca, Holanda dhe Danimarka po e frenojnë aktualisht hapjen e negociatave të anëtarësimit. Gjermania është më shumë pro hapjes së tyre. Nga qarqet qeveritare gjermane thuhet se bëhet fjalë për fillimin dhe jo përmbylljen e negociatave që zgjasin me vite.

Sipas informacioneve të agjencisë Reuters për Gjermaninë janë tri vende momentalisht që e bëjnë të pasigurt hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ato janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Prandaj është e paqartë, nëse Komisioni Europian do të japë dritën e gjelbër në samitin e BE në fund të qershorit, thuhet jo vetëm nga qarqe të KE, por edhe të qeverisë gjermane. Brenda Berlinit ka zëra kritikë për qëndrimin e Macron se nuk po e dallon rëndësinë gjeostrategjike të Ballkanit Perëndimor për stabilitetin e Europës, vëren Reuters. Për Macron nuk ka interes aq zgjerimi, se sa forcimi i bashkëpunimit brenda BE dhe vendeve të eurozonës. Ndërsa në Bruksel thuhet se “Macron ka ndjesinë, se do t’u hapte krahun djathtistëve në politikë, sepse për Shqipërinë mendohet menjëherë për kriminalitetin e organizuar”, shkruan Reuters. Edhe qeveria holandeze e argumenton qëndrimin e saj kundër menjëherë me frikërat e brendshme. Komisioni Europian kërkon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, sepse dy vendet i kanë përmbushur formalisht kriteret dhe BE duhet t’i qëndrojë fjalës së saj. Por edhe në Gjermani ka dyshime lidhur me hapjen e negociatave brenda Unionit konservator. Reuters shkruan se kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri i Jashtëm, Heiko Mass, socialdemokrat janë megjithatë për hapjen e negociatave. Nga qarqet qeveritare thuhet se bëhet fjalë për fillimin dhe jo përmbylljen e negociatave që zgjasin me vite.

Qëndrimet gjermane

Në rastin e Gjermanisë vota duhet të kalojë nga parlamenti, prandaj edhe kancelarja do të duhet të prezantojë në samitin e radhës në fund të qershorit në Bruksel një qëndrim që mbështetet së paku nga dy grupet parlamentare të partive të koalicionit: CDU/CSU dhe SPD. Ndërsa Partia Socialdemokrate është shprehur pak a shumë hapur pro hapjes së negociatave, në radhët e krahut të kancelares, Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial qëndrimet janë të ndryshme. Siç bëjnë të ditur burimet e Deutsche Welle-s pranë këtij grupi, qëndrimet devijojnë nga hapje pa kushte, në hapje me kushte e deri në moshapje të negociatave. Megjithatë qëndrimi zyrtar i parlamentarëve gjermanë ka shumë gjasa që të bëhet i njohur vetëm pas konsultimeve qeveritare franko-gjermane në datat 19/20 qershor. Ndërsa kancelarja Merkel deri tani nuk e ka shprehur hapur qëndrimin e saj, presidenti i Francës Emmanuel Macron i ka theksuar vazhdimisht rezervat e tij ndaj zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Siç bëhet e ditur nga qarqet partiake në parlamentin gjerman, disa deputetë kanë dëshirë që qëndrimi i Gjermanisë të harmonizohet me atë të Francës para se të bëhet publik.

Hahn: BE të eksportojë qëndrueshmëri

Teksa për pak ditë pritet dhe vendimi për çeljen e negociatave, në qarqet e BE-së qarkullojnë mendime të ndryshme nëse është apo jo koha për të hedhur këtë hap me vende si Shqipëria dhe Maqedonia. Por në një intervistë të fundit, eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn këmbëngul në faktin se BE duhet të eksportojë qëndrueshmëri dhe se zgjidhja më e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor është rruga e integrimit. “Një qetësi e qëndrueshme dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor është e mundur vetëm përmes integrimit në BE! Eksportimi i qëndrueshmërisë në vend të importimit të paqëndrueshmërisë është në interesin më të mirë të BE. Perspektiva e BE-së për këto vende është çelësi për qëndrueshmëri, siguri dhe prosperitet në kontinent. Projekti i 1989, për ribashkimin e kontinentit, nuk do të jetë i plotë pa qytetarët e këtyre vendeve”, ka thënë Hahn për WDR Europa Forum.

Lobimi në Gjermani

Dy delegacione nga Shqipëria ishin këtë javë në Gjermani: njëri në rang qeveritar, i kryesuar nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe tjetri në rang parlamentar, i përbërë prej dy deputeteve të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, Mimi Kodheli, PS, kryetare, dhe Rudina Hajdari, PD. Të dy kanë patur një mesazh: hapni negociatat. Veç takimeve në Bundestag dhe në zyrën e kancelares, Angela Merkel, Etilda Gjonaj është takuar edhe me homologen e saj gjermane, Katarina Barley dhe në qendër të takimit ishin lufta kundër korrupsionit, modernizimi i burgjeve dhe pavarësia e gjyqësorit. Mediat zyrtare vendase thanë se ministrja gjermane i siguroi koleges së saj nga Shqipëria vazhdimin e negociatave. Kjo ofensivë lobuese që forcat politike shqiptare po e bëjnë aktualisht në mbarë Europën është patjetër gjë e mirë, i tha Deutsche Welles Thorsten Frei, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU për Shqipërinë pas takimit me dy deputetet shqiptare. Ky është një sinjal pozitiv, dhe nuk është kurrsesi i gabuar, sepse në fund të fundit janë 27 vende që duhet ta miratojnë rekomandimin e Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave.

Basha: E paimagjinueshme që Bundestagu të hapë negociatat

Kreu i PD Lulzim Basha konfirmoi se të hënën dhe të martën ndodhej për një vizitë në Berlin, por jo për arsyet që e sulmon mazhoranca. “Po, kam qenë në Berlin këtë të hënë e të martë, jo në vizitë klandestine siç thoni ju, as të paguar me milionat e drogës, por i ftuar nga autoritetet më të larta gjermane për të diskutuar shqetësimin e tyre se situata politike në vend, 6 javë pas largimit të Ramës nga Berlini, jo vetëm që nuk ka shkuar drejt përmirësimit, por drejt përkeqësimit, që u lirua Saimir Tahiri dhe e njëjta skemë po ndiqet për të shpëtuar vëllezërit Xhafaj”, deklaroi ai.

Të gjitha këto për Bashën e bëjnë të pamundur për ligjvënësit gjermanë që të rekomandojnë negociatat. “Në këto kushte është e paimagjinueshme që Bundestagu të rekomandojë hapjen e negociatave”, vijoi ai. Basha këmbëngul se mazhorancën dhe opozitën e bashkon kërkesa për hapjen e negociatave, por për arsye krejtësisht të ndryshme. “Ju me pretendimin se Shqipëria i meriton, ne me bindjen që hapja e negociatave është instrumenti i vetëm që mund të garantojë presion maksimal ndaj bandës që qeveris sot pa ligj dhe Kushtetutë në këtë vend”, tha Basha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Casini në UET: Për Shqipërinë nuk ka alternativë veç integrimit në BE

Pas dekorimit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, senatori italian...
Read More