Interesat kombëtarë linjëzohen me fuqinë dhe sjelljen kombëtare


Nga Kristaq Xharo* – 
Ngjarjet më të fundit, në Tiranë e në Prishtinë, kanë risjellë edhe njëherë debatin për cenimin apo ruajtjen e interesave kombëtarë. Interesant është fakti që si objekt për debatin u soll sjellja ndaj aleatëve strategjikë, veçanërisht SHBA. Me të drejtë lidhja e interesave kombëtarë me aleancat dhe aleatët është jetike. Ajo që duket ndoshta ironike është fakti që ata që anatemuan përfaqësuesit amerikanë dhe europianë këtu në Tiranë për shkeljen e sovranitetit (interesat kombëtarë) nuk e patën aspak të vështirë të kalonin oqeanin dhe të drejtonin gishtin për ata që po rrezikonin aleancën me SHBA atje në Nju Jork.

Mbetet e vështirë për t’u orientuar se në cilin rast kishin të drejtë: kur e mbronin apo kur e akuzonin. Pavarësisht nga ndryshimi konstant ishte spektri i ligjëruesve si në Prishtinë edhe në Tiranë. A mos vallë konteksti i interesave kombëtarë është aq i lakueshëm sa sjellja e aktorëve politikë. Tri momente mund të veçohen në këtë diskutim: interesat kombëtarë, fuqia kombëtare dhe sjellja me aleatët strategjikë. Pingpongu politik në Tiranë dhe Prishtinë më shumë çorodit konceptin për interesat kombëtarë. A janë interesat kombëtarë aq të ndryshueshëm sa pozicionet e klasës politike në të dyja shtetet shqiptare? A vihet në rrezik interesi kombëtar si në rastin kur anatemohen përfaqësuesit e aleatëve strategjikë, por edhe kur nuk mbështeten?

Përderisa elitat politike nuk janë aktorë strategjikë, a kanë të drejtë ato të përdorin interesat kombëtarë si instrumente për lojën e tyre politike? Për atë që është parë e dëgjuar ligjërimi i sotëm politik pak rëndësi i kushton përmbajtjes së kontekstit strategjik. Kjo vjen ose nga mosnjohja ose nga të ndjerit ‘mirë’ duke i (keq)përdorur ato. Në këto kushte bëhet shumë e vështirë për të arritur në një përkufizim të qartë për interesat kombëtarë. Në mënyrë të dhimbshme në çdo rast ‘mbrojtja’ e interesave kombëtarë po lidhet me qëndrimin ndaj aleatëve strategjikë, të atyre që krijuan dhe promovuan dy shtetet shqiptare.

Ndryshe nga politikanët, studiuesit e shkencave politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare synojnë të jenë më të qartë për konceptin e interesit kombëtar. H. Morgenthau, R. Keohane, e mjaft studiues të tjerë si Kharles Lerche, Brokimet, Vernon Von Dyke, Xh. Barçill, A. Linklater, J. B. Dyrozel, A. Volfers e mjaft të tjerë e studiojnë nocionin i interesit kombëtar në lidhje të ngushtë midis politikës së jashtme dhe të proceseve ndërkombëtare.

Sipas Morgenthau, komponentët vitalë të interesave kombëtarë janë mbijetesa ose identiteti. Ai e ndan identitetin në tre komponentë: identitetin fizik, politik dhe kulturor. Identiteti fizik përfshin tërësinë territoriale. Identiteti politik i referohet pozicioneve politike të bazuara në interesat dhe perspektivat e grupeve shoqërore me të cilat njerëzit identifikohen. Identiteti kulturor qëndron në vlerat historike që mbrohen nga një komb si pjesë e gjenezës së tij kulturore. Më tej Morgenthau këtë grup e konsideron jetik, të patjetërsueshëm, thelbësor për mbijetesën e kombit, aq sa beson se një vend madje vendos të shkojë në luftë për mbrojtjen ose sigurimin e tyre.

Sipas një studiuesi tjetër të njohur, nga Universitetit i Iowa (SHBA) – V. Dyke, përveç komponentëve vitalë konsideruar edhe si ‘bërthama’ në interesat kombëtarë parashkruhen edhe komponentët komplementarë (plotësues) ose ‘veshja e bërthamës’. Ndërsa interesat vitalë mund të merren si të padiskutueshëm, interesat komplementarë mund të quhen si objektiva të interesave kombëtarë. Në interesa kombëtarë komplementarë ky autor veçon: prosperitet, siguri, paqe, drejtësi, imazh e të tjera. “Këta interesa –thotë Dyke- janë të ndryshueshme dhe vendet, pa asnjë dyshim, do të donin t’i shihnin të përmbushur, por për të cilët kombet nuk do të shkonin në luftë”.

Fuqia Kombëtare është ‘monedha’ më e njohur për mënyrën e sjelljes në mbrojtje të interesave kombëtarë. Secili shtet përdor fuqinë e tij ose të paktën njërën prej komponentëve: ekonomikë, ushtarakë, diplomatikë për të siguruar interesat kombëtarë në arenën ndërkombëtare. Pesha që mund të ketë një shtet dhe roli që luan në marrëdhëniet ndërkombëtare mund të gjykohet vetëm duke vlerësuar fuqinë e tij. Përtej ‘gjenialitetit’ që liderët mund të shfaqin ajo që iu jep peshë qëndrimeve dhe deklarimeve të tyre është fuqia e kombit.

Asnjë komb – thotë D. Mitran nuk mund të tejkalojë ‘peshën’ e tij në marrëdhëniet ndërkombëtare, jashtë kontekstit të aleancave dhe aleatëve. Strategjitë kombëtare janë ato që balancojnë peshën dhe rolin e elitave politike. Humbja apo qëndrimet joserioze ndaj aleatëve e çojnë një shtet në rrezik të interesave vitalë. Vendi ynë nuk është në ndonjë pozicion komod për të ndikuar nëpërmjet fuqisë në ruajtjen e interesave kombëtarë. Bazuar indeksin global të fuqisë ushtarake 2016, Shqipëria renditet e 115 nga 125 vende të marrë në shqyrtim.

Duke përdorur të njëjtin burim (CIA fact book 2016), qartë, mund të shohim gjithashtu kapacitetet e fuqisë ekonomike ku Shqipëria renditet e 121 dhe pas vendeve të tjera të rajonit: Italia që renditet e 12-ta, ndërsa Turqia e 13; Greqia e 57; Bullgaria e 76; Serbia e 81; Kroacia e 84; Sllovenia e 98; Bosnja e 111; Shqipëria e 121; duke lënë pas vetëm Maqedoninë e 125; Kosovën e 145; Malin e Zi 153. Pra, pesha specifike e fuqisë kombëtare si për Shqipërinë edhe për Kosovën mund të luajë një rol mjaft modest dhe asnjëherë vendimtar për interesat tanë kombëtarë.

Interesat kombëtarë lidhen ngushtë me fuqinë dhe sjelljen e shtetit. Së bashku ato formojnë një trinitri klauseviciane, që gjendet në nivelin e strategjisë kombëtare ose ndryshe ‘grand strategy’. Dhe duke u gjendur në këtë nivel ato mund dhe duhet të trajtohen e vlerësohen vetëm në nivel strategjik. Përdorimi i tyre në nivel operacional (nga elitat politike) – për të fituar beteja politike, apo në nivel taktik për të fituar në përplasjet partiake janë mjaft të rrezikshme sepse pleksin nivelet, dhe asnjëherë nuk çojnë në objektiva strategjikë -interesat kombëtarë. Për më tepër shpejt ose vonë loja në këto nivele kthehet në bumerang, por që nuk kufizohet vetëm në lojtarët e vegjël (partitë, grupet, individët), por që dëmton vetë interesat kombëtarë.

Është brenda kontekstit unik të rrethanave të veçanta, që secili komb harton strategjinë e vet madhore për mbijetesën e tij. Në një inkursion të shpejtë në histori, për vendet e vogla, dallohet mënyra se si ato i përafrohen objektivit përmes tri alternativave. David Mitran i paraqet këto alternativa, si: neutraliteti; bashkimi në aleanca të fuqishme dhe partnershipi me aleatë të fuqishëm strategjik. Numri i vogël i alternativave, vetëm tre, nga njëra anë duket se kufizon hapësirat e zgjedhjeve, por në anën tjetër nuk jep mundimin për dilema dhe akrobaci gjeopolitike.

Në zgjedhjet midis tri alternativave, neutraliteti devijon nga prirja për të zgjedhur megjithëse duket edhe joshës. Vendi ynë në statusin e neutralitetit është provuar i dështuar në dy luftëra botërore, por edhe ballkanike. Vlerësohet, se pas shumë kohësh vendi ynë ndodhet në pozicionin e tij natyral në aleancë strategjike. Tashmë ai ndodhet në NATO. Por edhe në këtë rast, duke ju referuar Xh. Fridman “ …çdo aleancë ka periudhën e vet: të ngritjes–zhvillimit dhe rënies…dhe çdo komb duhet të mendojë edhe për të nesërmen…”.. Partnershipet strategjike jetojnë edhe më gjatë kur mund të harmonizohen më mirë interesat. Elitat e zgjuara politike mbajnë përherë në konsideratë, që interesat strategjikë janë të lidhur me këto dy lloj alternativash. Shmangia nga ky drejtim rrezikon interesat kombëtarë. Luksi për të limituar apo ndryshuar aleatët është i rrezikshëm.

Shqipërisë dhe Kosovës iu është dashur një kohë relativisht e gjatë për të gjetur partnerët e vet strategjik natyral. Perimetri i ‘gjetjes’ së aleatëve ka lëvizur që nga vendet fqinje, duke kaluar në stepa e deri në Lindjen e Largët dhe në çdo rast, për fat të keq, u shpërblye me zhgënjim, me rrezikun e cenimit të interesave kombëtarë, pikërisht për shkak të zgjedhjeve të gabuara.

Dështimet referoheshin në mënyrën e sjelljes së elitave sepse interesat e elitave ‘peshonin’ më tepër se interesat vitalë të kombit. Duke e bazuar ruajtjen e interesave kombëtarë sa te rritja e kapaciteteve të fuqisë, po aq edhe aleatët e aleancat strategjike është esenciale mënyra e sjelljes kombëtare. Nuk mund të jetë kompetencë e asnjë elite drejtuese, që me mënyrën e saj të sjelljes të vështirësojë apo ndryshojë këtë ekuacion. Koha i ka dhënë vendit tonë partnerë strategjikë vitalë: SHBA dhe vende të fuqishme të Europës Perëndimore. Është jetike që edhe ndjeshmëria kombëtare harmonizohet me natyrën e këtyre partnerëve.

* Prof. dr. në UET për Çështjet e Strategjisë

Shkruar Nga
More from Redaksia

David Luka: Një shtrembërim i qëllimshëm

   (Historia ndërtohet me fakte e me dokumente)[1] Nga Prof. dr. David...
Read More