Internet banking në Shqipëri, sfidat dhe përshtatja me rregullat europianë

Nga Erjona Canaj

Fakulteti Juridik, UET

Sistemi bankar dhe veprimet bankare në ditët e sotme zënë një vend shumë të rëndësishëm. Internet banking është një hap më sipër, pasi ky shërbim u lejon klientëve të kenë akses në llogaritë e tyre 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, drejtpërsëdrejti pavarësisht vendndodhjes së tyre, në shtëpi, në udhëtim, zyrë etj., duke zgjedhur veprimet financiare që dëshirojnë të kryejnë. Me fjalë të tjera, internet banking mund ta përkufizojmë si një nga shërbimet në distancë, me anë të së cilës, nëpërmjet aksesit elektronik, klienti mund të kryejë veprimtari financiare. “E-banking përfshin të gjithë veprimtarinë bankare që realizohet nëpërmjet internetit” vërehet se përkufizimi është gjithëpërfshirës, pasi siç mund të imagjinohet, e ardhmja e këtij shërbimi është pa kufij.

Situata në Shqipëri

Përkufizimi shqiptar për internet banking është: “E-banking është shërbimi në distancë, nëpërmjet kanaleve elektronike të shpërndarjes dhe të komunikimit, i produkteve dhe i shërbimeve tradicionale dhe të reja bankare, brenda veprimtarive të lejuara për bankat e nivelit të dytë”. Influenca e legjislacionit BE ndihet ndjeshëm në legjislacionin tonë të brendshëm, kjo edhe për shkak të kërkesave të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA). Tradicionalisht shërbimet e ofruara nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, janë depozitat, llogaritë rrjedhëse dhe transfertat bankare. Depozitat kanë qenë produkti më i njohur dhe më i përdorur, por ndërhyrja e qeverisë në politikat ekonomike përmes përpjekjeve për të minimizuar transaksionet në cash duke detyruar institucionet shtetërore të kryejnë pagesën përmes sistemit bankar, rrjedhimisht sollën njohjen dhe zhvillimin e shpejtë të shërbimeve të tjera, ndër më të përhapurat përmendim kreditë, overdraft-et, kartat e kreditit/ debitit etj. Natyrisht duke qenë shërbime tradicionalisht të panjohura, një pjesë e përdoruesve ishin mosbesues, por gradualisht, me rritjen e sasisë së informacionit dhe avantazhet që ofrojnë këto shërbime, përdorimi i tyre gjeti shtrirje të gjerë. Në këtë proces, mund të themi se bankat kanë rolin kryesor në edukimin e publikut lidhur me shërbimet e reja. Në funksion të këtij qëllimi, janë forcuar kërkesat rregullatore për transparencën e operacioneve bankare me publikun si publikimi i kushteve të punës në mënyrë të qartë dhe lehtësisht të kuptueshme për të mundësuar krahasimin e tyre midis bankave. Banka e parë që e ka ofruar shërbimin e “internet banking” është Banka Amerikane e Shqipërisë në vitin 2002. Natyrshëm me zhvillimet e reja, bankat e tjera nuk kanë mbetur pas. Banka Raiffeisen, me anë të MultiCash, ofron shërbimin e transfertave. Gjithashtu dhe Banka Credins, ofruan që në atë kohë shërbime online. Tashmë shërbimi është shumë më i përhapur dhe produktet të larmishme. Në zhvillimin e e-banking, rol të rëndësishëm luan edhe Banka e Shqipërisë përmes miratimit të rregulloreve që formojnë bazën ligjore për këtë shërbim. Ekzistenca e një baze solide ligjore përgjatë viteve të fundit ka ndikuar dukshëm në përhapjen dhe zhvillimin e e-banking. Nisur nga ecuria e produkteve të kartave dhe kredive, ndoshta edhe internet banking në Shqipëri do të ketë një zhvillim edhe më të shpejtë në të ardhmen. Megjithatë, kjo do të varet në radhë të parë, nga siguria që do të ofrojnë bankat lidhur me këtë shërbim dhe së dyti, nga transparenca me klientët. Një pjesë e mirë e bankave ndërkombëtare ofrojnë shërbime e-banking pavarësisht vendndodhjes, përmes faqeve interaktive online si dhe degëve të licencuara apo filialeve bankare. Aktiviteti bankar ndërkombëtar elektronik është një zgjerim i biznesit bankar në tregjet e huaja. Pra kemi një zgjerim të kanaleve të komunikimit. Natyrshëm lind pyetja, kujt legjislacioni do i nënshtrohet e-banking në rastin kur veprimi bankar kryhet në një vend të ndryshëm nga selia e bankës? Në përgjigje të pyetjes, mund të themi se transaksionet e-banking i nënshtrohen ligjit dhe juridiksionit të atij vendi ku kryhen. Sipas rregullave në disa juridiksione, mbikëqyrësit lokal mund të lejojnë një bankë të huaj për të marrë një licencë kur ajo ofron produktet dhe shërbimet e-banking në tregun vendas pa imponuar domosdoshmërish praninë fizike. Në referim të rregullores “Për mbikëqyrjen e transaksioneve bankare në rrugë elektronike”, nenit 3: “Subjekt i kësaj rregulloreje janë të gjitha bankat dhe degët e bankave të huaja (më poshtë, bankat), që kryejnë veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë dhe që synojnë kryerjen e veprimtarisë bankare në rrugë elektronike”. Në interpretim a contrario shohim se subjektet e huaja bankare që kërkojnë të ofrojnë shërbimin e tyre e-banking në tregun shqiptar, pa pasur degë në Republikën e Shqipërisë, nuk mund të kryejnë këtë funksion me licencën ekzistuese të vendit ku kanë selinë bankare. Sipas nenit 3 të ligjit për bankat, banka ka të drejtë të hapë degë, agjenci bankare, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të ofrojë shërbime ndërkufitare dhe të hapë zyra përfaqësimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë përcakton kushtet dhe kriteret e hapjes së një dege, agjencie bankare, zyre përfaqësimi ose ofrimit të shërbimeve bankare dhe/ose financiare ndërkufitare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Nisur nga neni i mësipërm, veçanërisht fraza “ofrimi i shërbimeve bankare” lihet të kuptojmë se për ofrimin e një shërbimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është Banka e Shqipërisë që vlerëson të drejtën e ofrimit të këtij shërbimi në varësi të përmbushjes së kritereve. Zhvillimet e fundit në ligjin juridiksional ose marrëveshjet ndërkombëtare mendohet të lejojnë konvergjencë më të madhe në licencimin e praktikën në të ardhmen. Në këtë këndvështrim, Bashkimi Europian në kuadër dhe të programeve të “Pasaportës europiane” të qytetarëve brenda bashkimit, në bazë të njohjes të ndërsjellë, ka avancuar në kuadër të shërbimeve ndërkufitare të e-banking duke parashikuar ofrimin e tyre përmes një procedure të thjeshtuar licencimi.

Çfarë mbetet për të bërë

Zhvillimet e shpejta në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit gjatë dekadave të fundit kanë transformuar mënyrën se si operojnë bizneset, dhe kanë rezultuar në ndryshime në modelet e tregtisë globale për mallra dhe shërbime. Tregjet financiare janë reformuar, tashmë burimet e financimit dhe të mundësive për investime kryhen përmes internetit duke bërë që tregtarët apo zotëruesit e titujve, të mos varen nga distanca, mungesa e kontaktit personal apo kufijve kombëtar. Në epokën e internetit, përdorimi në masë i e-banking është i natyrshëm. E-banking përfaqëson një term mjaft të gjerë i cili në mënyrë të përmbledhur, nënkupton kryerjen e veprimeve financiare në rrugë elektronike. Ky shërbim ofron komoditet, kosto të ulët, disponueshmëri dhe efikasitet në pak kohë. Në Shqipëri ekziston kuadri i nevojshëm ligjor për përcaktimin e mënyrës së funksionimit të këtij shërbimi si edhe kushtet e ofrimit të tij por mendojmë se kuadri ligjor ka vend për t’u përmirësuar. Është kompetencë e kësaj të fundit, duke u përshtatur më thjeshtë me nevojshmërinë dhe llojshmërinë e marrëdhënieve juridiko–civile, të miratojë rregullore e udhëzime të cilat, në bazë të zhvillimeve teknologjike, do të përditësojnë edhe kuadrin legjislativ të këtij shërbimi. Me anë të interpretimeve të ndryshme, arrijmë në përfundimin se kontrata e-banking, është një kontratë konsensuale, formale (për efekt vlefshmërie), e negocueshme dhe e dyanshme. Kontrata e-banking mund të jetë kontratë kryesore apo aksesore. Për të shmangur polemikat apo edhe probleme nga ana praktike, duhet bërë një përcaktim i qartë në ligj për formën e kësaj kontrate, pasi praktikisht formalizimi i saj shihet si një garanci më vete. Si një kontratë e dyanshme, palët në kontratën e-banking ngarkohen me të drejta dhe detyrime reciproke. Disa prej këtyre të drejtave e detyrimeve përcaktohen në ligj, si p.sh. furnizimi me shërbim të pandërprerë, siguria në rrjet, e drejta e informacionit etj., ndërsa aspekte të tjera janë në vullnetin e palëve. Janë vetë palët që mund të vendosin afatin e kontratës, gamën e shërbimeve që do të përfshijë, personat përdorues etj. Edhe pse nga sa u trajtua në këtë punim, kuptohet se kontrata e-banking është një kontratë e negociueshme, realiteti praktik flet ndryshe. Pas interesimit në bankat kryesore tregtare në Shqipëri, rezulton se kontrata e-banking, është një kontratë standarde dhe fare pak e negociueshme. E thënë ndryshe, bankat i paraqesin klientit një kontratë tip (adezioni) dhe këtij të fundit nuk i mbetet veçse të firmosë. Nga kontratat e-banking të marra nga disa banka, rezulton se kushtet janë pothuajse identike, me luhatje të vogla në normat e komisionit. Mendojmë se në këtë drejtim duhen marrë disa masa të nevojshme. Së pari, mendojmë se legjislacioni duhet të parashikojë një kuadër negociues të kësaj kontrate, duke parashikuar krahas të drejtave bazë, detajime të mëtejshme, pasi në këtë mënyrë shmang praktikën abuzive ku mbetet vetëm aspekti nënshkrimit në vullnetin e klientit. Së dyti ndryshimet duhen bërë jo vetëm në aspektin legjislativ por edhe në aspektin praktik. Kështu, Banka e Shqipërisë duhet të ushtrojë efektivisht autoritetin e saj nëpërmjet kontrolleve të vazhdueshme të kësaj veprimtarie. Interes më i madh duhet të tregohet edhe ndaj subjekteve të licencuara të kësaj veprimtarie. Banka është institucion besimi, në këtë kontekst, rregullimi i kuadrit ligjor paraqet rëndësi të veçantë. Nga studimi në treg i kontratës e-banking rezulton se shpesh herë, bankat i shmangen përgjegjësisë pasi dëmi kontraktor ka ndodhur, apo përmes kushteve të komplikuara e të paqarta kontraktore të cilat shpesh herë klientët i nënshkruajnë pa kuptuar detyrimet e marra përsipër apo të drejtat ndaj të cilave heqin dorë. E-banking është një shërbim mjaft delikat për sa i përket aspektit të sigurisë. Duke qenë se të gjithë veprimet financiare kryhen «online», pra nëpërmjet shërbimeve informatike, rreziku i ndërhyrjeve në rrjet është i madh. Krimi kibernetik apo vjedhja e identitetit përmes teknologjisë së informacionit, janë disa nga problematikat kryesore si edhe anët negative të këtij shërbimi. Për këtë arsye ka qenë e nevojshme përcaktimi i kuadrit ligjor për të mbrojtur interesat e klientit si palë më e «dobët» në këtë marrëdhënie kontraktore. Banka e Shqipërisë ka parashikuar në mënyrë të detajuar mbrojtjen që duhet t’i ofrohet klientit nëpërmjet rregulloreve specifike për shërbimin e-banking, por edhe në mënyrë të përgjithshme ndërmjet ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Statutet e Shkodrës”, Lucia Nadin: Punova për Shqipërinë si një zë nga Venecia

Botimi i edicionit “Statutet e Shkodrës”, nga gjysma e parë e shekullit...
Read More