Intervista e Selamit: Në PD ka kohë që sundon autoritarizmi

Eduard Selami flet për arsyet e humbjes së PD-së, prioritetet që ai ka nëse merr drejtimin e partisë, çfarë i mungon sot opozitës, a do të zbatojë marrëveshjen Rama-Basha si dhe zbardh për herë të parë takimin e tij me Sali Berishën për garën në PD

Nga Nevila Perndoj, Revista Mapo

Eduard Selami është nga ata politikanë, që i përcakton përparësitë e tij.

Në garën për kryetarin e partisë, që pritet të finalizohet më 22 korrik, ai i ka të qartë objektivat, që pashmangshmërisht lidhen me situatën aktuale në PD.

Selami sqaron në një intervistë për revistën “Mapo” se sot PD-së i mungon demokracia e brendshme, kontributet, si dhe vendosja në qendër e vendimmarrjes së çdo demokrati. Ish-kreu i PD nuk përjashton as analizën e munguar për shkaqet reale të humbjes së tretë radhazi të PD-së në zgjedhjet e 2013-ës, 2015-ës dhe 2017-ës.

Atë nuk e ysht as qëndrimi konstant nga ana e Lulzim Bashës se zgjedhjet u humbën për shkak të shitblerjes së votës. Sipas tij, arsyet e humbjes ishin jo vetëm blerja e votës apo presioni i qeverisë, por edhe rezultat i kombinimit të disa faktorëve. “Së pari, demoralizimi i strukturave në bazë, si pasojë e neglizhencës së gjatë ndaj tyre nga lidershipi i PD-së, i cili ka kohë që e drejton partinë si pronë personale. Së dyti, largimi nga parimet e së djathtës dhe mungesa e një vizioni të qartë dhe të konsultuar me grupet e interesit të PD-së, si ish-të përndjekurit politikë, ish-pronarët, bizneset e suksesshme private, rinisë dhe elitave. Së treti, marrëveshja me Ramën, e cila çorientoi elektoratin e djathtë me një kthesë të papritur dhe të pajustifikuar. Dhe së fundi, përplasjet e lidershipit me aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë…”, nënvizon Selami. Ai flet konkretisht për marrëveshjen Rama-Basha dhe mënyrën se si ajo është perceptuar në elektoratin e djathtë, duke premtuar se do t’i japë tjetër drejtim kësaj çështjeje në rast se merr drejtimin e partisë.

Selami jep detaje edhe për takimin e tij me Sali Berishën pak ditë më parë. Ai flet për rolin e tij në këtë garë dhe zbardh për herë të parë se çfarë i kërkoi liderit historik të së djathtës në raport me procesin e zgjedhjes së kryetarit të partisë.

Z.Selami, Partia Demokratike si opozitë mori 195 mijë vota më pak krahasuar me rezultatin e 2013-ës. Çfarë mendoni se e penalizoi më shumë PD-në në këto zgjedhje?

Po të lëmë mënjanë presionet e qeverisë, shitblerjen e votës dhe dukuri të tjera negative, që u evidentuan në raportin paraprak të OSBE−ODHIR-it, mendoj se arsyet e humbjes ishin rezultat i kombinimit të disa faktorëve. Së pari, demoralizimi i strukturave në bazë, si pasojë e neglizhencës së gjatë ndaj tyre nga lidershipi i PD-së, i cili ka kohë që e drejton partinë si pronë personale.

Së dyti, largimi nga parimet e së djathtës dhe mungesa e një vizioni të qartë dhe të konsultuar me grupet e interesit të PD-së, si ish-të përndjekurit politikë, ish- pronarët, bizneset e suksesshme private, rinisë dhe elitave. Së treti, marrëveshja me Ramën, e cila çorientoi elektoratin e djathtë me një kthesë të papritur dhe të pajustifikuar. Dhe së fundi, përplasjet e lidershipit me aleatët dhe partnerët tanë perëndimorë.

Në fillim të fushatës, ju e mbështetët listën “Basha”. Megjithatë, tani që fushata mbaroi e po ashtu edhe zgjedhjet, a mendoni se Basha ndërtoi një listë me kandidatë cilësorë?

Mbështetja që unë i dhashë pas shpalljes së listës dhe sapo kishte filluar fushata, lidhej me një normë elementare të rregullave demokratikë brenda forcës politike. Por unë mendoj se hartimi i listës, në kundërshtim me statutin dhe në mënyrë personale dhe të pakonsultuar me forumet ishte një faktor shtesë për humbjen e PD-së. I kam telefonuar dhe uruar që të gjithë deputetët e rinj të zgjedhur dhe kam besim se do të na përfaqësojnë me dinjitet në parlament, por mënyra se si u zgjodhën duke u shkelur konkurrenca i dëmton në mënyrë të padrejtë edhe ata. Unë jam i bindur, se shumica e tyre do të fitonin edhe në një mjedis me konkurrencë të pastër, bazuar në kontributet e gjithsecilit. Por njëkohësisht jam po kaq i bindur se do të kishte edhe të tjerë edhe më të talentuar nëse rregullat e meritokracisë do të aplikoheshin siç ndodh në partitë e tjera të qendrës së djathtë, simotra në perëndim.

Duke iu bashkangjitur pyetjes sa më sipër, Basha deklaroi publikisht se lista ishte e hartuar nga vetë ai, ndërsa nuk u mblodh as Kryesia e as Këshilli Kombëtar për ta diskutuar. A është kjo shenjë e mungesës së demokracisë së brendshme në parti?

Qartësisht kështu. Kur unë them që autoritarizmi ka kohë që sundon në PD dhe demokracia e brendshme është në kuotat e saj më të ulëta, që nga krijimi i partisë sonë, ky detaj, edhe pse jo i vetëm, është ilustrimi më i mirë i kësaj krize të thellë.

Nisur nga gara e deritashme, a mendoni se PD-ja nga ky proces (për zgjedhjen e kryetarit) do të dalë më e fortë apo do të fuqizohet vetëm kryetari?

Edhe përpara këtij procesi kam patur besim se çdo garë, qoftë edhe e pabarabartë, si kjo për Kryetarin e PD-së, e forcon më shumë partinë. Tani që kam patur rastin të takohem, të dëgjoj shqetësimet e qindra-mijëra demokratëve kam bindjen se ky proces jo vetëm do ta fuqizojë, por do të jetë dhe fillimi i ringritjes së madhe të PD-së, duke e kthyer atë edhe njëherë në shpresë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në këndvështrimin tuaj, si u perceptua në elektorat marrëveshja Rama-Basha? Nëse ju fitoni drejtimin e partisë, çfarë qëndrimi do të mbani ndaj kësaj marrëveshjeje?

Në takimet e drejtpërdrejta që unë po zhvilloj me bazën, një koalicion qeveritar me Partinë Socialiste nuk është i mirëpritur nga demokratët e thjeshtë dhe strukturat e Partisë Demokratike. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim. Por gjithmonë kam theksuar se nën frymën e modelit të ri të lidershipit bashkëkohor, që unë po ofroj në PD, lidership i cili akoma nuk është prezantuar në Shqipëri, vendimi përfundimtar për këtë marrëveshje do të merret nga strukturat përkatëse pas një konsultimi të gjerë dhe debati të brendshëm me grupet e interesit dhe me aleatët tanë strategjikë perëndimorë.

Si e shihni rolin e Sali Berishës në garën për kryetarin e partisë? Ju e keni takuar personalisht atë para disa ditësh. A krijuat një opinion mbi qëndrimin e tij?

Në takimin që unë kam patur me z. Berisha, më bëri me dije se do të qëndrojë neutral në këtë garë. Qëndrim të cilin unë e vlerësoj. Por nga ana tjetër, në respekt të normave bashkëkohore unë i sugjerova që ai është plotësisht në të drejtën e tij që të mbështesë kandidatin që mendon se do ta drejtojë më mirë Partinë Demokratike.

Çfarë i mungon sot PD-së dhe cilat janë sfidat imediate për të me qëllim që ajo të ringrihet?

Demokracia e brendshme, injorimi i kontributeve, vendosja në qendër të vendimmarrjes së demokratit të thjeshtë si qytetar i angazhuar. Një analizë e vonuar, e hapur dhe e sinqertë për shkaqet reale të humbjes së tretë radhazi, 2013, 2015, 2017.

Kur unë të zgjidhem me votën e fshehtë në 22 Korrik, këto do të jenë prioritetet e mia të para dhe kam bindjen se Partia Demokratike jo vetëm do të vijë në pushtet, por ne së bashku do të fillojmë historinë e suksesit më të madh njerëzor të shekullit të 21-të, i cili do ta ketë emrin Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita: ‘Veprat e kthyera’ jashtë propagandës

Këtë të diel do të jetë falas hyrja në Galerinë Kombëtare të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *