Intervista në MAPO LETRARE: Vera Bekteshi rrëfen diktaturën

Vera Bekteshi sjell jetën e saj në romanin autobiografik “Vila me tri porta”, një ndër librat pretendentë për çmimin Kadare 2018. Historia e vërtetë e familjes së gjeneral Sadik Bekteshit, përmes rrëfimit të së bijës, nga jeta në ish Bllok, internimi dhe liria… Libri në të gjitha libraritë nga Mapoedition…

“Gjatë ripunimit të librit mendova t’i ndryshoja edhe emrin, nga Vila me dy porta, në atë me tri porta, apo Vila me tri porta, me idenë që pas portës së parë, apo asaj të ‘parajsës’, kaluam nëpër portën e ‘ferrit’, e më pas dalëngadalë, tek u kthyem deshëm të hynim në një portë të re, atë të ‘purgatorit’, gjë e pamundur, sepse na munguan mjetet dhe leja. E kaluam kështu të gjithë së bashku këtë fazë, që e quajtëm tranzicioni i tej zgjatur shqiptar, me shpresën dhe ëndrrën se një ditë do të bëhemi edhe ne si të tjerët.  Por që në krye, ky libër u konceptua për të përshkruar rrugën se ku na çoi përpjekja për ndërtimin e një shoqërie të re, të ashtuquajtur komuniste.

Se këto përpjekje në fakt nuk bënë askënd të lumtur, përveç ndonjërit që jetoi në të gjallë ëndrrën e pushtetit të pakufizuar, atë të një pushteti diktatorial, pasojat e të cilit po i vuajmë ende, sepse sa më i madh presioni i ushtruar, aq më shumë kohë për t’u çliruar prej tij… për t’u qasur në portat e  ‘purgatorit’.” Vera Bekteshi e shpjegon kështu rikthimin tek romani autobiografik “Vila me dy porta” për ti shtuar një tjetër portë. “Vila me tri porta” një ndër librat pretendentë për çmimin Kadare 2018, pati promovimin dje pikërisht në vilën nga ku nis rrëfimi në këtë libër nën logon e Mapoedition. Një akt i guximshëm i Bekteshit për tu përballur me të shkuarën jo si një hakmarrje por si një moment reflektimi, për të cilën kemi nevojë si shoqëri.

Por përse ky rikthim në shkrimin e një libri jo të lehtë për nga pesha e kujtimeve që mbar? Bekteshi e shpjegon kështu: “Ajo që më bënte përshtypje në bisedat familjare ishte fakti se mua, veçanërisht, më kishin shpëtuar ngjarje të “lavdërueshme” për t’u përmendur, së paku në këtë libër. Kur lexoj ndonjë kapitull para ndonjë takimi me lexuesit, vë re edhe ndonjë pasaktësi të vogël që vjen nga fakti se kur u shkrua libri nuk kishim telefona smart të lidhur me internet, gjë që do ndihmonte në sqarimin e ngjarjeve me familjarët, të shpërndarë tashmë nëpër botë. Përveç faktit tjetër se ky libër filloi të shkruhej në një periudhë personale të errët thuajse sa ajo e fshatit, ndoshta sepse isha vetëm, mbi të pesëdhjetat dhe në qendër të një dallge të egër, që zor se mund të përballohej, në një kohë që ata që i pata më pranë, u larguan bashkë me mbetjet e bombës që shpërtheu duke rënë mbi mua.

Por të gjitha dallgët, sado të egra qofshin, pasi arrijnë kulmin, fillojnë e zbuten aq sa mund të mësohesh dhe të bashkëjetosh me to. Përveçse, siç thuhet, ka edhe fat në fatkeqësi dhe fare papritur në vend që të dilja 55 vjeçe në pension nga Instituti Hidrometeorologjik, falë një rekomandimi dashamirës, gjeta një vend të mirë pune në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ato vite pune në atë institucion qenë më të qetat e më të mbarat e karrierës sime, vite vlerësimi dhe respekti reciprok me kolegët e tjerë, që më dhanë mundësinë dhe sigurinë për të përballuar sëmundjet e rënda dhe për të gjetur kurajën e shkrimit të këtij libri.

Vila përgjithësisht nuk ka  përshkrime të detajuara, jo për arsye kujtese, por nga droja se si sprova e parë e të shkruarit do ti mërzisja lexuesit. Nuk e kam më atë frikë, sepse gjatë viteve që pasuan botimin e këtij libri, kreva “shkollën e letërsisë” dhe kuptova se detajet jo vetëm e plotësojnë kuadrin e ngjarjes, por edhe e pasurojnë tekstin. Me sa duket ka ardhur koha të korrigjoj vetveten…

Edhe fakti se u largova e para nga fshati dhe nuk i përjetova atje zgjedhjet e para pluraliste në 31 mars të 1991 – shit, më vuri para detyrën që ti kërkoja tim vëllai, Guxit, të dhëna për ato ditë. Dhe kush më mirë se ai mund ta bënte këtë gjë. Ai nuk është vetëm vrojtues i hollë, por ka edhe  atë humorin e gjallë, që uroj të mos i shuhet kurrë. E ftova edhe Nelin, që të dy së bashku të kujtonin episode që më kanë shpëtuar. Çuditërisht Nelit iu kujtua një darkë e kohës së rinisë, që pata bërë për të mbledhur shokët e miqtë e afërt, si për t’i dhënë një lloj legjitimiteti dasmës sime.  

Kam marrë edhe vërejtje nga lexues të ndryshëm, veçanërisht për kapitullin e Zanës i cili u është dukur disi i paplotë, apo i papërfunduar. Kanë plotësisht të drejtë, duket që janë lexues të vëmendshëm, por nuk është faji im. Kur ky libër filloi të shkruhej, në 2005- ën, Zana nuk më dha lejen të përmendja bëmat e Ferdiut, ish të shoqit, që ishte një njeri jo i  zakonshëm nga çdo pikëpamje, por në atë kohë ajo ndihej e lënduar lidhur me qëndrimin e tij ndaj të bijave. Kanë kaluar shumë vite dhe me sa duket ka ardhur koha të hapen arkivat dhe të shkruhet edhe për të si një personazh i rëndësishëm i atyre viteve. Kështu gjatë ripunimit Vilës nuk iu hoq asnjë tullë, përkundrazi nëpër mjediset e saj (kapitujt) u bënë ndërhyrje me detaje dhe shtesa, përveçse u shtua dhe një kat, që përmes dhjetë kapitujve të rinj e bënë atë më të plotë”, shpjegon Bekteshi. Më poshtë ajo vjen në një rrëfim për lexuesit e MapoLetrare mbi këtë botim…

“E kaluara asnjëherë nuk kalon, madje as e kaluar nuk është; është thjesht një përmasë e qenësishme e së tashmes”. Keni zgjedhur këtë thënie të Folkner për ta vendosur në faqe të parë të librit që sapo është hedhur në treg “Vila me tri porta”. Doni të thoni se e kaluara është ende tek ty?

Tek mua po se po, por besoj edhe tek ty dhe tek të gjithë të tjerët.

A është e shkruara një çlirim, një ndarje përfundimtare me kujtimin?

Përgjithësisht po, është çlirim dhe i madh madje, por nganjëherë nuk mjafton.

Pse “Vila me tri porta”. Ju i jeni rikthyer një romani autobiografik për ti shtuar një tjetër portë (pas titullit “Vila me dy porta” që kishte botimi i parë). Çfarë është porta e tretë?

Tani me duhet te zgjatem pak. Iu riktheva librit të parë sepse kisha ende të pa thëna, sepse së dyti, ngado që kthej kokën, shoh apo ndjej të më rishfaqet modeli i vjetër i diktaturës ku komandon vetëm njëshi dhe që shtrihet pa përjashtim në të gjitha sferat e jetës, duke filluar nga OJQ-të, bile edhe nga ato më të rejat, tek partitë e shumta të sistemit tonë të bekuar pluralist, në çdo cep ku ka një tavoline me një kompjuter, përpara të cilit jep komanda një person, etj. etj., deri brenda familjes, ku shpesh burri shet a blen banesën pa e pyetur fare të shoqen apo fëmijët…

Kjo sa për të shpjeguar shkurtimisht arsyet e rikthimit. Porta e tretë ka ekzistuar vërtet në oborrin e asaj vile, gjë kjo fare e pa rëndësishme, por në versionin e fundit merr rëndësi, sepse përfaqëson, dashë pa dashë, atë portë, të cilën po mundohemi ta hapim për të filluar një jetë normale, por që nuk po mundemi. Nuk po mundemi sepse një nga arsyet është edhe ajo e shkuara që nuk po na shqitet, si për shkak të vështirësisë edhe për shkak të dëshirës që kanë pengmbajtësit tanë në çdo nivel dhe kudo që janë.

E gjithë letërsia është një autobiografi. Në fakt ju zgjidhni ta tregoni lehtë këtë, duke treguar jetën tuaj. Pothuajse gjithë personazhet në këtë libër janë personazhe realë në jetën reale. Sa e lehtë ka qenë të shkruash një autobiografi letrare, duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e njerëzve për të cilët shkruani janë ende gjallë?

Kështu thonë disa shkrimtarë si Markesi p.sh., se ka plot të tjerë që bazohen edhe diku gjetkë. Përgjithësisht të mëdhenjtë e kanë filluar me fiction dhe kanë përfunduar me autobiografi, me përjashtime të rralla. Duke ardhur në letërsi nga një fushë tjetër bëra të kundërtën, pra fillova me biografinë e familjes dhe do përfundoj mbase me poezi.

Po, të gjithë personazhet janë realë, përfshirë edhe kalin e baba Malos, Lakun, që vdiq nga dëshpërimi sepse e trodhën, kur pas vdekjes së diktatorit, filloi të kafshojë njerëzit majtas e djathtas. Por të shkruash për të shkuarën e afërt apo të tashmen (që janë dy kohët e këtij libri), nuk është fort e lehtë, sepse njerëzit që përmenden aty me emër, janë gjallë si dhe je nën gjykimin e të gjithëve, veçanërisht kur shkruhet  për kohën që jetojmë. Kjo është një nga arsyet që pëlqehen apo lexohen më shumë libra me ngjarje të së shkuarës dhe kjo gjë është përgjithësisht më e lehtë edhe për shkruesin.

Ishte shkrimi i këtij libri një vuajtje e dytë?

Jo, edhe herën e parë qe një çlirim, veçse isha e trembur nga aventura e të shkruarit, që është nga më të vështirat që njeriu ndërmerr. Kësaj radhe isha më e ftohtë dhe kujtova me saktësinë më të madhe jo vetëm ngjarjet e pa thëna, por korrigjova edhe të thënat në dialogët e më mëparshëm. Edhe ata emra që i kisha harruar në versionin e parë, mu kujtuan për çudi kësaj radhe.

Nëse rikthehemi në kohë, a mund të na tregosh për lexuesit me fjalë të tjera nga ato në libër Vilën me tre porta, atë ndërtesën e madhe me tri kate dhe me dy hyrje, në zonën e të ashtuquajturit Bllok i Udhëheqjes…?  Cili është kujtimi juaj më i bukur në atë Vilë?

Çfarë t’u them për të. Unë për vete po më mori malli shkoj e pi një birrë tek lokali KINO, në katin e parë, atë që banohej dikur nga anëtarët e Byrosë Politike dhe që shumicën e të cilëve diktatori i shkoi në plumb.

A ju merr malli ju të shihni sërish një “vilë të gjakosur”?

Por unë zgjodha ta bëj  promovimin në këtë vend, jo për hakmarrje, por për mirënjohje. Kjo shtëpi më ka dhënë shumë dashuri nga gjyshet, shumë lojëra me fqinjët, shumë siguri, në kundërshtim me bllokun, që në tërësi të frikësonte, sikurse çdo kështjellë ‘shekspiriane’.

A kishte ndonjë lloj disidencë brenda Vilës, kam parasysh të rinjtë e moshës suaj që jetonin në Bllok. A ndjehej një lloj disidence në bisedat mes jush?

Nuk mund ta quaj disidencë por një farë revolte me pëshpërima, në ndonjë grup tresh apo katërsh, që për atë kohë qe shumë e rrezikshme, por që ne ditëm ta ruajmë njeri tjetrin edhe kur na dënuan. Nuk u tradhtua askush.

E kujtoni ditën e fundit në Vilë? Po ditën e internimit?

I mbaj mend fare mirë, por nuk kam qenë në vilë kur erdhi ajo ditë, jetoja në një apartament diku tek posta qendrore dhe lajmi nuk më erdhi pa pritur, sepse pritej prej muajsh goditja në ushtri dhe dihet që si çdo herë, qeveria e ‘kap lepurin me qerre’.

 A mundet letërsia të mbajë peshën e kujtimeve?

Mundet pse jo.

Arrestimi i babait, si u përjetua nga ju?

Çfarëdo lloj arresti përjetohet tragjikisht nga vetë personi dhe të afërmit. Sot mbase jo aq, sepse shumica e të arrestuarve nuk burgosen ose dalin shpejt prej tij, megjithatë burgu ka jo vetëm emër të keq por edhe hije të zezë. Kalimi nga jeta e lirë në atë të burgut është shumë traumatik, veçse, për fat, tani nuk ka më internime pas tij, ku të duhej ta fitoje kafshatën çdo ditë, bile me punët më të rënda.

Si ishte kthimi në Tiranë pas internimit?

Një shkrimtar italian kur u botua versioni i parë i librit në Itali, e ka filluar shkrimin me kapitullin mbi lirinë,  dhe duke më perifrazuar, e ka përshkruar si një lloj ‘verbimi’. Pra aq tronditëse është edhe ardhja e lirisë së munguar.

Cilat janë pyetjet që ju janë orvatur më shumë në mëndje gjatë rishkrimit të këtij romani?

A do të harmonizoheshin pjesët e vjetra me të rejat, sepse shkrimi si të gjitha llojet e mjeshtërive do kohën e vet dhe ndryshon  përgjatë kësaj kohe.

Ju jeni fizikane. Çfarë ju çoi te letërsia. E keni menduar?

Së pari, unë kam studiuar fizikë, po nuk jam më fizikane, kam mbaruar me këtë profesion të admirueshëm. Sa i përket pyetjes suaj, nuk e kam menduar, më ka ardhur vetvetiu, sepse e doja letërsinë po aq sa fizikën, mbase më shumë, sepse nuk më lanë shumë kohë për tu bërë fizikane.

Vetmia e ndihmon letërsinë?

Them se po. Vetmia dhe të menduarit e thellë, sigurisht e ndihmojnë letërsinë si çdo proces që ka të bëjë me mendimin dhe të menduarit.

A ka mundur letërsia, librat e shkruara përgjatë këtyre tre dekadave të japin të vërtetën, kalvarin e vuajtjeve nën komunizëm?

Jo. Mendoj se vetëm sa e kanë gërvishtur pak. Po mundohem ta shpjegoj: Librat e shkruar për diktaturën, si  ata që mundohen ta shpjegojnë atë, dhe ata që përpiqen ta dënojnë, janë pothuaj të barabartë. Nga se vjen kjo? Ata të parët, që mundohen ta shpjegojnë duke u përpjekur ta justifikojnë diktaturën janë pak, sepse pak nga ata ditën të shkruajnë. Dihet tashmë që numri një i diktaturës dhe të tjerët pas tij patën ca shkrues të porositur gjatë kohës së sundimit.

Të dytët, që kanë shpjeguar tmerret e diktaturës, i kanë bërë me vërtetësi dhe mjeshtëri, sepse u ka folur shpirti, por ata nuk mjaftojnë. Shumë e kanë vështirë të shkruarin, të tjerë janë të lodhur dhe nuk duan të rrëmojnë plagët, shumë janë sëmurur fizikisht dhe shpirtërisht (e njëjta gjë me mendërisht) nga traumat dhe për pasojë nuk e dinë më ku e kanë kokën. Të tjerë që janë thyer nga torturat, dashur padashur i shërbyen sistemit dhe ndoshta mendojnë se nuk e kanë të drejtën morale.

Mendoj se të gjithë që kanë vuajtur nga ajo gjëmë që kaluam, e kanë të drejtën morale për të shkruar, jo vetëm ata që u torturuan, por edhe torturuesit, ata që u bënë vegla bile dhe urdhëruesit e tyre. Le të na shpjegojnë me sinqeritet ama, se si u detyruan të bëhen vegla torture fizike apo psikologjike, se si i dhanë urdhrat për to. Le të na tregojnë edhe ata, në se duan të shpëtojnë veten apo fëmijët, sepse në Shqipërinë tonë të vogël, i njohim të gjithë me emra dhe me pseudonime, me të thëna e të pa thëna, sepse mjafton t’u përmend zbardhjen e  proceseve gjyqësore  për dokumentet e dëmshpërblimit dhe të gjithë vuajtësit dhe trashëgimtarët e tyre i kanë parë, se çfarë është thënë dhe prej kujt, edhe pa u hapur dosjet. Fjalët shkojnë vesh më vesh edhe sot, bile shumë më kollaj se dikur pëshpërimat kundër diktaturës.  Të paktën kësaj ia kemi arritur.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Miri kërkon zbutjen e masës së sigurisë: Iu gjetën 300 mln lekë

Gjyqtari Shkëlqim Miri ka apeluar masën e sigurisë së dhënë nga shkalla...
Read More