Irena Myzeqari: Kadare është më i famshëm për mospasjen se sa pasjen e grave në veprat e tij

Universiteti Europian i Tiranës ka në politikat e tij mbajtjen pranë vetes të ish studentëve të suksesshëm që padyshim bien në sy për veprimtarinë e tyre, për aftësitë krijuese, sjelljen e ideve inovatore, botime librash të ndryshëm mbi fenomene të caktuara shoqërore, por mbi të gjitha ajo që është më kryesore raporte të shëndetshme me studentët me të cilën UET identifikohet. Një shembull suksesi është edhe Dr. Irena Myzeqari, njëkohësisht pedagoge në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Botimi i librave të ndryshëm, doktoraturave, është bërë traditë tashmë në UET. Të premten e kaluar Dr.Irena Myzeqari erdhi me studimin e saj të doktoraturës  ‘’Ligjërimi feminist te Kadare’’. Myzeqari edhe ne auditore njihet për natyrën e saj feministe dhe në mbrojtje të femrës. Ajo është shprehur se për sjelljen në trajtë të plotë të punimit të saj doktoral i kanë ardhur në ndihmë një sërë kolegësh në UET që e kanë këshilluar herë pas here. Për më tepër ajo u përgjigj disa pyetjeve në lidhje me veprën e fundit të saj, ligjërimin feminist në tërësi dhe si konceptohet ky term në shoqëri sot.

Cila nga veprat e shumta të Ismail Kadare ju nxiti më tepër që idetë tuaja të hidhen të gjitha në letër duke u bazuar tek ai?

Universi letrar Kadarean është shumë i pasur, si në tematika ashtu edhe në  personazhe. Falë kësaj shtrirjeje, shumë studiues kanë gjetur tek veprat e Kadaresë një shumësi elementesh studimorë, të cilat i kanë dhënë jetë  debateve të ndryshme  teorike mbi identitetin, tjetrin në letërsinë tonë. Në rastin e punimit tim, shtysë ishte kërkimi i gruas dhe femërores tek ky univers dhe mund të them se ishte hera e parë që vepra e tij, lexohej dhe studiohej nën këtë këndvështrim teorik edhe metodik. Une gjeta shumë pak gra në numër por edhe në cilësi, ndaj mund të them se Kadare është më i famshëm për mospasjen se sa pasjen e grave në veprat e tij.

Sa zgjati e tërë periudha deri në botimin e plotë të veprës? Si u prit nga kolegët tuaj dhe ato që ju rrethojnë?

Doktoratura është një periudhë shumë intensive në jetën e kërkuesit. Kërkon netë të     gjata kërkimi, studimi edhe mos t’ju duket habi,  kur arrin në pikën se mendon se ke      gjetur diçka dhe kupton në fakt që duhet t’ia nisësh nga zero. Mua më është dashur një kohë 4 vjeçare për ta finalizuar punimin,  por jam e bindur se nuk do të kisha  bërë një punim cilësor, nëse nuk do të kisha pasur ndihmën e udhëheqësve të mi shkencorë, të cilët me një sy të mprehtë  metodik, ditën të hiqnin gurët e këqinj nga puna ime,  duke nxjerre esencën cilësore të asaj që unë duhet të       përçoja.Si  u prit? Shikoni feminizmi nuk është gjithmonë fusha teorike më e dashur, sidomos kur kritikon një burrë kaq të rëndësishëm të letrave shqipe. Ama besoj se kjo paradigmë është e     rëndësishme dhe duhet marrë në konsideratë, nëse duam që të fuqizojmë shkollën tonë të mendimit në tërësi.

Çfarë notash përmban ligjërimi i tij mbi gruan dhe femëroren, referuar gjithmonë kjo një grupi lexuesish qe nuk kanë informacion mbi mënyrën e tij të të shkruarit?

Universi Kaderean është fillim për të kuptuar tipologjitë njerëzore. Aty ndeshen të pamundurat,  kontekstet  egzistuese dhe ato të paqëna historike të gjitha në funksion tënjë qëllimi, ravijëzimit të një heroi ose heroine, edhe pse kjo e dyta ndodh shumë pak ose aspak.  Nësë do ti referohemi analizës së tipologjisë së gruas  shqiptare, tek Kadarejamund t’i gjejmë të gjitha  tipet; ai nuk ka një ideal tip, ai është gjithmonë në eksplorim të potencialit që mund  t’i ofrojë  personazhi. Sociologjikisht gratë tek Kadareja ravijëzohen si të lidhura përjetësisht me privaten politike. Ato janë ndëri i kombit, i mëhallës, i kështjellës. Ato mbajnë  gjallë normat e jetës, kodet e pa shkruara, ligjet që vijnë nga e shkuara,  ç’ka faktohet  edhe me ligjerimin e tyre  të mbushur plot me  gjuhë emocionale.  Tek Kadareja mund të gjurmohen lehtazi të gjitha fazat e jetës së një gruaje; të qënit vajzë; të bërit nuse; të bërit nënë e grua  dhe të bërit plakë.

Me gjithë përpjekjet e Ismail Kadaresë për të krijuar heroina, përpjekje të cilat  përfaqësohen me Marianën apo me Plakën Nice,  në fund të analizës  rezulton se Kadareja nuk ka arritur të shterojë të gjithë potencialin nga karakteret e  tij femërore. Duke lidhur tragjedinë apo  fatin e tyre veçse me seksualitetin ai i ka zhveshur ato nga shumë vlera të tjera. Përqëndrimi tek trupi dhe jo tek mendësia është ajo ç’ka  limituar  këto personazhe nga të dhënit një dimension krejt tjetër.  Nëse në fillim thamë se tek vepra e Kadaresë mund të gjejmë tipologjitë,duhet të themi tashmë se mund të gjejmë veçse një tip, dhe veçse një model. Gruaja si politikisht ashtu edhe sociologjikisht fiton relevancë veçse me një nga funksionet e saj gjinore dhe autori nuk  ka bërë tjetër, vetëm ka përmbushur  pritshmëritë sociale se si duhet të sillet një grua në të gjitha stadet e zhvillimit të saj. Duke i mveshur një gjuhë të pakët dhe të varfër si në shprehi, si në strukturë ashtu edhe në tematikë, ai krijon tek lexuesi një identitet femëror i cili nuk prodhon ose prodhon shumë pak brenda ngjarjes. Për ta thënë më saktë nuk prodhon asgjë përtej asaj ç’ka bie brenda fuqisë së  trupit të tij semiotik i cili është seksualisht i fuqishëm, por ama sociologjikisht dhe politikisht i parëndësishëm. Kadareja interesohet për femrën dhe shumë pak për gruan dhe si rrjedhojë ai  përpiqet më shumë të ruajë statusin e mashkullores dhe burrit të pacënuar në koston e një gruaje të dobët dhe që nuk përçon mesazhe të fuqishme letrare.

Çfarë qëndrimi kanë grupe të caktuara duke filluar nga auditorimet  me të cilat ju identifikoheni në lidhje me ligjërimin feminist, me veprimtarinë e gruas me rëndësinë që ajo ka në shoqëri? A hasen ende përplasje për këtë temë, të ndikuara  nga faktorë lokalë apo gjeografikë? Apo ndikon diçka tjetër ?

Siç e thashë edhe më sipër, nuk është e lehtë të shkruash për gruan në akademi. Më kujtohet në vitin 2010, kam takuar të vetmen grua, pjesë e akademisë së shkencave në Hollandë. Nga studimi që ajo na shpalosi, auditori u vu përballë një të vërtete, duke kuptuar se feminizmi nuk është problematikë vetëm e Shqipërisë, përkundrazi, e gjithë bota gëlon nga debatet teorike e praktike për këtë agjent social kaq të rëndësishëm.  Kulturalisht, për ne është pak më e vështirë të flasim hapur edhe pa u ndjerë të paragjykuar  për këtë temë, vështirësi kjo që i ka dhënë jetë dy rrymave  mendimi. Nga njëra ana kemi një artikulim të fortë që gruaja,  e pranishme në sasi në hapësirën publike ka arritur të shprehë mendimin dhe të vërtetën e saj. Nga ana tjetër,  kritikët i mëshojnë fort idesë se kjo “sasi”  nuk ka sjellë rritje të debatit cilësor mbi rolin e gruas në vendin tonë. E vërteta është se ne kemi nevojë për një debat feminist dhe të të drejtave të njeriut cilësor dhe të qënisishëm dhe nëse ne fillojmë kërkimin nga format  e ndryshme të praktikave tona sociale dhe kulturore, do ta kemi më të lehtë të ndërtojmë një imazh të shëndoshë të asaj ç’ka kuptohet me grua dhe femërore.

Intervistoi Ada Kacmoli

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gentiana Susaj: Me Aikido, një luftëtare për trupin dhe mendjen

    Arti luftarak që të çon drejt zbulimit të brendshëm të...
Read More