Ish-presidentja dënohet me 24 vite burg për korrupsion

Ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye është dënuar me 24 vite burgim, pasi u shpall fajtore për “abuzim me pushtetin” dhe “detyrim me forcë”.

Vendimi i shpallur gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë përfaqëson edhe kulmin e skandalit që preku vendin, e që shkaktoi një irritim të tejskajshëm kundër elitave politike e të biznesit, raporton TCH.

Park, e cila u gjobit edhe me rreth 17 mln dollarë u përball me një gamë të gjerë akuzash për korrupsion. Ajo nuk ishte e pranishme në gjykatë gjatë dhënies së vendimit të kësaj të premteje, teksa kishte bojkotuar edhe seancat dëgjimore, duke akuzuar gjykatat se ishin të njëanshme në çështjen e ngritur kundër saj.

Lëvizja e fundit e autoriteteve gjyqësore në Kore, për lejimin e dhënies së vendimit përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, ishte e paprecedentë, por në këtë rast ato u justifikuan me interesin e jashtëzakonshëm publik mbi këtë çështje.

Ajo që shkaktoi të gjithë këtë stuhi ishte një lidhje miqësie. Park u gjet fajtore për bashkëpunim me një mikeshën e saj të afërt, Choi Soon-sil, duke iu ushtruar presion firmave të mëdha të biznesit për ryshfete në këmbim të favoreve politike.

Choi, pushteti i së cilës u rrit së tepërmi si shoqja më me ndikim e ish-presidentes Park, u dënua për korrupsion gjatë muajit shkurt. Marrëdhënia e tyre u bë subjekt i një shqyrtimi të imtësishëm publik mes akuzave se Choi kishte pasur ndikim të panevojshëm mbi çështje kombëtare, vetëm falë lidhjeve me Park.

Prokurorët pretenduan se Park i kishte dhënë qasje në nivele të papranueshme mikeshës Choi në dokumentet zyrtare dhe dolën në përfundimin se kjo e fundit kishte ndërhyrë në çështje shtetërore.

Pas një serie të gjatë dëgjesash dhe protestash disamujore që bënin thirrje për dorëheqjen e Park, ish-presidentja u largua nga detyra në mars të vitit 2017. Menjëherë më pas, ajo u arrestua dhe është mbajtur në paraburgim prej asaj kohe. Ajo u përball me 18 akuza gjithsej, për shumicën e të cilave u shpall fajtore.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Dy trashëgimi kulturore shqiptare kandidohen për listën europiane të “7 Më Të Rrezikuarave”

    Katër zona historike në Ballkan janë kandiduar për t’u përfshirë...
Read More