ISHP: Ushqimi, hipertensioni dhe duhanpirja shtojnë sëmundjet te shqiptarët

Qirjako: Sfidat kryesore me të cilat përballet sot Shëndeti Publik në vendin tonë lidhen me parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve jo të transmetueshme, të cilat përbëjnë edhe shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë 

Sëmundjet kronike mbeten probleme edhe për vendin tonë, teksa është rritur ndjeshëm abuzimi me drogat nga të rinjtë. Ndryshe nga shumë vende të tjera të botës, ku shëndeti publik përballet me sëmundje infektive, sikurse janë malaria apo HIV-AIDS, në konferencën e fundit ndërkombëtare të ISHP-së, mbajtur në Tiranë evidentohen si mjaft problematike sëmundjet jo të transmetueshme dhe abuzimi me substanca psikoaktive.  Në një intervistë për “Mapo” flet Genta Qirjako, shefe e Departamentit të Promocionit Shëndetësor në ISHP, sipas të cilës tre janë faktorët kryesorë të cilët shkaktojnë sëmundshmërinë më të madhe në popullatën tonë, të dhëna këto të evidentuara të paktën në vitin 2010 (por që mbeten ende problem) dhe këto lidhen me ushqyerjen, hipertensionin dhe duhanpirjen. Madje shqetësuese, sipas Qirjakos për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor është prevalenca e duhanpirjes. Sikurse evidetojnë të dhënat e publikuara së fundmi në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetit Publik, duhani rrezikon seriozisht rritjen e mëtejshme të jetëgjatësisë së pritshme dhe rënien e mundshme të barrës së sëmundjeve jo të transmetueshme. Madje sipas Raportit Shëndetësor të Popullatës Shqiptare (2014), duhanpirja përfaqëson faktorin e tretë të rrezikut, përgjegjës për pjesën më të madhe të barrës së sëmundjeve në Shqipëri në vitin 2010, duke u renditur pas faktorëve të rrezikut të lidhur me dietën dhe presionin e lartë të gjakut. Duhanpirja ishte përgjegjëse për një rritje prej më shumë se dy herë të Nivelit të Vdekshmërisë Bruto nga kanceri i trakesë, bronkeve dhe mushkërive. Në vitin 2010, rreth 84% e vdekjeve nga këto kancere u shkaktuan nga duhanpirja.

Vetëm pak ditë më parë ISHP përmbylli një konferencë ndërkombëtare, me temë “Përcaktorët e sjelljeve shëndetësore në vendet e Rajonit Europian”. A mund të na informoni diçka më shumë rreth përmbajtjes së konferencës? Vendet pjesëmarrëse, arsyeja e realizimit etj.?  

Më datë 9 Maj 2017, Instituti i Shëndetit Publik organizoi konferencën e pestë Ndërkombëtare të Shëndetit Publik, me temë: “Përcaktorët e sjelljeve shëndetësore në vendet e Rajonit Europian”. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues ndërkombëtarë nga Instituti Tropikal dhe i Shëndetit Publik, Basel, Zvicër; nga zyra rajonale e OBSH për Europën; nga zyra rajonale e UNFPA për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, si dhe nga Kolegji Mbretëror, Londër. Gjithashtu, në konferencë morën pjesë profesionistë të Shëndetit Publik nga Rajoni: Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova. Konferenca adresoi çështje të cilat kanë të bëjnë me përcaktorët e sjelljeve shëndetësore në shoqëritë në tranzicion, në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e tjera të Rajonit Europian.

Mbledhja e kaq shumë specialistëve vendës dhe të huaj, çfarë problematikash trajtuan?

Disa problematika kryesore që u diskutuan në konferencë ishin të shumta, por tashmë mund të pohojmë se kemi evidenca shkencore, pse jo të bollshme, lidhur me rolin që kanë përcaktorët e sjelljeve në shëndet dhe sëmundshmëri jo vetëm për vendin tonë por edhe për vendet fqinje të rajonit. Sidomos në Shqipëri, ushtrimi i përmasave të mëdha siç është kontrolli shëndetësor i popullatës 35-70 vjeç është një mundësi shumë e mirë për të analizuar lidhjen midis sjelljeve dhe faktorëve të ndryshëm të rrezikut me shëndetin dhe sëmundjen dhe rreth 1.5 milionë rekorde të hedhura në sistem deri tani përbëjnë fillim shumë të mirë për komunitetin e kërkuesve shkencorë dhe profesionistëve të tjerë për evidentimin shkencor të lidhjeve të tilla. Kjo do i vinte në ndihmë më pas politikëbërësve dhe vendimmarrësve në mënyrë që të merren masat për t’iu përgjigjur situatës aktuale si dhe të planifikohen ndërhyrjet përkatëse në të ardhmen. Një tjetër problematikë e ngritur nga diskutimet e panelit të ekspertëve, të cilët morën në konsideratë prezantimet e ndryshme të shpalosura gjatë konferencës, kishte të bënte me faktin që nuk mjafton vetëm të mbledhim të dhëna dhe fakte rreth ndikimit që sjelljet individuale kanë mbi shëndetin dhe sëmundjen por është thelbësore që këto të pasohen nga ndërhyrje efektive dhe të bazuara në evidenca në mënyrë që të reduktohen në maksimum këta faktorë të parandalueshëm të shëndetit jo të mirë në popullatë. Nga ana tjetër, doli në pah dhe nevoja për pjesëmarrje më të gjerë të aktorëve të tjerë në përpjekjet e shoqërisë për të reduktuar barrën e faktorëve të parandalueshëm që kanë të bëjnë me sjelljet e rrezikshme. Ekspertët theksuan idenë që ndërhyrjet nuk mund të jenë të fragmentuara por ato duhet domosdoshmërisht të jenë të integruara dhe të bashkërenduara në mënyrë që të përftohet efekti dhe përfitimi maksimal për popullatën në mënyrën më efektive të mundshme. Shëndeti dhe sëmundja nuk janë çështje ekskluzivisht e Ministrisë së Shëndetësisë apo Institutit të Shëndetit Publik, por ato prekin çdo fushë të jetës.

Cilat janë sfidat me të cilat përballet sot Shëndeti Publik në vendin tonë?

Sfidat kryesore me të cilat përballet sot Shëndeti Publik në vendin tonë lidhen me parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve jo të transmetueshme, të cilat përbëjnë edhe shkakun kryesor të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë. Menaxhimi i këtyre sëmundjeve është shumë i lidhur me përcaktorët e lidhur me sjelljet shëndetësore. Në Shqipëri, tre faktorët e riskut, të cilët mbanin peshën më të madhe të sëmundshmërisë në vitin 2010, ishin faktorët që lidhen me ushqyerjen (i pari), presioni i lartë i gjakut (i dyti), duhanpirja (i treti). Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, prevalenca e duhanpirjes mund të rritet nëse nuk merren masa paraprake dhe kjo mund të rrezikojë seriozisht rritjen e mëtejshme të jetëgjatësisë së pritshme dhe rënien e mundshme të barrës së sëmundjeve jo të transmetueshme.

Nisur nga problematikat e trajtuara, çfarë u sugjerua nga ISHP? Ku duhet të fokusohen politikat e reja shëndetësore?

Në konferencë u theksua nevoja e qasjeve të edukimit gjatë të gjithë jetës si një pikë kyçe në procesin e ndryshimit pozitiv të stilit të jetesës. Të gjitha grupet e shoqërisë, duke përfshirë pacientët, profesionistët e shëndetit, studentët e nxënësit, prindërit, mësuesit, përdoruesit dhe abuzuesit me substancat psikoaktive dhe e tërë popullata në tërësi përfitojnë nga fushatat e informimit dhe edukimit dhe rritja e ndërgjegjësimit të popullatës dhe grupeve në rrezik është një proces që nuk duhet të ndërpritet asnjëherë. Megjithatë, sfida përpara nesh qëndron në faktin që ndërhyrjet që propozohen duhet të jenë inovative në mënyrë që të tërheqin vëmendjen dhe të motivojnë grupet target të popullatës në mënyrë që ato të arrijnë qëllimet dhe objektivat përkatës. Së fundmi, gjatë diskutimeve doli si nevojë e rëndësishme që shëndeti mendor duhet të jetë më tepër i pranishëm në konferenca të tilla pasi nuk ka shëndet të mirë pa shëndet mendor të mirë. Ndoshta çështja e shëndetit mendor do të jetë dhe tema e përgjithshme e konferencës së ardhshme.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Humbja e Lëvizjes ‘Pesë Yje’ në Itali, lajm i keq për populistët shqiptarë

Nga Ervis Iljazaj Humbja e thellë që pësoi Lëvizja Pesë Yje në...
Read More