Ishte një votim normal i diplomacisë shqiptare, çështja po politizohet


Vota kundër rezolutës së Presidentit Trump, flet Albert Rakipi, Drejtor i Institutit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare

Shqipëria u rendit ndër shtetet që votoi kundër rezolutës së Presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

A do të ndikojë kjo votë në marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë? Nëse po, cilat do të ishin pasojat? Është një votë kundër Trump në bllok, apo kundër politikave të SHBA-së?

Në fakt Shqipëria ka mbështetur një rezolutë të sponsorizuar nga Turqia dhe Jemeni, rezolutë e cila i bën thirrje SHBA për të tërhequr njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Rezultatet e votimit në Asamblenë e OKB-së janë bërë të qarta. Rezoluta është mbështetur nga 128 shtete anëtare, midis tyre edhe Shqipëria. Mendoj se është lexim i gabuar ta interpretosh votën e Shqipërisë si votë kundër Presidentit Trump, apo aq më pak kundër SHBA.

Unë mendoj se Shqipëria i është bashkuar shumicës në OKB, Shqipëria i është bashkuar komunitetit ndërkombëtar, i cili i bën thirrje SHBA përmes një rezolute të reflektojë për vendimin për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

Dhe në këtë shumicë në Asamblenë e OKB-së bëjnë pjesë të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit (përjashtuar sigurisht SHBA) bëjnë pjesë të gjitha shtetet demokratike në botë (përjashtuar SHBA dhe Izraeli), bëjnë pjesë pothuajse të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian.

E kuptoj që ka shumë zëra që kundërshtojnë dhe e gjejnë të gabuar votimin e Shqipërisë. Mendoj se çështja po politizohet dhe debati është i orientuar nga interesat afatshkurtër politikë. Ky është një votim normal i diplomacisë shqiptare, nëse jo, aksioni më normal gjatë këtyre pesë vjetëve të fundit.

Në pamje të parë duket si një kthesë 180 gradë në politikën e jashtme, por nuk është kështu. Kritikët që i përmbahen kësaj ideje sjellin në vëmendje se SHBA është aleati strategjik i Shqipërisë. Jam i mendimit se duhet të jemi më modest në pretendimet tona në politikën e jashtme.

Mitet janë të bukura, por me to nuk ndërtohet e ardhmja. SHBA ka mbajtur dhe duhet të mbajë lidershipin në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe këtë lidership e ka gëzuar dhe ka qenë e suksesshme kur ka patur mbështetjen e aleateve të saj strategjik.

Europa është aleati strategjik i SHBA, Fuqitë europiane si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, fuqitë e tjera europiane. Kujtoni për shembull koalicionin e madh që Presidenti Bush, (babai), ndërtoi me 1991 kundër Irakut, pas sulmit që ky i fundit ndërmori kundër Kuvajtit.

Nëse ishujve Solomone apo Papa New Giunesë apo shtetit të Palaos do t’i bashkohej edhe Shqipëria, në kundërshtimin e rezolutës, në fund të fundit asnjë ndryshim nuk do të kishte. Nëse do të më pyesni nëse do të kishte një opsion tjetër Shqipëria.

Po. Mund të ishte abstenuar. Siç kanë bërë një numër shtetesh si Kanada, apo edhe më afër Kroacia. Por tani po gjykojmë nëse vota e Shqipërisë ishte e gabuar. Mendoj se nuk është e gabuar.

Edhe vendet që janë abstenuar nuk e mbështesin vendimin e SHBA të presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Lidhur me implikimet e mundshme pas këtij votimi “kundër” SHBA, nuk do të ketë pasoja.

Çdo konsideratë dhe interpretim që e lidh votën e Shqipërisë me kontekste religjioze (shumica në Shqipëri është myslimane), është i gabuar, spekulativ dhe i paqenësishëm dhe nëse nuk vjen nga naiviteti dhe padituria, është thjesht keqdashës.

Me votën kundër Shqipëria u rendit në bllokun e vendeve të BE-së, por në aspektin strategjik a ndodhemi në një “sanduiç” mes BE dhe SHBA? Nga duhet të orientohet dhe pozicionohet vendi ynë?

Rezoluta në OKB nuk ishte një çështje midis BE dhe SHBA. Një lexim i tillë nuk është i plotë. Pra nuk kishim një konflikt dhe një mosmarrëveshje midis BE dhe SHBA dhe Shqipëria zgjodhi BE.

Jo vetëm nën administratën Trump, por edhe më parë ka patur mosmarrëveshje në marrëdhëniet transatlantike.

Me administratën e tanishme ka më shumë. Por çështja e njohjes ose jo të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nuk është në mënyrë ekskluzive një çështje që ndan BE me SHBA.

Por edhe në çështjet që realisht BE dhe SHBA kanë qëndrime të ndryshme, Shqipëria është shumë e vogël për të patur rol dhe për të marrë krah.

Problemi themelor sot për Shqipërinë nuk është gjeopolitik në mënyrë të mirëfilltë, nuk është se ka përplasje për orientin perëndimor të vendit.

Problemi është se çdo ditë po dështojmë të ndërtojmë perëndimin dhe vlerat, standardet e perëndimit brenda Shqipërisë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vajza e Elsa Lilës në gjurmët e së ëmës, shikoni sa është rritur Evita!

Prej vitesh këngëtarja e njohur shqiptare Elsa Lila jeton në Itali. Ajo...
Read More