Ishte votë e drejtë, nuk mund të ndaheshin nga vendet e Europës


Flet Analisti Mustafa Nano – Shqipëria e provoi. Votoi kundër. Ishte një nga 128 vendet që bënë të njëjtën gjë (35 vende abstenuan, 21 vende nuk morën pjesë në votim, 9 ishin kundër rezolutës). Bëmë mirë? Apo bëmë keq?

Në fakt, nuk ka qenë një vendim i lehtë. Shqiptarët nuk është se thjesht u janë në borxh SHBA-ve. Jo, ka edhe vende të tjera që i janë në borxh superfuqisë së vetme të botës. Problemi është se ne jemi në një raport varësie jetike me ta.

Nëse vëmendja amerikane na ikën, këtu nuk dihet se si mund të venë punët. Sigurisht, janë vendet e Europës që na monitorojnë, është BE-ja ku ne duam të anëtarësohemi, por të gjithë e dimë se Brukseli nuk e ka ndikimin e Washingtonit.

Ju kujtohet ngërçi politik para zgjedhjeve? Erdhën shumë emisarë nga Europa, emra të njohur, të rëndësishëm. Angela Merkeli dërgoi zëvendësin e vet. Por në fund, ngërçin e zgjidhi Hoyt Brian Yee, që në administratën e lartë amerikane është vrima e fundit e kavallit: Zv.ndihmësi i sekretarit të shtetit për çështjet europiane e euroaziatike.

Për të patur një ide më të qartë mbi peshën e tij, po ju sjell edhe një fakt tjetër: Sapo është emëruar ambasador i SHBA-ve në Shkup. Siç shihet, është një diplomat amerikan i sërës së dytë, ndoshta të tretë.

Dhe fuqia e tij për të zgjidhur krizën shqiptare nuk buroi prej statusit zyrtar të tij, por prej faktit se në emër të kujt fliste. Ai fliste në emër të Departamentit të Shtetit. Është aq i madh ky ndikim amerikan në Shqipëri, sa nuk do ishte e tepërt të thuhej: Mos na lëntë Zoti pa Amerikën! Por….

…. Medalja ka edhe një anë tjetër. Vendimi Donald Trumpit është i gabuar. Tani, të kuptohemi, mbi bazën e rregullave dhe të logjikës së real-politikës, vendeve si Shqipëria nuk u takon, më saktë nuk u lejohet, që të kenë opinione e qëndrime të tyret mbi çështje të nxehta të politikës ndërkombëtare. Pastaj, në gjëra të tilla nuk mund të flitet gjithnjë me siguri matematike.

Por në këtë mes nuk është puna se ne mendojmë që SHBA-të janë duke bërë një gabim. Është pothuajse e gjithë bota që është me mendimin se vendimi amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit është dramatikisht i gabuar. Dhe kështu, çështja ndërlikohet. Ne nuk mund të ndaheshim nga vendet e Europës, prej të cilave asnjë nuk votoi kundër.

Flitej se do ta bënin këtë gjë Republika çeke dhe Hungaria, por edhe këto in extremis adoptuan një qëndrim të pabujshëm: abstenuan. Siç bënë edhe Kanadaja, Australia, për të cilat gjithashtu besohej se do votonin kundër rezolutës.

Ato që votuan kundër (përveç SHBA-ve vetë dhe Izraelit) ishin vende krejt të panjohura, emrat e të cilave më shumë sesa për emra vendesh mund të merren gabimisht prej shqiptarëve për emra ilaçesh apo parfumesh: Nauru, Palau etj.

Përveç kësaj, ne jemi një vend me shumicë myslimane, dhe do të kishim lënë nam e shkuar namit nëse do të veçoheshim nga bota që, në instancë të fundit, po vihej në mbështetje të të drejtave të një vendi mysliman që ende nuk është shtet, Palestinës. Më tej, ne jemi vend anëtar në Konferencën Islamike. E keni harruar këtë gjë?

Mos e harroni. Jemi ende vend anëtar i kësaj Konference, në të cilën nuk do duhej të ishim futur e prej së cilës do duhej të kishim dalë. Jo sepse atje bëjnë pjesë vend myslimane, por sepse kjo organizatë ka si qëllim primar të vetin “të frymëzohet nga, e të promovojë, vlerat e larta islamike”. Karta (statuti) i kësaj organizate fillon me fjalët: In the name of Allah…. (Në emër të Allahut….).

Mirëpo ne jemi ende në këtë Organizatë, ku bën pjesë edhe Turqia. Prej kësaj të fundit, gjithashtu, nuk mund të ndaheshim në një rast të tillë. Erdogani është ai që është, por Turqia është një aleat i yni strategjik.

Ç’është e vërteta, nuk ia kemi parë hairin për ndonjë gjë, duke përjashtuar xhaminë e madhe në mes të Tiranës, apo xhami të tjera të ndërtuara gjithandej, por ata janë me hir, me pahir aleati ynë historik, diplomatik, natyral.

“Baba” Erdogani do ishte tërbuar sikur ne të votonim kundër rezolutës. Në fund, vota jonë nuk është se do t’u shërbente shumë SHBA-ve. Nuk është se ishte një votë që do ndante shapin nga sheqeri. Nuk është se amerikanët ishin vënë në kërkim të një vote që atyre u duhej se s’bën, dhe ne ua refuzuam.

Nuk ishim as në situatën, në të cilën po merrej një vendim që për amerikanët do të ishte detyrues. Jo, miratimi i rezolutës nuk i detyron SHBA-të për asgjë. Duke qenë kështu, nuk është çudi që amerikanët vetë, për të mos vënë në pozitë të vështirë shumë aleatë, t’u kenë dhënë atyre heshturazi “lejen të mos ndahen nga bota”.

Me këtë shpjegohet, ndoshta, abstenimi i Kanadasë e Australisë. Siç shihet, peshorja anon nga “po”-ja për rezolutën. Është një “po” që nuk na rrezikon për asgjë. Është një “po” që me siguri është kuptuar nga amerikanët. Kuptohet, nëse kanë patur nge, e dëshirë, ta vënë re që ne kemi votuar “po”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Bima e çudirave për shëndetin, të gjithë e kanë në shtëpi, por pak ia dinë vlerat

  Aloe Vera është quajtur prej shekujsh ‘bima e mrekullisë.’ Ajo është...
Read More