Ishujt e ndershmërisë: Strategjia e Lu ‘nuk është ashtu siç duket’

Reformimi i drejtësisë kërkon kohë, kurse ambasadori amerikan po kërkon rezultate të shpejta. A ka një paradoks këtu apo është një strategji e mirëmenduar e ambasadorit amerikan?

Nga Enton Palushi

Kur nisën të transmetoheshin filmat e parë të Hollivudit, ashtu të titruar në shqip dhe të dubluar në italisht, kishte disa shprehje që na bënin përshtypje. Një prej tyre ishte: “nuk është ashtu siç duket”. Sa herë ndonjë protagonist kapej mat, lëshonte një shprehje të tillë, e cila shkaktonte të qeshura. Edhe sot e kësaj dite, një shprehje e tillë vazhdon të shkaktojë ilaritet. Fjala bie, një kompani celularësh përgatiti një fushatë publicitare përpara pak kohësh, në qendër të së cilës ishte një djalosh dhe kitara e tij. I dëshpëruar, ai kërkonte rikthimin e ish-të dashurës së tij. Por pikërisht kur ajo kthehet, ai ishte duke i mësuar një vajze strategjinë se si duhej të rifitonte zemrën e ish-it. Ish-e dashura mendoi se e kapi mat dhe u largua e zemëruar, kurse ai e ndjek nga pas duke i thënë se “nuk ishte ashtu siç dukej”.

Por a duhet të na bëjë vetëm për të qeshur kjo shprehje? Ajo është ‘farkëtuar’ jo që të bëjë njerëzit për të qeshur, por në shoqëri ku pafajësia është e rëndësishme. Sepse pavarësisht se si mund të duken gjërat, e vërteta duhet kërkuar deri në fund.

***

U bë kohë që Shqipëria është zhytur në ethet e Reformës në Drejtësi. Arsyeja se përse është nxitur kjo reformë nuk ka ardhur për shkak se qëllimi kryesor është pafajësia. Në rastin tonë, qëllimi kryesor është ndëshkimi. E si e tillë, mund të thuhet se nuk jemi në kërkim për të zbardhur atë që ‘nuk është ashtu siç duhet’, por për të ndëshkuar atë që ‘është siç duket’. E thënë akoma më ndryshe, ne jemi në kërkim të prangave dhe të burgut. Në krye të kësaj reforme është vendosur ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, vendi i të cilit e di shumë mirë se që të ndërtosh një reformë themelore në drejtësi, duhet kohë, burime njerëzore, por mbi të gjitha ajo duhet bërë me parimin se asnjë i pafajshëm nuk duhet të vuajë dënimin me burg. Fjala bie, nëse jeni ndjekës i lajmeve të mediave ndërkombëtare, nuk do shihni kurrë të pasqyruar vendimin për dënimin e një amerikani për një krim. Ama nëse një amerikan është dënuar e ka bërë dhjetëra vite burg pafajësisht, historia e tij do ju dalë patjetër në ekran, nuk ka rëndësi jeni shqiptar, gjerman apo brazilian.

***

Më 13 qershor të vitit 1994, në një nga zonat e Los Angeles, u gjetën të vrarë Nicole Brown Simpson dhe Ronald Goldman. Ajo që pasoi është cilësuar si gjyqi më i mediatizuar në historinë botërore. Policia arrestoi për këtë krim të rëndë ish-bashkëshortin e Nicole, futbollistin dhe aktorin O.J Simpson. Më shumë se 11 muaj gjyq i mbajti amerikanët të gozhduar përpara ekraneve dhe faqeve të gazetave. E kur ishte menduar se O.J Simpson ishte i pashpresë dhe do përfundonte i dënuar me vdekje për vrasjen e ish-gruas dhe kamerierit Ron Goldman, gjërat ndryshuan plotësisht. Simpson punësoi një ekip mbrojtës të një niveli të lartë. Ata u njohën ndryshe edhe si “Dream Team”. Në fund, ishte policia që përfundoi e dyshuar dhe e akuzuar për racizëm, kurse Simpson u shpall i pafajshëm për të dyja vrasjet. E gjitha kjo bëri që avokati i “Dream Team”, Robert Shapiro të bënte komentin e famshëm se “sistemi ynë gjyqësor i jep shumë rëndësi mbrojtjes së të pafajshmëve”. “Shtylla themelore e sistemit tonë është ideja se më mirë të lësh një person të pafajshëm të lirë, se të dënosh dikë pa prova përtej dyshimit të arsyeshëm”.

***

A do thotë kjo se ambasadori amerikan ka gjetur rrugën e gabuar për të arritur te drejtësia? Jo, aspak. Por duket se strategjia e tij është më e ndryshme dhe qëllimi i mirë nuk mund të vihet në dyshim. Sepse edhe vetë ambasadori e di se ka një paradoks kur flet për gjyqe të komunizmit dhe vetë jep emra politikanësh të korruptuar, kur kërkon një drejtësi të përgjegjshme dhe vendos afate. Kritikët mund të thonë me plot gojën se mjafton vetëm struktura e komplikuar dhe ‘deti i ligjeve’ si një arsye e fortë për të manovruar mes tyre sipas interesave të çastit. Tek e fundit, institucione dhe ligje kemi pasur, disa thonë edhe të mira, por nuk kemi pasur drejtësi të mirë.

Atëherë cila është strategjia e ambasadorit Lu?

Në fund të vitit 2016, kur bota përjetoi disa prej tërmeteve politike më interesante jo vetëm të dekadës, NY Times mori në analizë çështjen e korrupsionit. Raymond Fisman, profesor i ekonomisë së sjelljes në Universitetin e Bostonit, që studion korrupsionin sistematik, tha se në momentin që korrupsioni endemik fiton pushtet, infekton të gjithë sistemin, duke inkurajuar e madje përforcuar sjelljen e keqe.

Fiesman thotë se mënyra më e mirë për të menduar për korrupsionin është që ta shohim atë si një ‘ekuilibër’.

“Ky ekuilibër është rezultat i njerëzve që veprojnë në mënyrë racionale brenda një sistemi me të meta, jo vetëm shkak i gabimeve individuale morale”.

E shpjeguar më thjesht: Të gjithë ne mendohemi së paku dy herë kur duhet të paguajmë ryshfet.

“Nëse shumica e njerëzve janë të ndershëm, duke paguar një ryshfet ti po bën një veprim të rrezikshëm”, thotë profesori.

“Ka pak njerëz që janë të interesuar për të marrë një ryshfet dhe shumë të tjerë të gatshëm për ta raportuar ryshfetin tek autoritetet. Në këtë skenar, ekuilibri favorizon marrëveshjet e ndershme”.

Por në rastin e vendeve si Shqipëria, gjërat ndryshojnë.

“Sa më shumë njerëz të jenë të angazhuar në korrupsion, aq më kollaj është që të gjesh partnerë në krim. Përfitimet nga të qëndruarit i ndershëm ulen ndjeshëm, për shkak se të gjithë përpara teje ose janë duke kaluar pa radhë për të takuar doktorin, ose janë duke fituar kontrata që mund të fitoheshin nga ti. Në këto kushte vendoset një ekuilibër i ri- një ekuilibër që favorizon marrëveshjet e pandershme”.

Profesori Matthew C. Stephenson i Shkollës së Ligjeve në Harvard, thotë se kontrolli demokratik dobësohet për shkak se nuk funksionon as vota.

“Nëse procesi zgjedhor është mjaftueshëm i korruptuar, ti mund të blesh votat ose mund t’i manipulosh ato. Pra, nuk je i shqetësuar për faktin se korrupsioni përbën rrezik elektoral”.

Por cila është zgjidhja?

Nëse vendoset një ekuilibër korrupsioni, ai nuk ndalet derisa te rikthehet besimi tek institucionet. Dhe lajmi i mirë është se ekuilibri, ashtu siç e ka emrin, është i brishtë.

Në këtë rast, Christoph Stefes, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kolorados, thotë se ekuilibri mund të thyhet nga disa ‘ishuj ndershmërie’.

“Kur prokurorët ose të tjerë zyrtarë fitojnë mjaftueshëm pavarësi për të hetuar zyrtarët e korruptuar, atëherë mund të nisë zhbërja e ekuilibrit të korrupsionit”.

“Unë i quaj “ishujt e ndershmërisë”. Të tilla hetime nuk janë të mjaftueshme për të zhdukur korrupsionin. Por ato mund të bëjnë ndryshimin sapo të nisin të përhapen”, thotë ai.

A mund të jetë një strategji e amerikanëve ajo e krijimit të ‘ishujve të ndershmërisë’? Ky duket një arsyetim më i pranueshëm sesa pastrimi i tërë sistemit dhe rregullimit nga e para. Një strukturë si SPAK mund të jetë e mjaftueshme si një armë për të thyer ekuilibrin e korrupsionit. Kurse shqiptarët do jenë me shpresën se ‘shembja’ do jetë si një zinxhir dominosh.

Rreziku nga zhgënjimi

Para disa kohësh, një juriste amerikane, që vepron prej kohësh në Shqipëri, tha se problemi më i madh në Shqipëri është zhgënjimi. Ngado që të hedhësh sytë, sheh zhgënjim. Prandaj është e rrezikshme loja me rritjen e pritshmërive. Sa më lart të jetë steka, aq më shumë shtohen shanset që zhgënjimi të jetë më i fortë. Ndoshta këtë herë do jetë ndryshe.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Donald Lu foli politikisht, as juridikisht dhe as diplomatikisht

Nga Ervis Iljazaj Siç ndodh zakonisht në situata të tensionuara politike, nga...
Read More