Ismail Kadare: Jam i prekur nga “shteti” im



Ismail Kadare dhe Bujar NishaniPresidenti i Republikës Bujar Nishani, ka dekoruar dje me Flamurin Kombëtar, shkrimtarin Ismail Kadare, në konferencën solemne “Shekulli i Kadaresë”, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, me praninë e Kadaresë. Krerët e Akademisë së Shkencave nga tri trojet shqiptare kanë përshëndetur shkrimtarin, së bashku me akademikët arbëreshë

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ka dekoruar dje me “Flamurin Kombëtar” shkrimtarin Ismail Kadare, në konferencën solemne “Shekulli i Kadaresë”, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës, ku morën pjesë dhjetëra përkthyes nga e gjithë bota. Akademikja Floresha Dado ka çelur konferencën, duke theksuar se “Shekulli i Kadaresë” është një metaforë e merituar dhe “ne si studiues këmbëngulim në këtë vlerësim, edhe pse Kadare vetë na tha se është metaforë e ekzagjeruar”, tha ajo. Presidenti Nishani, gjatë ceremonisë së ndarjes së dekoratës së lartë, tha se vepra e Ismail Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar, është vlerë botërore. Vlerësimi personal i presidentit: Në një sistem tiranik, i pangjashëm me të tjerët në dhunë e çmenduri si komunizmi shqiptar, ju ruajtët dhuntinë e shkrimit dhe zgjeruat hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne! Në këtë përmbajtje, Nishani ka vazhduar se: “Unë jam njëri prej lexuesve të Ismail Kadaresë, i çdo gjëje që ai ka shkruar, jam një shqiptar që ka jetuar diktaturën dhe lirinë me librat e tij si referencë dhe mund të them me fjalë zemre se çfarë ishte, çfarë është e çfarë do të jetë për ne ai dhe vepra e tij! Në këtë pikë ndihem i pakompleksuar. Në një sistem tiranik, i pangjashëm me të tjerë në dhunë e çmenduri si komunizmi shqiptar, Ismail Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit dhe zgjeroi hapësirat e lirisë mendore për të gjithë ne! Po, vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues. Tek lexoje romanet e ndryshme, ndieje se ai në çdo rresht e kishte mundur banalitetin e së keqes, ndieje në çdo rresht disidencën estetike për të kulmuar me atë politike te ‘Pallati i Ëndrrave’, ndoshta vepra më e guximshme dhe më e arrirë që dilte nga Ferri i përbotshëm Komunist në Shqipërinë e asaj kohe.

Çdonjëri prej jush besoj bie në një mendje me mua në pohimin se Kadare me intuitë shekspiriane dhe kurajë të pazakontë përkufizoi krimin, përgjakjen dhe frikën, këtë perpetum mobile të çdo tiranie, duke universalizuar ndodhitë shqiptare me të cilat ai udhëtoi nëpërmjet qindra e qindra botimesh në 45 gjuhë të botës. Kadareja krijoi qytetet si kujtesë e si mungesë, qytetet e pushtetit të rinisë e të lirisë, Gjirokastrën, Tiranën, Moskën, Pekinin, Stambollin, Parisin e të tjerë, duke alternuar historinë me letërsinë si përsëritëse të njëra-tjetrës, duke i dhënë mundësinë të dytës të parodizojë të parën si funksion alegorik, si procedim kundërveprues ndaj censurës. Në mijëra kilometra shtrihet peizazhi i tij artistik, në mijëra vjet thellësi zbret hulumtimi i tij nga mitet e gjenezës deri në aktualitet. Izolimi komunist humbi betejën themelore me veprën e Kadaresë. Ai bëri letërsi të madhe evropiane në Shqipëri, kur ajo anatemohej si e keqja absolute. Ai e mbajti shpirtërisht Shqipërinë në Evropë duke i plotësuar këtë nevojë jetike. Ne u kapëm te kjo spirancë kur thërrisnim në vitet 1990-të ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’ Jo rastësisht studentët në sheshe dolën edhe me portretin e shkrimtarit. Atë që nisën Buzuku, Bogdani, Budi, Bardhi e të tjerë gjatë zymnajës drithëruese otomane e përfundoi Ismail Kadareja……Me Dekoratën e lartë që po ju akordohet, unë, sot, në cilësinë e Presidentit të Republikës, dhe jam i bindur që flas edhe në emër të të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, thjesht e njohim, e pranojmë, e vlerësojmë dhe e bëjmë publik këtë realitet të patjetërsueshëm,” përfundoi Presidenti.

Ndërsa Kadare, pas marrjes së dekoratës, tha: “Unë jam i prekur nga ky nderim që për fat të mirë në vendin tonë që ka shpesh ka çoroditje, turbullime, po është një konstante nderimi për kulturën dhe njerëzit që e krijojnë këtë. Mua ky nderim më pëlqen jo për t’u hequr si moralizant por se për ne shkrimtarët nuk ka nderim personal dhe mua më pëlqen që shefi i shtetit merr pjesë në një festë kulturore. Unë ju falënderoj gjithashtu dhe ju prisni ndoshta ndonjë gjë të madhe, se ky njeri që ka bërë gjithë këto vepra, kushedi ç’do të na thotë.

Unë ju falënderoj të gjithë në këtë sallë, kolegët shkrimtarë, kolegët studiues, përkthyesit nga gjuha shqipe dhe që janë mëma e gjithçkaje. Këta e kanë vënë në dukje se ndihen pakëz të harruar por ju mund t’ju harrojë gjithë bota, po ne autorët nuk ju harrojmë kurrë.

Sikur të mos mjaftonte që jeni torturuar me gjuhën tonë të ndërlikuar e shumë të vlefshme për artin, po keni bërë dhe qindra km për të ardhur këtu dhe shpresoj të hyjë kjo në atë kujtesën tonë të mirë pozitive që ndonjëherë mungon në jetën tonë”, theksoi shkrimtari.

Gjatë konferencës, studiuesit kanë folur për rolin që zë vepra e tij në Shqipëri dhe në botë.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, tha ndër të tjera se Kadare është më i vlerësuari dhe më i interpretuari nga studiuesit e huaj. Ndërkohë, akademiku Ali Aliu tha se krijimtaria e tij është monumentale.

“Krijimtaria e Kadaresë përfshin mbi 40 vepra të përkthyera e të vlerësuara në botë. Vepra e Kadaresë është një dritë e ndezur e historisë së kombit të vet”, tha kritiku i njohur i letërsisë Aliu.

Ndërsa studiuesi Françesko Altimari mban një atmosferë ende prej romantizmit arbëresh kur shprehet se sillte në Tiranë përshëndetjet e bashkësisë arbëreshë, duke ndjerë përmes veprës së Kadaresë afrinë kulturore. Ka sjellë rastin e De Radës, të cilin Kadare e ka vlerësuar si një nga krijuesit e atdheut të humbur, që mbajti gjallë ëndrrën e Shqipërisë për Evropën. Nëse kjo ëndërr vazhdon, thekson Altimari, meritën për këtë e ka letërsia e Kadaresë gjatë kohës së diktaturës, kur bashkëjetuan intelektuali dhe simboli i kujtesës në një hapësirë shumë të gjerë”.

Konferenca “Shekulli i Kadaresë” ka njoftuar tri botime të reja nga studiuesit e njohur për veprën e tij: Botimi kritik i veprës së Kadaresë, mbi dorëshkrimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, censuruar më ‘73. Mandala tha se në këtë libër ka bërë një studim filologjik të dorëshkrimeve origjinale që ia ka dhënë vetë Kadare pas rikthimit pas 45 vjetësh në Shqipëri.

“Nuk mund t’i themi që ishte disident, por me plot gojën themi se ai ishte një kundërshtues i vazhdueshëm i metodës se realizmit socialist. Nëpërmjet lirisë së shkrimit, Kadare mundi t’u japë liri lexuesve shqiptarë”, tha Mandala. Ndër dhjetëra përkthyesit e Ismail Kadaresë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, ishte i pranishëm edhe përkthyesi francez Eric Faye. Ai e bëri Kadarenë një emër të dashur për lexuesin francez. “Sigurisht që mbërritja e dhjetëra përkthyesve në Shqipëri është mbi të gjitha një homazh, një nderim që i bëhet Ismail Kadaresë. Ne në Francë nuk kemi shkrimtarë të përmasave të Ismail Kadaresë. Kemi shkrimtarë që kanë çmime nobel, por te vepra e Kadaresë gjejmë dimensione që nuk i kemi të pranishme te shkrimtarët që kemi në Francë sot”, tha Faye.

Dekorimi: Lartësimi i emrit dhe vlerave të kombit në botë!

Akademiku dhe shkrimtari i shquar Ismail Kadare, nderohet me dekoratën më të lartë “Flamuri Kombëtar” të Republikës së Shqipërisë, nga Presidenti i Republikës, gjatë konferencës ndërkombëtare “Shekulli i Kadaresë”, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me motivacion: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme për veprat e vyera letrare, për pasurimin e pashtershëm e të çmuar të letrave shqipe, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në drejtim të lartësimit të emrit e vlerave të kombit shqiptar anembanë botës”

Nr. i Dekretit: 9586

Datë 12.5.2016

 

 

Tre Akademikët e trojeve shqiptare: Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni

Korkuti: Do vazhdojë kërkesa e Akademisë për Nobelin e Kadaresë

Kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Myzafer Korkuti, tha ndër të tjera se Kadare është më i vlerësuari dhe më i interpretuari nga studiuesit e huaj. Kreu i shkencave ka ndalur në personalitetin e shkrimtarit, duke e vlerësuar si mendimtar i rrallë, me korpus letrar të pa përfunduar. Ndër të tjera, Korkuti tha se institucioni akademik në Tiranë vazhdon të këmbëngulë në kërkesën e tyre për nderimin me çmimin Nobel të shkrimtarit shqiptar për gjuhën dhe kulturën.

Ali Aliu: Kadare, krijimtaria e tij është monumentale

Kryetari i Akademisë së Shkencave në Prishtinë, Ali Aliu, tha se krijimtaria e Kadaresë është monumentale me vepra të përkthyera e vlerësuara në botë. “Vepra e Kadaresë është një dritë e ndezur e historisë së kombit të vet, një vizion në shtresëzimin dhe thellësinë e qenies sonë, me një gjuhë “të llojit të errët” me enigma, të shqetësimit të njeriut, me përshkëndimë profetike. Vepra e Kadaresë do të ndihmojë për një botë më të mirë”, ka thënë kritiku Aliu.

Luan Starova: Vepra e Kadaresë, ura me Shqipërinë, pas izolimit

Kryetari i Akademisë së Shkencave shqiptare në Maqedoni, Luan Starova, në përshëndetjen e tij tha se “për ne, që jetojmë jashtë, vepra e Kadaresë ka qenë një shërim, katarsisi ynë në shekullin XX, sidomos kur dolëm nga izolimi”. Vepra e Kadaresë, ka theksuar Starova, është një vepër e angazhuar në periudhë të vështirë, duke i dhënë vendit një rilindje të dytë dhe për brezin e tij, shërbeu për ndërtimin e urave me Shqipërinë, siç jemi sot. Vepra e Kadaresë e shkruar për 60 vjet, tha akademiku, e ndërtuar me asketizëm, mbetet enciklopedia shqiptare

 

Ismail Kadare: Kemi shpesh çoroditje, kaos, turbullime por, nderohet kultura dhe njerëzit

Fjala e plotë e shkrimtarit Ismail Kadare, në ceremoninë solemne të dekorimit me Flamurin e Kombit, nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani

Zoti president i Republikës,

Zotërinj Akademikë,

Zotërinj të ftuar, miq

Kolegë, studiues, përkthyes!

Ju falënderoj së pari, zoti President për çmimin e lartë që më atribuuat sot në emër të shtetit tuaj, për fjalët, për vlerësimin maksimalisht që bëtë për mua, dhe që janë dëshmitar të gjithë, por dhe thjesht, edhe për praninë tuaj, edhe sikur mos të ishin për mua këto, por për kulturën e letërsinë shqiptare…Unë jam i prekur nga ky nderim, pasi ne, jemi të lidhur me vlerësimin që i bëhet kulturës. Për fat të mirë në vendin tonë- i cili ka shpesh çoroditje, turbullira, fillime kaosesh, mbarime kaosesh, fillime të tjera kaosesh – është një konstante nderimi për kulturën dhe njerëzve që e krijojnë atë.

Mua ky nderim më pëlqen jo për t’u hequr si moralizant por se për ne shkrimtarët nuk ka nderim personal dhe mua më pëlqen që shefi i shtetit merr pjesë në një festë kulturore; flet me të, merr pjesë, flet si njeri i kulturës dhe shtetit.

Unë ju falënderoj gjithashtu, dhe ju prisni ndoshta ndonjë gjë të madhe, pasi mendoni se ky njeri që ka krijuar gjithë këto vepra, kushedi ç’do të na thotë.

Ne, që shkruajmë shumë, nuk flasim aq bindshëm dhe mund të krijojmë zhgënjim, po nuk ka gjë, të gjithë na e falin këtë gjë

Unë ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve ju në këtë sallë, zonja e zotërinj!

Falënderoj kolegët e mi shkrimtarë, kolegët, studiues dhe përkthyesit nga gjuha shqipe, që janë mëma e gjithçkaje, e kësaj që po lind dhe që, ne e nderojmë sot.

Sikur të mos mjaftonte që jeni torturuar me gjuhën tonë të ndërlikuar e shumë të vlefshme për artin, po keni bërë dhe qindra km për të ardhur këtu dhe shpresoj të hyjë kjo në atë kujtesën tonë të mirë pozitive, që ndonjëherë mungon në jetën tonë

Këta përkthyes ndonjëherë, me të drejtë kanë vënë në dukje se ndihen pakëz të harruar.

Por unë po ju them zotërinjve përkthyes se, mund t’ju harrojë gjithë bota, por ne, autorët nuk ju harrojmë kurrë! Ju jam mirënjohës sepse sikur mos të mjaftojë teksti i mirë në gjuhën shqipe, si një gjuhë e ndërlikuar, sikur të mos mjaftonte kjo që jeni munduar e torturuar me tekstet e mia, bëni 1 mijë kilometra larg dhe vini këtu, prandaj jam dyfish mirënjohës.

Mua më gëzon kjo festë.

Ju ju gëzon gjithashtu, gjithë ne na gëzon!

Dëshiroj që kjo, të hyjë në kujtesën e mirë, pozitive që nganjëherë mungon në jetën tonë. Për këtë keni meritë të gjithë, siç i përmenda me radhë.

Ju falënderoj edhe njëherë nga zemra.

 

Rojet e Presidentit kontrollojnë me detektor “lulet” e Kadaresë

Një tufë me lule shumëngjyrëshe, përgatitur enkas për t’ia dhuruar shkrimtarit nga Presidenca jashtë dyerve të sallës është kontrolluar imtësisht për ndonjë gjë të dyshimtë. Kanë qenë rojet e presidentit, të cilët kanë kaluar në detektor tufën me lule që do të shkonte drejt Kadaresë. Në hollin e Hotel International Tirana, pranë tavolinave të mbushura me libra të Kadaresë, një grua ka mbajtur tufën me lule, ndërsa rojet kanë nisur kontrollin në brendësi të tufës, duke e kontrolluar për pak minuta para se të kalonte portën. Një kontroll rutinë, por që nuk i ka shpëtuar vëmendjes së presidencës për t’u kujdesur për shkrimtarin, edhe në këtë pjesë të sigurimit.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Përrallat e ‘800-ës: Zanat “flasin” gjermanisht

Qendra e Studimeve Shqiptare në Londër boton koleksionin e përrallave shqiptare në...
Read More