IT Open Days: Studentët e UET, internshipe dhe punësim pranë Infosoft

Departamenti i Informatikës, Matematikës dhe Statistikës, në bashkëpunim me InfoSoft Systems organizuan IT Open Day në UET. Gjatë aktivitetit pati prezantime nga përfaqësues të Infosoft, si dhe mundësi internshipesh dhe punësimi

Departamenti i Informatikës, Matematikës dhe Statistikës, në bashkëpunim me InfoSoft Systems zhvilluan Ditët e Hapura të Teknologjisë së Informacionit – IT Open Day – në Universitetin Europian të Tiranës. Ky aktivitet u zhvillua në kuadrin e partneritetit strategjik që Universiteti Europian i Tiranës ka lidhur me Infosoft Systems.

Gjatë këtij aktiviteti, përfaqësuesit e kompanisë Infosoft Systems prezantuan produktet dhe teknologjitë e reja që po aplikojnë në vend dhe në rajon. Ndër të tjera ata iu bënë thirrje studentëve të UET-it të aplikojnë për mundësi internshipesh dhe punësimi.

Gjithashtu, në kuadër të bashkëpunimit, studentët e Universitetit Europian të Tiranës do të kenë mundësi të kryejnë punime të diplomës pranë kompanisë Infosoft. Pedagogia Teuta Xhindi e quajti këtë aktivitet një takim mes botës akademike dhe asaj të biznesit.

“Është kënaqësi që bëjmë aktivitete të tilla, personalisht ndihem shumë mirë kur kanë lidhje me informatikën, me inteligjencën artificiale, me teknologjitë e reja, me inovacionet apo startup-etj”, –tha presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici, ndërsa iu drejtua studentëve që t’i shohin këto takime me kompanitë që janë lider në sektorin informatik, teknologjive apo inovacionit si një portë. “Jo vetëm duhet të dini ta shfrytëzoni, por edhe të bëni të gjithë përpjekjet e duhura për të përfituar nga kjo mundësi që na jepet, sepse jemi në degën dhe në sektorin nga më të avancuarit, nga më dinamikët dhe më të kërkuarit. Unë jam në Ekonomi dhe më besoni një nga vështirësitë më të mëdha që kam me studentët është kur u shpjegoj vlerën, prodhimin, rritjen ekonomike, është t’ju shpjegoj që sot produkti më i kërkuar, më i vlerësuar dhe më i paguar nuk është produkti material por produkti i mendjes, prodhimi i njohurive, informacionit dhe gjithë shërbimet informatike dhe teknologjike”, –u shpreh Civici.

Drejtuesit e Universitetit dhe stafi akademik synon që përvoja të tilla t’i kthejë në traditë bashkëpunimesh jo thjesht formale, ku do të kryhen praktika mësimore, tema kërkimi apo edhe punësim, por nga takimi i kompanive më të mira dhe studentëve të universitetit të dalë një produkt konkret e të jetë i kërkuar në treg. “Besoj se nëse jemi brenda kësaj filozofike dhe këtij morali me siguri që do jemi të suksesshëm” –përfundoi presidenti i UET.

Marsuela Hamitaj, specialiste marketingu pranë Infosoft Systems, pjesë e Infosoft Group, foli rreth filozofisë së shërbimeve që ofron kompania.
Infosoft Group është një nga grupet më të mëdha në Shqipëri dhe numëron 14 kompani, pjesë e këtij grupi është Infosoft Managment Service, Infosoft System Shqipëri, Infosoft System Kosovë, Infosoft System Maqedoni etj.

“Ky është një bashkëpunim që ne do donim ta vazhdonim edhe në të ardhmen. Ne si kompani bashkë me prodhuesit tanë, kryejmë aktivitete herë pas here, evente, workshop-e, të cilat mendojmë që janë një mundësi shumë e mirë që ju të njiheni me teknologjitë më të reja dhe më të fundit. Nëse ju e shihni me interes, në këto aktivitete mund t’ju krijojmë mundësinë që të jeni pjesëmarrës”, –tha Hamitaj, ndërsa Donald Xhika, menaxher operacionesh pranë Infosoft Business Solution bëri një prezantim të këtij sektori.

Ky aktivitet sipas pedagoges së UET, Teuta Xhindi zhvillohet në kuadër të projektit të 10 partneriteteve strategjike. “Është në vazhdën e takimeve që ne kemi bërë qysh herët për të bërë bashkë botën akademike me botën e biznesit”, –tha Xhindi, ndërsa vijoi se nga ky takim pritet prania konkrete e studentëve të UET të profilit të Informatikës në mjediset e Infosoft.

“Për të bërë internshipe të përbashkëta dhe punime diplome të përbashkëta në kujdestarinë ose nën mentorimin e profesionistëve nga kompania. Pra pritet një output në interesin tuaj nga ky takim i sotëm” –përfundoi Xhindi.

Universiteti Europian i Tiranës ka tre programet e studimit në Informatikë Ekonomike; programin Bachelor, programin Master dhe programet e doktoraturës.

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në Infosoft u tha studentëve se kjo kompani po kërkon studentë për të zhvilluar praktikën pranë tyre në dy profile. Nga kjo kompani u bë e ditur se internshipi mund të zgjasë deri në tre muaj. Pas këtij afati studentët që do të vlerësohen me rezultatet më të mira edhe në testimet që do të bëjë kompania mund të merren si të brendshëm, duke iu ofruar punësim.

Donald Xhika, menaxher operacionesh pranë Infosoft u ndal pak te punimet e diplomës që shpesh përfundojnë në planin teorik. “Kjo nuk është për fajin tuaj. Është për faj të mundësive që ju jepen për të realizuar këto tema edhe më konkrete. Ne do ju vëmë në dispozicion të gjitha mjetet e duhura; ambientet e punës, teknologjitë e nevojshme për zhvillimin e një teme diplome, do të thotë profesionalistë të asaj fushe ku ju do ta zhvilloni temën e diplomës, që të jenë mentorët tuaj për trajtimin e asaj tematike që ju do të zhvilloni në temë diplome”.

Përfaqësuesit e Infosoft thanë se kanë menduar për katër tema diplomë, të cilat do të mund të zhvillohen pranë mjediseve të Infosoft Business Solutions dhe udhëheqës dhe mentorë të këtyre temave të diplomës do të jenë konsulentët e biznesit nga kompania po ashtu edhe zhvilluesit, programuesit që kanë eksperienca. Xhika ka shkuar më tej duke i prezantuar konkretisht edhe temat që janë “Kanalet e shpërndarjes së produktit, metoda tradicionale vs. informatizimi i tyre”, “Informatizimi i rritjeve të shitjes nëpërmjet software-ve aplikativë”, “E-commerce, tregtia elektronike” dhe temë e fundit “Vertikalizimi i sistemeve të informacionit të menaxhimit”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Europa të reagojë më ashpër mes përplasjeve gjeopolitike në Ballkan

Nga Blendi Lami Imagjinojmë një histori:             Në vitin 2032, Europa tenton...
Read More