Izet Haxhia: Pendohem që kryekusarin Berisha nuk e hodha në det. Çadra e PD-së është çadra e banditëve

izet-haxhia

Për Izet Haxhinë, ish-truprojën e Sali Berishës, viti 1997 i njohur ndryshe si pragu i Luftës Civile ka vetëm një shkaktar.

“Ai quhet Sali Berisha dhe ndihem fajtor që nuk ia shmanga vendit tim një fatkeqësi si ai. E kisha në dorë, ta lija të arratisej, por pendohem që e ndalova. T’ia kisha hedhur peshqve në det ta hanin, ta mbyllja në një nga tunelet e Dajtit, këtë duhet të bëja”, u shpreh Izet Haxhia në një intervistë për Shqiptarja.com.

Nga larg Haxhia ndjek çdo zhvillim politik në atdheun e tij dhe bën habi me protestën e opozitës tek e ashtuquajtura e Çadra e Lirisë.“Aty ka vrasës, banditë. Banda e Çadrës duhet të quhet”, thotë ish truproja e Berishës, duke përmendur Imamin, Preç Zogajn.

Rezerva ka për të majtën në opozitë në vitin ’97, apo kryeministrin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Bashkim Finon.

Z. Izet Haxhia, përshëndetje. Kanë kaluar 20 vjet nga ngjarjet e vitit ’97, por dua të fokusohemi tek disa moment kulminante. Ka pasur shumë ngjarje që kanë tronditur jetët e shqiptarëve, ka pasur vrasje, shtetrrethim, banda. Në pak muaj, u hapën shumë varre, pati shumë protesta kundër pushtetit të asaj kohe. Ju keni qenë njeriu më i afërt i ish Presidentit Sali Berisha. Si e përjetonte Presidenti atë situatë. Çfarë urdhrash keni marrë, cili ishte më ekstremi?

Viti i zi për shqiptarët e Shqipërinë dhe ngjarjet e rënda që ndodhen nuk erdhën në mënyrë të papritur. Ata erdhën si pasojë e një politike autoritare të Berishës dhe qeverisjes së tij që patën si shkëndijë të shpërthimit të tyre falimentimin e firmave piramidale. Ishte represioni i shtetit dhe instrumenteve të tij që çuan në vjedhjen e votave në muajin Maj 1996, dhuna ndaj opozitës dhe mediave që ishin me frymë opozitare dhe kjo e bërë në funksion të një mandati të dytë presidencial të Berishës ,që çuan në këtë revoltë masive të shqiptarëve. E majta e tulatur dhe pa asnjë mundësi reagimi ndaj kësaj shtypje u mundua t’i përdori këto revolta që shumë shpejt morën karakter politik. Ka pasur shumë ngjarje e episode të rënda që tronditen shtetin apo antishtetin e ndërtuar nga Berisha.

Që nga ngjarjet e Lushnjes ato të Beratit e më vonë ato të Vlorës. Berisha në vend që të ndiqte politikën e zgjidhjes së problemit që në dukje ishte ekonomik, por në thelbin e tij kishte ato që thashë më lart, shtypjen politike, vendosi t’i përgjigjej me dhunë dhe përçarje këtyre revoltave çka do të sillte rënien e shtetit në mars 1997 dhe futjen e vendit ne kaos dhe spiralen e dhunës.Berisha u kujtua të bënte zgjidhje atëherë kur zjarri i kësaj revolte i erdhi tek dera e zyrës së tij në Presidencë. Dhe kjo zgjidhje nuk ishte për të shpëtuar shtetin që kishte rënë, por veten e tij dhe amnistuar krimet e bëra. Berisha nuk ndjen kurrë keqardhje për ato krime që ka bërë, por mund të ndjejë keqardhje për ato që nuk ka mundur të bëjë.

Si u tulat e majta?

Opozita ra në kurthin e Berishës që para një jave para se të zgjidhej president nën mbështetjen e tankeve e armëve nga një parlament ilegjitim, apo një Berishe që shpallte gjendjen e jashtëzakonshme e dërgonte rekrutë e ushtrinë të shtypte jugun duke u munduar të ndizte një konflikt jug-veri.

Kush ishte iniciatori i kësaj lëvizje që mund të ndizte Luftën Civile?

Iniciatori i kësaj marrëveshje të filluar në fshehtësi ishte Prec Zogaj një bashkëpunëtor i sigurimit dhe shërbimit sekret grek. Jo rastësisht u zgjodh ky person nga qarqet antishqiptare. Këtu qëndron edhe kurthi dhe tradhtia që ju bë popullit të revoltuar, me këtë marrëveshje, duheshin larë hesapet njëherë e mirë me shkaktarin e saj, Berishën e trembur, e frikësuar. Pra marrëveshja e 9 Marsit ishte një marrëveshje që amnistoj Berishën dhe e la atë në politikë, ndërsa nata e 13 marsit është nata kur unë me njerëzit e mi e kthyen nga rruga e arratisë Berishën dhe ia lamë peshqesh këtij vendi e populli sot e kësaj dite. Pasojat e kësaj marrëveshje ndihen edhe sot e kësaj ditë në politikën e kriminalizuar shqiptare sepse u legalizua krimi në politikë u amnistua për të mos u ndëshkuar sot e kësaj dite.

A u qetësua gjendja pas marrëveshjes së 9 Marsit? A funksionoi Qeveria e Pajtimit, Fino? Dukeni i penduar për këtë ‘peshqesh’…

Qeveria Fino edhe pse u krijua në bazë të kësaj marrëveshje nuk filloi funksionim e saj deri më 15 Mars. Përkundrazi, situata u bë me kaotike dhe jashtë kontrollit. Edhe pse i kërkuam Berishës të ruanim Burgun 313 ku ishin grumbulluar të gjithë kriminelët më të rrezikshëm, Agim Shehu i bëri presion komandandit të atëhershëm të forcave të RENEA-s, që të mos bënin mbrojtjen e burgut si duket edhe kjo një pjesë e pashkruar e marrëveshjes së 9 Marsit. Qeveria Fino vetëm në një drejtim funksionoi në atë të zhvatjes dhe vjedhjes.

Në aq pak sa kohë sa funksionoi bëri vjedhje?

Fino së bashku me ministrin e Brendshëm të caktuar nga PD, Belul Çela bën ndarjen e zonave të influencës, dogana e Kakavijës punonte për Finon ndërsa ajo e Qafë Thanës për Belulin, ndërsa bandat e dala nga burgu bënin kërdinë me vrasje e grabitje.

Po ‘peshqeshi’?

Sa për pyetjen se, a jam penduar që ja lashë peshqesh Berishën këtij vendi? Jo vetëm Berishën që është kryekusar dhe kryebanditi i këtij vendi, por edhe shumë politikanë të tjerë duhet t’i kisha ose hedhur në det si ushqim për peshqit apo t’i kisha mbyllur në një nga tunelet e shtabit të përgjithshëm në malin e Dajtit, të hanin njëri-tjetrin. Ky është i vetmi peng dhe e vetmja pendesë në jetën time.

Po ama theksoni që e mbajtët me zor. Përse?

Unë e them prapë që duke mbajtur me zor atë natë të 13 Marsit, Berishën për të mos u arratisur kemi prishur një skenar të copëtimit të Shqipërisë që ishte vënë në zbatim dhe Berisha me ikjen e tij ishte guri i fundit në këtë skenar, duket paradoksale që mbajtja e tij me zor ndaloj këtë skenar, por duhet thënë që shteti kishte rënë dhe i vetmi institucion që ngeli në këmbë ishte presidenca pavarësisht se ky institucion ishte shkaku dhe aktori kryesor i shkatërrimit të shtetit dhe copëtimit të Shqipërisë. Dhe fatkeqësisht gjithë historia e jonë si komb është e mbushur me paradokse të tilla.

Mirë, qëndrojmë tek katrahura e vitit ’97. Nuk gaboj kur e quaj kështu, apo jo? Kështu e cilëson dhe historia, dhe ju tashmë jeni pjesë e historisë së këtyre muajve…

Kryefajtori për vitin e katrahurën e 1997 padyshim që është Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, edhe unë e pranoj pjesën e fajit tim në ndihmën që i dhashë atij për të mbijetuar. Por pa faj nuk janë as opozitarët e atëhershëm që bënë atë marrëveshje famëkeqe të 9 marsit dhe u dorëzuan përpara ofertës seë Berishës së trembur deri në palcë për të ndarë pushtetin dhe amnistuar krimet. Jo vetëm që nuk është dënuar as edhe një shkaktar i asaj katrahure, por ai kryesori kërcënon edhe sot me një skenar të njëjtë të atij viti të zi. Çfarë kanë bërë ato banda që u dënuan e vranë më tepër se ata që u dhanë armët në duar e u thanë na mbështesni në luftën tonë për pushtet e sundim? Ata ishin thjesht ushtarë të gjeneralëve të zinj të politikës me në krye Marshallin Berisha apo kundërshtarë të tij.

Më falni po ku janë sot këta Gjeneral të krimit?

Në politikë e parlament apo dhe në çadrën e krimit. Me marrëveshjen e 9 Marsit u bë ligj mosndëshkimi i politikës dhe politikanëve të inkriminuar, u trimërua krimi, u legalizua në politikë dhe e pësuan vetëm ushtarët e tyre.

Sipas jush në çadrën e protestës së opozitës ka Gjeneralë të Krimit?

Paradokset vazhdojnë akoma, në ‘97 ishin përballë Marshalli Berisha dhe Gjenerali i jugut Arben Imami, sot janë në çadrën e krimit. Në vitin ’97, Berisha urdhëronte SHIK-un të vriste Imamin, kur erdhi në pushtet e bëri ministër të mbrojtjes ose Preç Zogaj ishte armiku më i madh në media bashkë me Frrok Çupin, tani të dy janë mbrojtësit më të mëdhenj të çadrës së krimit dhe kllounit të Berishës, Basha. Pse ky paradoks apo aleancë? Sepse këta dhe shumë të tjerë janë aktorë të një politike antishqiptare serbo-greke që sipas interesave të këtyre agjenturave herë bëhen kundërshtarë e herë të dashur me njëri-tjetrin në funksion te planeve antishqiptare të fqinjëve tanë dhe asnjëherë në shërbim të Shqipërisë.

Por opozita inicioi Dekriminalizimin, besoj se e dini se çfarë po bëhet në emër të Dekriminalizimit…

Vetëm opozita nuk ka të drejtën të flasë për Dekriminalizim pasi ajo është e zhytur në krime monstruoze që nga ‘91 e deri në 21 janarin e vitit 2011. Nuk mund të flasin për Dekriminalizim ata që futën krimin në politikë dhe kryen krime politike, por nuk janë pa faj as këta që kanë pushtetin, që për të mundur një demon të krimit si Berisha, futen me dijeninë apo pa dijeninë e tyre njerëz të krimit ordiner në parlament apo politikë, sepse krimi sado i madh te jete përballe teje nuk luftohet me kriminelë ordinere apo të çfarëdo lloji. Broçkulla të tipit, Republika e Re apo të ngjashme me to, nuk i ha njeri. Nuk mund të bësh Republikë të Re apo qeveri të re duke pasur në çadrën apo tënden tënde kriminele të tipit Berisha, Basha, Mediu etj. E shumta që mund të bësh është të krijosh një bandë me emrin, Banda e Çadrës përballë kryeministrisë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Rriten pagat e policëve sipas viteve të shërbimit

Qeveria ka miratuar strukturën e re të nivelit të pagave për gradë...
Read More