Izet Shehu, poeti që vdiq me penë në dorë

Nga Sadik Bejko – U bë pothuaj gjashtë vjet që është ndarë nga ne poeti Izet Shehu. Në dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit te jetes se tij kemi qenë shokë të pandarë. Ndarja e tij ndër ne miqtë e afërt u përjetua si ato goditjet që me kalimin e javëve dhe të muajve shkallë pas shkalle sa vijnë e thellohen. Në këtë moshë vdekjet e miqve janë të dhimbshme.

 

 

Me ikjen e Izetit, ndodhi që ne, një rreth i vogël miqsh, nuk takoheshim më si në ditët kur ai ishte gjallë. Pasoi diçka që paska qenë më shumë se sa vdekja e njërit prej nesh. Një kafe me dy-tre miq tashmë e humbur, një gotë e pakthyer mbrëmjeve dhe grindje të vogla a të qeshura të përbashkëta të humbura. Humbet lidhja e mpiksur nga koha e përbashkët.

Sido që ne burrat shqiptarë nuk i sjellim, zbrazim, në tryezë hallet që na trazojnë, prapë diçka rrjedh mes bisedave për fëmijët, për nipërit, për gruan, për vëllezërit… Nuk ishte shkaktare ikja e Izetit për atë që ne po humbnim njëri-tjetrin. Veçimi vjen vetiu… hallet, pafuqia, impenjimet ndaj të afërmve në nevojë… a një mijë e një arsye që nuk janë arsye, të shkëpusin nga shokët. Izeti paska qenë si zjarri i fshehtë e i pandashëm i vatrës që përherë të ndjell e të bën bashkë me të tjerë të ngjashëm si ti. Në këto ditë e në këto kohë është më e lehtë të humbasësh në vorbullën e një jete qytetare që më shumë të shtyn nga vetmia, se sa nga takimi me njerëz të tjerë. Sidomos kjo në një moshë kur jo më interesat direkte të punës, të biznesit të afrojnë dashje pa dashje me njerëzit e tjerë.

Kaq, sa për të thënë se ndarja nga jeta e Izetit na la pas një gropë që nuk mund të mbushet më mes nesh, mes miqve të tij. Izet Shehu kishte aftësinë që t’u binte gjërave në kokë, t’u vinte menjëherë emrin, ta thoshte troç e shkurt fjalën për të ndodhurat e pritura a të papritura, sido që të vinin, në jetën tone të individit, të shoqërisë, apo të politikës. Izeti kishte atë pafajësinë e thënies së fjalës pa pengesë, pa ledh midis gjuhës dhe buzëve. Ndonjëherë kjo është aq çliruese dhe aq shëruese sa të bën t’ia plasësh gazit me të madhe. Ai të thoshte një gjë që dhe ti e mendoje, po nuk të bëhej ta shqiptoje. Kjo ka dhe anën e saj jo aq të këndshme. Jeta jonë me thepat e saj të palëmuar, të vrazhdë, për të mos thënë, me mungesë të theksuar humanizmi, kërkon jo vetëm që ta trembësh fjalën para se ta thuash, por edhe ta fshehësh.

Kjo fshehje kurrë nuk duhet të arrijë deri atje sa të jesh konformist e gjithmonë politikisht korrekt dhe me miqtë më të afërt. Sidoqë-sidoqë gjetja e një farë shtegu, rrëshqitjet pak diplomatike për çastin, në disa raste janë të nevojshme… Po Izeti, që ishte delikat në shpirt, kërcente përpjetë: “Dredhaluq”, të thoshte, “bjeri drejt”! Dhe i mbetej hatri shpejt. Në këto ujëra atij ishte mirë që mos t’i dilje përpara: fjalën e fundit mund të ta thoshte të parën, madje me zë të lartë, madje dhe ta përsëriste sa herë që ta takoje. Ishte e vështirë të kishe një mik si Izeti: ai nuk ta përtonte. Po ne qemë dhe mbetëm miq deri në fund. E donim ashtu siç ishte. Jo ndryshe. Paçka se nuk ishim dakord me gjithë sa thoshte, kur ai ishte në të tijat, paçka se kështu ai dhe mund t’i ketë shtuar vetes telashe e armiqësi. Izet Shehu pati një jetë të vështirë.

Ai ishte pinjoll i një familjeje me emër në gjithë pellgun e Myzeqesë. Meqë gjyshi i tij, sheh Ibrahim Karbunara, u mor me politikë që kur u krijua shteti shqiptar, kjo familje, siç ka ndodhur me shumë të tilla, gati me gjithë ato që janë përzier në politikë, ka parë ditë jo të mira. Gjyshi i tij fanolist qe mbi dhjetë vjet emigrant politik kur Shqipëria ishte nën mbretin Zog. Gjatë Luftës së Dytë, sheh Ibrahimi, e vuri familjen e tij të madhe në krah të Frontit dhe u zgjodh deputet më 1945. Por më 1948 atë e pushkatojnë bashkë me grupin e deputetëve. Mbi familjen Karbunara ranë fatkeqwsitë me radhë: shpronësim, internim, një xhaxha i Izetit vdiq në burg, babai i Izetit bëri disa vjet burg, deri brezi i tretë… vëllai më i ri i Izetit u burgos për politikë. Izeti, me arsim të lartë, punoi në shkollat e fshatrave në periferi të rrethit të Lushnjes, ca kohë punoi dhe në gurore. Në vitet e rinisë ai shkruante poezi, por e ndaluan të shkruajë e të botojë. Një libër ia bënë karton. Izeti me këmbëngulje, me vullnet, me dashuri për jetën bëri punën e mësuesit edhe kur i duhej të udhëtonte katër e deri gjashtë orë udhë më këmbë në një ditë; krijoi familje, rriti katër fëmijë; në heshtje e ushqeu dhe e mbajti gjallë interesin krijues për letërsinë. Mbas pesë vjetësh në politikë, i dekoruar dhe si “Pishtar i Demokracisë”, i zgjedhur deputet në vitet 1991 deri më 1996, befas Izet Shehu e pa veten të flakur jashtë rrjedhës.

Ai për këtë përjashtim të pamerituar nga politika dhe nga punët në shtet, ia vuri fajin cinizmit politik, kursit të fshehtë katovician të vënë në jetë realisht ndër ne: pronarët dhe të përndjekurit të mbahen larg nga prona dhe nga pushteti. Në shumë nga poezitë e tij, në shumë nga shkrimet publicistike Izeti e ka atakuar ballas këtë kurs politik, të praktikuar me përpikmëri, por të papranuar asnjëherë nga ata që kanë drejtuar e drejtojnë jetën politike në këto vite. Izeti ishte pronar tokash dhe toka nuk mori, as ai, as e shoqja me një vëlla të pushkatuar në burgun e Spacit. Vëllai i Izetit, ai që u burgos në mbrëmjen e maturës së gjimnazit, më 1997 e pa veten pa punë dhe mërgoi në Greqi për të siguruar bukën e gojës.

Dy vajza të Izetit kanë emigruar në kontinentin Amerikan, ndonëse qenë të mirëarsimuara. Shokët e tyre të shkollës, por… nga familje katoviciane morën punë në administratën e lartë. Ikjen e vajzave njëra pas tjetrës prindi Izet e përjetoi shumë thellë. E përtypte në një heshtje pikëlluese. Edhe me një ndjenjë faji. Nuk shprehej, nuk e hapte gojën, por ai e dinte, ne e dinim, seç vlonte përbrenda. Këto vite shprese të kthesës nga komunizmi qenë njëherësh dhe vite të iluzioneve dhe të zhgënjimeve të hidhura për kategorinë shoqërore në të cilwn bënte pjesë Izeti dhe familja e tij.

Izet Shehu nuk ishte njeri që dorëzohej. Shumë të tjerë që pësuan si ai, patën rënie shpirtërore, sëmundje me pasojë dhe ikjen e parakohshme nga jeta. Në këto vitet e fundit Izeti dhe të ngjashmit e tij u kthyen dhe ripërtypën plagët e vjetra. Një cikël fatal, histori dhimbjesh që përsëriten dhe nuk ndalen…. Po, siç e thamë, Izeti kishte karakter luftarak. Ai dinte të urrente dhe të donte. Dinte t’i derdhte në vargje e në prozë brengat, humbjet, dramacitetin deri në tragjizëm të një fati, të një familjeje, të një brezi. Në këto rreth pesëmbëdhjetë vitet e fundit të jetës së tij krijoi me një intensitet për zili korpusin e veprave të tij në poezi, në prozë dhe në publicistikë. Botoi gati një libër në vit. Kjo ndodhi falë pasionit të tij, falë talentit të tij artistik të lindur e të ushqyer në heshtje.

Dhe Izeti provoi jo vetëm kënaqësinë e të shprehurit artistik, lumturinë e atij që, më së fundi, gjen përsëri dhuntinë e shkelur nga koha, e gjen thellë tij të ruajtur dhe të gatshme për t’u vënë në punë. Jo vetëm kaq. Izeti, duke u vetëshprehur, ushtroi lirinë, preku të qenurit i lirë para vetes dhe para gjithkujt, ushtroi lirinë e të qënit vetvetja nëpërmjet fjalës së shkruar. Këtë Liri me shkronjë të madhe ia dha atij vetëm arti i poezisë, arti i fjalës . Ndonjëherë, në mbrëmjet e përbashkëta me ndonjë gotë përpara, miku ynë publicisti e prozatori Çerçiz Loloçi i thoshte: Ti tani je i lirë, o Izet Shehu, me këto që po shkruan dhe po boton, ti arrite atë që kurrë në jetën tënde të mëparshme, edhe kur ishe në politikë si deputet, nuk e rroke kaq të plotë e kaq rrënjësisht të thellë. Pasioni artistik merrte krah dhe nga ajo që thamë: Izeti qe njeri që nuk lëshonte pe, nuk luante, nuk hiqte dorë nga e tija: si ide, si ndjeshmëri, si sjellje. Dhe arti në këtë shfrim pasionant të një lënde kaq të ngjeshur e të mbajtur gjatë nën drydhje e pengim, merrte vërtetësi dhe forcë. Izeti si në jetë dhe në art ishte njeriu një copet.

Ai i tha gjërat me plot zërin, me plot gojën. Prej Myzeqesë Izeti mori butësinë dhe ngrohtësinë e shprehjes. Dhe të ishte i tejdukshëm e i sinqertë. Në thënien e tij ai u ruajt nga ngatërrimi e spërdredhja figurative. Nuk e pëlqente hermetizmin e manierizmin në art. Të tillët shkruajnë për ufot, thoshte. Pas ndonjë lëkundjeje në stil në dy librat e parë, arti i tij mori sigurinë e maturinë e shprehjes poetike. Në vend të peizazheve dhe pamjeve nga Myzeqeja, në vend të këngës për cinkën, zogun ekzotik të lagunave tona pranë detit, në poezinë e tij merr peshë dramaciteti, tonet e revoltës e të atakimit të veseve dhe të ligësisë shoqërore. Poezia merr thellësi nga evokimi i një tradite të dhimbjeve, të padrejtësive që ndjekin ata që më së shumti kanë dhënë për të mirën e këtij vendi. Poezia e Izet Shehut shumë shpejt fitoi derdhjen e një forme në përshtatje me substancën; u rrit pesha e mendimit; u zgjerua fondi i pasurisë lirike me kujtimet, me zhgënjimin, me qëndresën e me krenarinë e atij që ka rënë, por kurrë nuk është thyer e poshtëruar. Ai nuk hyri në garë, nuk vrapoi për të zënë një vend në letërsinë e këtyre viteve, vend që me të drejtë i takon. Ai qeshte; katovicianët, thoshte, janë në ballë edhe në politikë, edhe në pasurimin material, edhe në rangjet e larta të administratës, edhe në hierarkinë kulturore, në letërsi, po ata prijnë. E rëndësishme ishte që Izeti u shpreh.

U shpreh ashtu siç dinte dhe ashtu siç donte. Ai i tha gjërat që i quante me shumë peshë për veten, për kohën, për njeriun. Ishte e rëndësishme që ai foli në emër të disa ish-familjeve të mëdha shqiptare, të cilat historikisht e kanë pësuar. Në këtë të vetëshprehur ai si person gjeti thjesht lirinë, por poezia shqipe u pasurua me nje zë të trishtuar, por të plotë e të thellë në shqiptimin e tragjedive tona të jetuara. Të ca dhimbjeve që më mire se kushdo tjetër i dinë ata që i kanë hequr mbi shpinën e tyre. Ai vdiq me penë në dorë. Pak javë para se të mbyllte sytë, u botua një libër. Kjo përmledhje poetike ishte si një akord buçitës muzikor, si një oratorio me temat më të dashura të gjithë poezisë së Izet Shehut. Takimet e përcjelljes së tij mortore nga miqtë u kthyen në shfletime të poezive nga ky libër. Ai diti të vdesë bukur: me këngë në gojë. Miqtë e tij i morën nga goja që u mbyll përgjithmonë këto këngë dhe i kënduan në ato ditë që po e përcillnin Izetin. Ai u përcoll si poet. Poezia e tij do të lexohet për dhembjen e thellë, për durimin e krenarinë e të jetuarit edhe mes vuajtjeve. Dhembjet mbase i sjell vetiu historia jonë prej qeniesh humane në udhëtimin tonë përmbi tokë. Disa dhimbje janë të bukura, disa janë krenare, disa të fisnikërojnë. Të jesh njeri, të mbetesh njeri, mbase është purifikues udhëkalimi nëpër një regjistër të tillë dhimbjesh.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Lirohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako

Me propozim të Ministrit të Brendshëm, zotit Fatmir Xhafaj, Këshilli i Ministrave...
Read More