Ja akuzat: Shpallet në kërkim ish-kryebashkiaku i Kukësit



hasanizmiTre ish-zyrtarë të lartë lokalë të Bashkisë së Kukësit janë vënë në pranga, ndërsa ish-kryebashkiaku Hasan Halili është shpallur në kërkim.

Përmes një njoftimi për mediat, prokuroria sqaron se zyrtarët lokalë akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se paratë që duhet të përdoreshin për pagesat e sigurimeve shoqësore e shëndetësore, janë përdorur për të sponsorizuar Futboll Klub Kukësin.

Me urdhër të prokurorisë janë arrestuar: Mirdash Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Kukës; Lekë Deda, ish-drejtor i Financës, Bashkia Kukës dhe Gëzim Ukperaj, ish-drejtor i Borxhit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, Kukës.

Njoftimi i Prokurorisë

“Me kërkesë të Prokurorisë së Kukësit, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për disa ish-zyrtarë të lartë lokalë, të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një seri veprimesh fiktive, duke e regjistruar Bashkinë Kukës si aksioneve në shoqërinë “Klubi i Futbolli Kukës” sh.a., për të cilën më pas kanë paguar në mënyrë të paligjshme, në formë sponsorizimi, në periudhën 2011-2015 rreth 45 milionë lekë të reja. Këtë shumë, Bashkia e Kukësit e ka siguruar, duke mos paguar kontributet shoqërore dhe shëndetësore për pjesën më të madhe të punonjësve në varësi të institucionit.

Prokuroria e Kukësit nisi hetimin në nëntor 2015, në bazë të një kallëzimi të Bashkisë së Kukësit, në të cilën ishin ngritur dyshime për veprime të paligjshme nga ana e ish-drejtuesve të këtij institucioni, të cilët ishin larguar pas zgjedhjeve lokale të qershorit 2015.

Nga hetimi i deritanishëm i Prokurorisë së Kukësit, rezultoi në mënyrë të përmbledhur se:

– Shoqëria “Klubi i Futbollit Kukësi” sh.a është krijuar në vitin 2011, si një shoqëri tërësisht private. Në vitin 2012, me një vendim fiktiv, me kërkesë të Kryetarit të Bashkisë në atë kohë, Bashkia Kukës regjistroi si aksionere e kësaj shoqërie, pa asnjë bazë ligjore.

– Pas regjistrimit fiktiv si aksionere në këtë shoqëri private, Bashkia e Kukësit ka dhënë në formën e sponsorizimit për ekipin e futbollit mbi 45 milionë lekë të reja. Hetimi ka provuar se këto pagesa janë kryer tërësisht në kundërshtim me ligjin.

– Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Kukësit konstatoi se shuma e paguar në formën e sponsorizimit për ekipin e futbollit është marrë nga fondi i përcaktuar për pagesën e detyrimeve shoqërore dhe shëndetësore të pjesës më të madhe të punonjësve që janë të regjistruar në ndërmarrjet e Bashkisë. Nga verifikimet ka rezultuar se për periudhën 2011-2015, shumë punonjës kanë marrë pagën, por nuk figuron të kenë të derdhura kontributet e detyrueshme, të cilat dorëzohen në Drejtorinë e Tatimeve nga ana e punëdhënësit (Bashkia në resting konkret).

– Po ashtu, rezulton se Bashkia e Kukësit, për periudhën objekt-hetimi, ka qenë në dijeni të borxhit të akumuluar për shkak të mospagesës së detyrimeve. Megjithatë, si nga ana e Bashkisë, ashtu edhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të rikthyer normalitetin financiar.

Për më tepër, pavarësisht rritjes së borxhit nga viti në vit, rezulton se organika e Bashkisë është rritur periodikisht, duke shtuar ndjeshëm detyrimin që institucioni kishte ndaj administratës tatimore. Edhe kjo e fundit, megjithëse ka qenë në dijeni të situatës anormale, nuk ka ndërmarrë procedurat e nevojshme ligjore, përfshirë edhe masat përkatëse, për të detyruar Bashkinë Kukës të sistemonte financat e saj.

Në këto kushte, Prokuroria e Kukësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se disa ish-zyrtarë lokalë kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. ndaj personave të konsideruar përgjegjës, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila u pranua nga Gjykata dhe u ekzekutua nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, për personat si më poshtë:

-Mirdash Hoxha, ish-drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Kukës

-Lekë Deda, ish-drejtor i Financës, Bashkia Kukës

-Gëzim Ukperaj, ish-drejtor i Borxhit në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, Kukës

-Është shpallur në kërkim: Hasan Halili, ish-kryetar i Bashkisë Kukës

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Pse pranohet Kosova në UEFA dhe FIFA

Nga Elton Ndreka* Duhet thënë që për shqiptarët ishte lajm i rëndësishëm...
Read More