Ja ç’është kujtesa historike!

Takimi për Pashkë me Gjelë Gjikolen: Tre javë më vonë u sëmur vajza ime Dila, kishte temperaturë të lartë, më kërkonte ujë, buzët i kishte të thata. Më solli ujë zonja Hajrie Mulleti, ia laga gojën me pika, pika uji…M’u fik e vogla ime ndër duar. Zemra më pikonte gjak. Në kapanon vajtohej, shumë të reja i humbën fëmijët. I varrosëm vajzat pranë një varri monumental të një ushtaraku italian që ishte vrarë aty. I futëm vajzat në varr bashkë me djepet që ishin të punuar me dru pishe, i mbuluem me dega pishe dhe sipër dheut hodhëm gurë.

Nga Fatbardha Mulleti Saraçi

Një vizitë në Spitalin “Shejta Mri” në Rrëshen te zonja e nderuar Gjelë Gjikola, që ka hyrë në vitin e 94 (nëntëdhjetë e katërt) të jetës së saj.

Sa mori lajmin që i kam ardhur për vizitë, ajo na priti te dera e dhomës së spitalit, e mbështetur mbi shkop. Na përshëndeti mua dhe djalin tim Peter, që më shoqëroi nga Shkodra në Rrëshen.

E pyeta për shëndetin, ishte e shtruar në spital sepse kishte problem me mushkëritë. Ishte nën kujdesin e mjekëve që e trajtonin me shumë dashuri.

I dhurova vezët për Festën e Pashkës.

Mosha e ka zvogëluar në trup, që mbështetet mbi shkopin e pleqërisë, fytyra e mbushur me rrudha, sytë ngjyrë kafe të shohin me ngulm, vetullat e harkuara dhe sipër tyre mbi ballë një shami e zezë e lidhur në kokë, karakteristikë e femrës mirditore, e trashëguar brez pas brezi në shekuj e shekuj.

Ajo që të bën përshtypje ishte forca e jetësore e saj, mendja e saj e kthjellët, tregon bukur e qartë jetën e saj, një jetë plotë dhimbje e vuajtje.

Ajo tregon:- Jam lindur në Perlat e martuar me z. Preng Gjikola në fshatin Selitë. Isha e lumtur, jetova katër vjet me burrin tim. Në vitin 1948 bashkëshorti im më të dy vëllezërit e tij Bibë e Ndrekë dhe shumë burra të tjerë të fshatit u larguan… Ikën e nuk u panë më…

Ky është momenti i fillimit të vuajtjes së familjes, i imi, i vjehrrit të moshuar dhe kunatës Mrika. Erdhi policia e na mori. E dinë çdo të thotë të lindësh duke pasur grykën e pushkës në fyt?

Vajzës që linda i vuna emrin Dilë, ndërsa kunata ime lindi rrugës, i vuri emrin Prena. Na internuan dhe na dërguan në Kampin e internimit në Turan të Tepelenës.

Jetë në kapanone ku ishin grumbulluar me qindra familje, nga të gjithë krahinat e Shqipërisë. Jeta ishte shumë e vështirë. Mungonin kushtet për një jetë normale. Ushqimi bëhej në kazanë dhe ishte vetëm lëng me oriz e bullgur të mykur.

E kisha shumë të vështirë rritjen e vajzës. Si unë me fëmijë, ishte kunata ime dhe shumë nuse të reja me foshnjat e tyre. Transportimi i druve nga mali për në qendër ishte një torturë më vete. Ecnim të ngarkuara me drurët në kurriz. Kur ktheheshim në kazermë ishim të lagura dhe s’kishim me se të thaheshim. Nuk kishim të drejtën e ngrohjes në kapanone. Njerëz vuanin nga uria. Fëmijë e gra që copëtoheshin nga shpërthimi i minave, në territorin e kampit. Nata në kamp ishte një tmerr, nuk kishte ndriçim dhe errësira e i ftohti s’kishin mbarim.

Në internim punova punët më të rënda dhe me një ushqim të pakët. Kështu kaluan tre vjet.

Me ardhjen e të internuarve nga Mirdita, kapanonet u mbipopulluan dhe në mungesën e kushteve jetësore, ra epidemia, thonë se ishte sëmundja e tifos.

E para u sëmur vajza e kunatës, Prena e vogël, e dërguan në Gjirokastër për kurim, por e kthyen pa jetë.

Tre javë më vonë u sëmur vajza ime Dila, kishte temperaturë të lartë, më kërkonte ujë, buzët i kishte të thata. Më solli ujë zonja Hajrie Mulleti, ia laga gojën me pika, pika uji…

M’u fik e vogla ime ndër duar. Zemra më pikonte gjak. Në kapanon vajtohej, shumë të reja i humbën fëmijët. I varrosëm vajzat pranë një varri monumental të një ushtaraku italian që ishte vrarë aty. I futëm vajzat në varr bashkë me djepet që ishin të punuar me dru pishe, i mbuluem me dega pishe dhe sipër dheut hodhëm gurë.

Të paktën dy vajzat i varrosëm, se fëmijët e tjerë iu humbën varret, se i zhvarrosën tri herë dhe herën e fundit i vendosen pranë lumit, që kur vërshonte i merrte uji.

Pas 55 (pesëdhjetë e pesë) vjetësh arritëm t’i rivarrosnim. E gjithë jeta më kaloi me vuajtje. U dënova me internim pa bërë asnjë faj, s’më bënë as gjyq, më vdiq vajza në kampin famëkeq të Tepelenës, një kamp i rrethuar me tela me gjemba, që ruhej me roje të armatosur, me punë të detyruar, pa shpërblim, që e quaj kampi shfarosës i Tepelenës. Tash jam e moshuar por jam e rrethuar nga dashuria dhe respekti i njerëzve.

Vazhdon të dëshmoi:- Familja Dedë Gjomarkaj- kryefamiljari ishte në burg, por familjen e kishin internuar. Nana Mrika e Preng Dedë Gjomarkaj dhe dy djemtë e saj Filip e Gasper.

Nusja e Zef Shytit ishte shtatzënë kur e internuan. Lindi fëmijën në kapanon. U grumbulluan gratë mirditore, e rrethuan nusen që po lindte, i hapën fundet e tyre të bardha. I lidhën duart me njëra-tjetrën dhe e veçuan nga pjesa tjetër e kapanonit. Lindi foshnja por lehonës i vdiq vajza…

Erdh dreka. U përshëndetëm…E përqafova me mall. Zonja Gjelë më tha:-Bardhë mos e pa ardhë kur të vdes…

Jo nënë Gjelë të uroj dhe disa vite jetë. U përshëndetëm me nënën e fundit që është gjallë dhe që i vdiq vajza në kampin famëkeq të Tepelenës. Ja ç’është kujtesa historike!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Libri më i kërkuar: Preç Zogaj me “In Love”, rikthehet te lexuesi dashuria për poezinë

Ka qenë befasi në panairin e librit përmbledhja me poezi dashurie, e...
Read More